Ta gëzojmë Qeverinë e Re me kryeministër dhe 13 herë ministër, Edi Rama!
Edi Rama ka mbledhur sot në Vlorë ministrat e tij. Lajmi i përhapur nga suita kryeministrore është se kryeministri do të marrë një e nga një ministrat para “hanxharit” për të shikuar se cili ministër nuk ka realizuar detyrat. Burimet tregojnë se Rama ka shtruar tavolinën, ku në cep ka vendosur në mënyrë simbolike një hanxhar, kurse vetë me mëngëshpërvjelur rri në qoshe. Asnjë ministër nuk merr frymë, pa patur shikimin e kryeministrit, nëse duhet apo jo të mbushet mirë me aksigjen. Paksa më lirshëm tregojnë punonjësit e hotelit, duken të paktën deri tani, Fatmir Xhafa dhe Damian Gjiknuri. I pari si proamerikan me dosje plot në tavolinën e tij të punës, bile dhe për një pjesë të atyre që ka sot përballë e anash, kurse tjetri si një amerikan i vertetë me një çantë plot e përplot me dokumenta vrapon, herë pas here, në Uashington e ku pastron stuhitë e zeza që drejtohen drejt Tiranës.
Për pak harrova, edhe Ditmir Bushati, nuk preket. Sapo është kthyer nga Bjeshkët e Namuna në Tropojë, duke ndjekur hap pas hapi Ilir Metën, i cili rrinte më lart në male.
Të tjerët, ministra, sot janë në dilemë të madhe. Janë nisur nga Tirana si ministra të përshendetur nga sekretaret e tyre gjithë mall e merak se mos kthehen nga Vlora jo ministra. Ndërkohë kryeministri si një Mjeshtër nga ato të kohëve kur hekuri ishte në zjarr dhe i binte me çekan, rri e vështron me vetulla të ngrysura ministrat.
Aktor i madh! I paparë!
Në media nxjerr vetë lajme se po bëhet nami në Vlorë, siç edhe ne që përshkruam “karemin” që na hodhi një pjestar i shërbimit të hotelit. Edhe ne e kullufitëm karemin e fakenews që doli nga takimi në Vlorë.
Edi Rama e ka ndarë, që në pushime verore te vila kryeministrore në Dhërmi, se cilët do largojë. Bile i ka thirrur për një drekë duke ua komunikuar largimin me justifikimin për arësye taktike dhe për të krijuar një përceptim populist se “tashmë kemi qeveri të re”. Por ai që është edhe vetë ministër, edhe kryeministër, mbetet prapë në krye të tavolinës. Mos harrojmë se kemi 13 ministri.
Ndaj ta gëzojmë Qeverinë e Re me kryeministër dhe 13 herë ministër, Edi Rama!
S.P.