Tahiri fundos Partinë Socialiste

Partia Socialiste dhe Edi Rama morën 74 vota, aqsa nuk i prisnin as vetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Pavarësisht se PD dhe LSI i quajtën zgjedhje të blera nga bandat e drogës së kryeministrit, pakkush nga ndërkombëtarët i mori seriozisht këto akuza. Në fund, fituesin nuk e gjykon dot askush dhe “timonieri” triumfues po ngjitej në zenit. I vetëm, me timonin në njërën dorë dhe tepsinë në dorën tjetër.

Deri para se të plaste skandali Habilaj- Tahiri, kryeministri Edi Rama vetëm forcohej dhe merrte shumë pushtete, njëri pas tjetrit. Dukej se jo vetëm do qeveriste i qetë për katër vjet të tjera, por gjasat ishin se edhe pas vitit 2021 do të ishte në pushtet.

Por italianët, bashkë me një partner të fuqishëm, vendosën të ndalin turravrapin e frikshëm të Edi Ramës dhe PS-së, bile dhe të ofrojnë rrëzimin e tyre nga pushteti.

Plasën skandalin Tahiri.

Skandal që nuk ndalon. U duk sikur po fashitej paksa, pas debatit në Këshillin e Mandateve ku socialistët që nga Edi Rama i pari, e mbrojtën në bllok ish-ministrin. Natyrisht kishin hallin e tyre. Por edhe për faktin se Tahirin e mbanin në publik si “ministri kampion” dhe në PS si trashegimtari pas Ramës. Ishte si një ikonë, bashkë me Erion Veliaj, për kupolën e selisë rozë. Rasti i Elbasanit ku një biznesmen u arrestua me 800 mijë euro cash, si dhe me patentat e Tahirit, përzier me euro, e ka çuar PS-në në kuotat më të ulëta historike të saj ndër vite. Tashmë pakkush beson te Tahiri, edhe në PS.

Në stuhinë e parë që shkaktuan detajet e dosjes italiane dhe akuzat e prokurorisë kundër Tahirit, PS-ja i kishte gati argumentet. Fillimisht u tha se nuk kishte prova bindëse dhe hetimet e italianëve nuk lidheshin me ish-zyrtarin e qeverisë shqiptare. U tha se Saimiri i përgjimeve nuk ishte Saimiri i Ministrisë së Brendshme. Se kushërinjtë e Tahirit vërtetë ishin problematikë dhe trafikantë droge, por ish-ministri nuk i kishte shumë të afërt. Më pas, kur këto arsye nuk po ngjisnin, u gjetën dhe sajesa përçarëse si origjina e prokurorëve nga Tropoja dhe lidhjet hipotetike të tyre me Sali Berishën. Në një javë debatesh juristët dhe profesorët e respektuar të drejtësisë në PS vunë emrin e tyre në lojë duke i dalë në mbrojtje një të dyshuari nga Prokuroria. Vetë Edi Rama, në një prej fjalimeve me hollivudiane në politikën shqiptare, përballë deputetëve të PS përjashtoi nga partia Tahirin, por edhe e mori në mbrojtje si asnjë deputetët tjetër më parë. Në fund, menduan se e kaluan gjithë ‘hallin’ duke ia vënë fajin opozitës që po sulmon ish-ministrin më të afërt të Edi Ramës. Deri para pak ditësh ishin diku barazim me opinionin publik.

Pas arrestimit të biznesmenit në Elbasan, të gjitha këto argumente që thuheshin një javë më parë, vetëm sa e fundosin PS-në bashkë me Saimir Tahirin. Të paktën në opinionin publik. Drejtësia do jetë që do verifikojë këtë rast, por kudo njerëzit e thjeshtë prosocialistë kanë mbetur me gojë hapur. Sot gjithë deputetët që dilnin në çdo ekran për të mbrojtur Tahin si të sulmuarin nga politika, janë dyfish përgjegjës. Si fillim janë përgjegjës  sepse u përfshinë në një çështje që mund ta kishte zgjidhur drejtësia e jo duke u bërë palë me të akuzuarin. Së dyti, sepse me votën e tyre, siç dyshon tani Prokuroria për rastin e Elbasanit, paskan ndihmuar edhe në fshehjen e provave për ish-ministrin. Mos harroni se prokuroria ka disa prova për të cilat nuk flet, por i mban surprizë për në seancën gjyqësore.

Që të jemi korrekt me veten, askush nuk do që Saimir Tahiri të jetë i përzier në këto afera droge, pasi imazhi i njerëzve për pushtetin dhe insitucionin e ministrit të brendshëm që është garanti i ruajtjes së rendit publik e luftës kundër krimit, do rrëzohej në sytë e publikut. Kjo do të ishte shkatërruese për shtetin. E jo vetëm për PS-në si parti në pushtet.

Kjo që ndodhi në Elbasan është një kosto direkte jo më mbi Saimir Tahirin, por mbi PS dhe Edi Ramën. Gjithë skema e ndërtuar me kujdes këto javë për të shpëtuar ish-ministrin dhe imazhin e mazhorancës së re, tashmë është rrëzuar. Ka 48 orë që arrestimi i biznesmenit me patentat për drejtim skafi të Saimir Tahirit është bërë publik dhe në PS ende nuk ka një reagim. Provat e reja nuk i japin asnjë mundësi për mbrojtje publike dhe politike Saimir Tahiri. Biznesmeni, babai i djalit të arrestuar, pohoi për mediat se janë eurot e tij e jo të Saimirit. Në fakt, djali i tij i arrestuar, është një nga studentët më të mirë shqiptarë jashtë shtetit. Kjo është e vertetë. Por gjetja e patentave të Tahirit, duke udhëtuar me euro për jashtë Tiranës, komprementon ish-ministrin. Edhe PS-në.

Deri dje akuzohej se përveç makinës, të cilën ua shiti Habilajve,  ka edhe skafe, ndërsa Tahiri deklaronte se nuk zotëronte asnjë. Ndërkohë i kapën me euro dy patenta për drejtim skafi me toneshe të ndryshme, tamam nga ato që përdoren për kanabis. Rastësi?! Mundet. Pse nuk deklaroi vetë ish-ministri se kam edhe këto patenta? Nuk ka asnjë shkelje ligjore, pasi mbetet e drejtë ligjore e çdokujt të marrë patentë apo leje gjuetie, por fshehja të lë shije të keqe e dyshuese.

Njerëzit nuk besojnë më pas kësaj të Elbasanit. Njerëzit tallen dhe ironizojnë PS-në, e cila nuk ka faji si parti, pasi është vlerë kombëtare, por nga skandali Tahiri , PS-ja është e plagosur dhe e dërmuar në publik.

Mjafton të dalësh nëpër bazën e thjeshtë socialiste dhe kupton se nuk është më ajo PS e para 25 qershorit.

Tashmë zeniti është kapur nga Rama. Pas majës së malit, vjen rrokullisja tëposhtë. E kjo për fajin e ish-ministrit. E jo vetëm.

Spartak Ngjela thoshte dje se tashmë nuk kemi çështje Tahiri, por çështje Rama. Dhe ai po rrokulliset.

Q.Xh.

SHKARKO APP