Tahiri: Hetimi duhet të shkonte deri te Edi Rama
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 12 vjet burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një seancë të gjatë, Tahiri ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë duke deklaruar se nuk kanë bërë hetime dhe akuzat nuk qëndrojnë. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që vendimin për ish-ministrin ta shtyjë për në datën 19 shtator.
Pas seancës me dyer të mbyllura, ish-ministri Tahiri ka folur për mediat duke dhënë dhe sinjalet të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij. Duke shpjeguar para gazetarëve akuzat e Prokurorisë, Tahiri nuk ngurroi të përmendte, për herë të parë, emrin e shefit të tij si pjesë të akuzave që duhet të verifikonte prokuroria. “Nëse unë kam harxhuar 20 milionë Euro për fushate, siç pretendohet, Prokuroria duhet të kishte bërë hatanë dhe hetimi duhet të shkonte deri tek Rama”,- tha Tahiri. Edhe pse deklarata ka një ‘nëse’, mesazhi i ish-ministrit për të cilin prokuroria kërkon burg është i qartë për shefin e tij politik.
Çështja e 20 milionë eurove përmendet në bisedat e përgjuara telefonike të anëtarëve të bandës së “Habiljave”. Në përgjim lihet të kuptohet se 20 milionë euro janë përdorur në fushatë nga ish-ministri.
Përmendja e Edi Ramës nga Saimir Tahiri, në kontekstin e akuzave që janë bërë ndaj tij për trafik droge, nuk është e vetmja. Brenda në seancë, ish-ministri tha se ka informuar në kohën kur ishte në detyrë Ministrinë e Mbrojtjes për problemet e radarëve që kontrollojnë hapësirën shqiptare. Ky ishte një tjetër sinjal se në historinë e kanabizimit Ministria e Brendshme nuk ka qenë e vetmja e dyshuar. Po ashtu dhe përmendja e Ministrisë së Drejtësisë për shpenzimet e faturave ishte një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen nga deklaratat e ish-ministrit.
Saimir Tahiri nënvizoi se sa ka ai dijeni, radarët nuk mund të fiken dhe se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për akuza që lidhen me trafik droge. “Unë e di se radarët nuk mund të fiket. Prokuroria le të vijë dhe të thotë. Unë e them jo dhe jo nuk ka ndodhur kurrë që të fiken radarët. Nuk fiket radarët sepse nuk ka një palë çelësa. Prokuroria vetëm hamendëson. Unë kam qenë ministër i Brendshëm për më shumë se 4 vjet. Kam bërë të pamundurën që të luftoj kriminalitetin në mbarë Shqipërinë. Kam bërë të pamundurën që kriminaliteti të ulet. E kam bërë edhe duke iu sulur drejtësisë. E kam bërë sepse e kam besuar se qytetari përleshet keqas me këtë drejtësi. Kur drejtësia më denoncon mua, imagjinoni se çfarë mund të bëhet me një qytetar të thjeshtë”,- tha ish-numri një i Ministrisë së Brendshme.
Në gjithë daljet e mëparshme për mediat, Tahiri është treguar i kujdesshëm që të sulmojë opozitën për akuzat dhe mos përmendur në asnjë rrethanë përfaqësues të familjes së tij politike. Por pas pretencës së prokurorisë dhe kërkesë për burg gjërat duket se kanë ndryshuar. Mes rreshtave të ish-ministrit kuptohet se nëse ai do të dënohet me burg për trafik droge dhe organizatë kriminale, nuk do të shkojë vetëm.