Takimi i kryeministrave të Ballkanit në Durrës, dështoi me sukses
Pa shumë hyrje mund të thuhet se takimi kryeministrave të Rajonit dje në Durrës ishte një dështim. Kjo u pa në mosardhjen e disa kryeministrave të rëndësishëm, por edhe te çehreja e zymtë gjatë konferencës së shtypit, e kryeministrit Rama.
Takimi i djeshëm në Durrës, i dyti në serinë e takimeve të tilla, u zhvillua 4 vjet pas prezantimit të Procesit të Berlinit nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në 28 gusht 2014 dhe disa javë pas Samitit të Londrës, të zhvilluar në fillim të muajit të kaluar, i pesti samit në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili që prej 4 vitesh ka marrë përsipër të nxisë dhe përshpejtojë ritmet e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.
Komisioneri i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, i ftuar në takimin që u zhvillua dje në Durrës, e ka quajtur “prioritet kyç ndërtimin e Zonës Ekonomike Rajonale për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin në BP”. Por dje nuk ishin kryeministrat e Bullgarisë, Serbisë dhe Maqedonisë. Greqia nuk bën pjesë në këtë Forum. Fakti që nuk erdhën kryeministrat më të rëndësishëm të Rajonit të Ballkanit Perendimor tregon se diçka ka lëvizur në strategjinë rajonale. Asgjë nuk u fol dhe asgjë nuk vendosen, se nuk folën. Ishte takim koti. Të paktën foli Ramush Haradinaj për bisedimet Thaçi-Vuçiç. Ai ishte më i sakti.
Hani foli si në han, pa thënë asgjë. Si Hani edhe kryeministri Rama.
Justifikimi i kryeministrit maqedonas Zaev, ishte ekzemplar. Kishte njoftuar se “për shkak të motit të keq nuk mund të vinte”. A thua se ishte fortunë ajrore! Po pse me rrugë tokësore nuk mund të vinte kryeministri maqedonas Zaev? Më afër e ka të vinte me makinë sesa me avion! Inati i kryeministrit Rama, u duk që në pritje. Sa nuk shpërthente, bile edhe kryeministrin malazez dhe atë kosovar me zor i takoi. Haradinajt i tha “hiq kollaren”, atij malazez që kishte ardhur pa kollare i pëshpëriti “a nuk keni kollare në Mal të Zi?”.
Komisioneri europian, Hahn foli ca fjalë, hëngri mirë ca pjata me peshk e karkaleca dhe iku. Edhe Rama, bëri sikur hëngri në drekën me këta që kishin ardhur në Durrës dhe iku. Shkoi e drekoi me pas me Vangjush Dakon, po në Durrës.
Dështimi ishte me sukses të plotë. Ah, po kishte dhe një surprizë; ishin dhe dy femra, njera e jona pikërisht Majlinda Bregu e veshur plot sharm dhe ambasadorja Vlahutin me flokë të pakrehura. Ishin dhe këto të dyja. Pas takimit bënë edhe plazh.