Takimi i Lulzim Bashës me Majkon si “korrier” i Ramës

 

 Situata politike është në tejvlim, pas daljes në publik nga Presidenti Nishani, Ish-Presidenti Berisha dhe PD-së se ministri Tahiri e Edi Rama kanë urdhëruar përgjimin pa autorizimin e prokurorisë të një numri politikanësh dhe personash publikë. Prokuroria ka firmosur sekuestrimin e pajisjes në fjalë, policia nuk e dorëzon duke u fshehur pas një Interforce e cila ka status juridik special që nuk mund të kontrollohet nga pala shqiptare. Flitet se pajisja në fjalë e cila është përdorur në përgjime, siç akuzon Basha, po transferohet fshehur në Itali, sepse nëse dorëzohet ka gjurmë përgjimesh dhe nuk fshihen dot nga asnjë specialist. Këto ditë po sillet një tjetër pajisje, e ngjashme, e cila është e “virgjër” nga pikëpamja teknike sepse vjen e re nga Roma. Dhe më pas do ta dorëzojnë në Prokurori e të thonë se ” ja, nuk ka përgjime”. Ndërkohë kryeministri Rama, i gjendur ngushtë, bëri sot një lëvizje politike,sepse lëshoi sinjalin e parë të një ofertë të re bashkëpunimi me PD-në. Ishte dhe një mesazh presioni për Ilir Metën që po kthehet nga vizita në Kongresin Amerikan. Nisi në hotel Rogner ish-kryeministrin Majko si “korrier partizan” të takohej me kreun e PD-së Lulzim Basha, gjoja për Asamblenë Parlamentare të NATO-s që do zhvillohet në Tiranë, i cili i dha një mesazh direkt Bashës.Fill pas takimit Majko mori udhën për në kryeministri për të raportuar se çka i tha Basha  dhe ky i fundit për tek zyra private ku shikon Tiranën nga sipër, Berisha.

Natyrisht që Pandeli Majko nuk shkoi për të marrë konsensus për kandidaturën e tij për President Republike në korrik 2017. E para se është shumë herët, pasi do rrjedhë shumë uji deri pas një viti për emrin e Presidentit, dhe së dyti asnjë plan nuk ka Rama dhe as Basha-Berisha për Majkon President. Ka emra të tjerë në lojë dhe deri atë ditë nuk dihet si shkon fati i qeverisë Rama. Aq me tepër se pa votën e Ilir Metës nuk ka President, por as qeveri të majtë. Duhet të mësohet se me çfarë mesazhi  vjen Meta nga Kongresi Amerikan dhe Ëashingtoni, sepse përveç takimeve zyrtare kreu i Kuvendit ka bërë edhe një takim shumë të rëndësishëm me një personalitet në Ëashington, takim për të cilin akoma nuk flitet dhe nuk është zyrtar. Produkti i këtij takimi do duket në muajt në vijim.

 Edi Rama e dërgoi Majkon për të qetësuar Bashën që në lidhje me dosjen e tij tek Rama dhe italianët ( ata të dy i kanë regjistrimet) të rrijë i qetë, pasi nëse rri urtë nuk do t’ia publikojë se çka folur për ish-kryeministrin Berisha, ai dhe miqtë e tij në selinë blu. Dhe si kusht i ka kërkuar që të mos jetë opozitë radikale si e kohës së Berishës, sepse po vjen vera, e cila thuhet se do të jetë e nxehtë dhe mund të mbarojë “uji i qeverisë”, sepse financat nuk janë mirë. Por një kompromis do ta bëjë Rama për të rritur kredibilitetin e Bashës në selinë, pasi ndryshe nuk ka kuptim nxitimi i “korrierit” Majko. Gjithashtu Majko ka kërkuar nga Lulzim Basha, nëse mundet, një takim mes Bashës dhe Ramës në publik ku t’i japin dorën njëri tjetrit, bile në prani të zv/presidentit amerikan Joe Biden që vjen në Tiranë. Majko ka kërkuar që opozita të justifikojë aksionin e saj politik të këtyre kohëve të fundit t’i jepet koka e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si “kokë turku”, pasi kryeministri është gati ta hedhë në oborrin e selisë blu. Me kushtin që ta lenë të qetë të qeverisë deri në qershor 2017 dhe të mos insistojnë për qeveri teknike. Edhe Basha justifikohet në selinë blu se “larguam kokën e trafikut të drogës”! Por Majko duket ka ofertuar edhe se çfarë Kodi Zgjedhor do PD-ja në mënyrë që zbehë rolin e LSI në zgjedhje dhe pas tyre. Pra një “tepsi me mjaltë” ka çuar dje Majko tek tavolina e Bashës, ndërkohë që Berisha përherë e di se pas “kulaçit vjen kërbaçi”. Këto propozime të Ramës mori në krahë Majko dhe ia la në prehër Bashës. Ndryshe e ka vështirë Lulzim Basha, i cili çfarë nuk ka thënë për këtë qeveri, bile premtimi i tij publik ishte se do ta rrëzonte Edi Ramën për të shkuar me qeveri teknike në zgjedhje.

Nuk dihet se cila ka qenë përgjigja e Bashës pas mesazhit të Ramës me korrierin Majko, porse dihet e saktë se Basha ka ngjitur me vrap shkallët për tek ish-lideri Berisha, pa lejen e të cilit nuk merr frymë asnjeri në PD. Duket se po luhet pjesa e dytë e seranatës vjeneze Rama-Basha, e cila filloi në fundgushti në Vjenë nën dirigjimin e Zamir Manes dhe po përfundon në Tiranë nën dirigjimin e “partizanit” Majko.

SHKARKO APP