Tallja greke vazhdon në Kapshticë. Dogana: “U kalua numri 300”! Por qytetarët: As 30 veta nuk kaluan!
Tortura e shqiptarëve vazhdon në Kapshticë dhe Kakavijë. Paaftësia e palës shqiptare akoma është dominante gjatë këtyre ditëve. Asgjë e re nuk ka ndryshuar. Përkundrazi tallja greke nuk njeh kufinjë.
Sot dogana greke e Kapshticës njofton që herët se “kaluan 300 veta, aqsa kemi në plan!”. Dhe mbylli kufirin. Ndërkohë që njerëzit në radhë thonë se as 30 veta nuk kaluan.
Më pas Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë njofton se “Ditën e sotme, pas takimit që autoritetet shqiptare zhvilluan me palën greke, jemi informuar se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, drejt Republikës së Greqisë do të lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas.
Aktualisht kjo kuotë, është plotësuar dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna.
Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që mos vijojnë të dynden dhe të shmangin krijimin e radhës drejt kësaj pike kalimi, pasi Dogana Greke aktualisht është e mbyllur.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!”- shkruan policia shqiptare.
Emigrantët shqiptarë që presin të largohen për në Greqi kanë deklaruar se pavarësisht pezullimit të punës nga pala greke nuk do të largohen dhe të lenë radhën.
Një prej emigrantëve thotë se ka qëndruar që në 7 të mëngjest dhe nëpërmjet Doganës së Kapshticës nuk kanë kaluar as 30 veta. Ai kërkon që tamponin mos e bëjë në laboratoret e licencuara por të vijnë autoritetet vetë që ta bëjnë në Kapshticë.
”Nuk jemi 300 vetë ne këtu të gjithë. S’kanë kaluar më shumë se 30 veta. S’mund të kalojnë 300 për 1 orë. Kemi bërë aplikacionin. E kemi bërë me e-albania që duhet të kalojmë. E kemi bërë që në 13, sot data 16. Këtu janë nga Tepelena, Vlora e Fieri. Nuk e lemë radhën, këtu të vijnë të na i bëjnë tamponin.”- tha emigranti.
Më tej një tjetër emigrant thotë se nuk do të largohet dhe i kërkon qeverisë që të marrë masat vetëm për të lejuar kalimin drejt Greqisë, shkruan edhe BW.
”Kam që në 8 këtu. S’na thanë asgjë për sot për shifra 300 vetë. Nuk largohemi. Duam të ikim se kemi dhe fëmijë të vegjël. Për 10 ditë fillojnë shkollat. Qeveria të marrë masat që të na lejojë të kalojmë.”- tha një tjetër emigrant i bllokuar në Kapshticë.
Pra jo vetëm mashtrojnë pala greke, por edhe pala shqiptare bashkohet në mashtrimin grek.
Qytetarët që presin prej ditësh në radhë tregojnë se sot e kanë hapur disa minuta dhe më pas e mbyllen duke gënjyer se “plani u realizua”.