Të “digjesh” nga uji e politika

 

Rreth 2500 banorë janë shpërngulur nga banesat e tyre si pasojë e përmbytjeve në Qarkun e Vlorës dhe Fierit.Pa harruar edhe të tjerë në zonat që nuk pasqyruar sa duhet në media apo në informacionet qeveritare. 17 mijë hektarë janë nën ujë dhe dëmet në prona e në bagëti janë ende të pallogaritshme.Është një humbje katastrofale për banorët e këtyre zonave, të cilët zor se e marrin veten për pak vite.Shembujt janë nga përmbytjet e viteve të kaluara në Veriun e Shqipërisë. Parashikimet e meteorologëve flasin për rikthim të reshjeve të mëdha gjatë fillimit të javës së ardhshme. Kjo do ta rëndojë më shumë situatën e zonave të prekura nga fatkeqsia natyrore, sado që të punojë qeveria. Ndërkohë  probleme nuk ka pasur vetëm me zonat e përmbytura në qarqet e Fierit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme dhe në zonat e veriut, duke e bërë qeverinë të rrijë më veshë në krahë se ku do të “plas” përmbytja tjetër, këto ditë. Ndërsa situata ka nisur të bëhet shqetësuese edhe lidhur me digat e hidrocentraleve. Liqeni i Fierzës gjatë ditës së djeshme ka arritur kuotën 291 metra, ndërkohë që kuota maksimale e tij është 296 metra. Në situata të ngjashme për t’u paraprirë problemeve, drejtuesit e institucioneve të energjisë në vend hapin kaskadën, duke sjellë rritje të nivelit të ujërave dhe përmbytje në zonën e Shkodrës dhe zona të tjera. Kjo është procedura që është ndjekur gjatë viteve të mëparshme. Ndërkohë që dje, drejtues të KESH-it thanë se situata është nën kontroll dhe nuk do të ketë alarm në zonat e veriut. Por pavarësisht kësaj, paniku i përmbytjeve thuajse ka kapur pjesën më të madhe të vendit.Frika jeton bashkë me banorët, të cilët janë “djegur”  disa herë nga shirat e stuhitë në këto vite.

Ndërsa vendi përballet me tekat e motit, politika nuk ka humbur kohë të kacafytet. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka inspektuar dje në terren zonat e përmbytura në Fier dhe Vlorë. Ai u ka bërë apel anëtarëve të PD-së dhe seksioneve të kësaj force politike t’u vijnë në ndihmë mesa të munden banorëve. Deri këtu, gjesti i PD-së tregon qytetari dhe sjellje korrekte në situata të jashtëzakonshme. Por pjesa e dytë e qëndrimeve të PD-së, sidomos disa deputetëve të selisë blu, është një rikthim në modelin e të bërit politikë.Kreu i PD-së ka kërkuar edhe një herë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, si dhe ka akuzuar qeverinë se nuk po jep  ndihmë sa duhet për banorët e përmbytur. Gjithë aksioni i institucioneve për përballimin e situatës, për Bashën është përmbledhur në një shprehje: “Qeveria krihet, ndërsa fshati digjet”. Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe akuzat e drejtuesve të tjerë të PD-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe deputetëve të zonave ku kanë ndodhur përmbytjet. Situata e krijuar nga reshjet është një emergjencë civile. Ajo çka ndodh në vende të tjera të Rajonit, kur vendi përballet me emergjenca është solidarizmi me institucionet që menaxhojnë situatën dhe ku është e mundur, dhënia e ndihmave konkrete. Prej dy ditësh rrezikon çarja e digës së liqenit të Maskurisë në Kavajë. Arsyeja e dëmtimit të digës nuk lidhet me reshjet, por me punimet që janë kryer në një pjesë të kësaj dige disa vite më parë. Firma dhe inxhinierët që kanë kryer punimet, duket se e kanë parë këtë investim si një tender më shumë për të fituar para dhe jo si një projekt që nëse nuk bëhet siç duhet, rrezikon jetën e banorëve. Në digën e këtij liqeni ,ndërtuar në vitin 2007, është edhe impianti për ujin e pijshëm, çka ka sjellë  një situatë që mund të kthehet në katastrofë nga momenti në moment. Teksa PD-ja akuzon se nuk po merren masat, duhet të kujtojë se është dhe përgjegjësi e saj për lejimin e ndërhyrjeve të tilla që sot rezultojnë vrasëse. Natyrisht që ka patur një tjetër drejtues PD dhe tjetër kryeministër para Bashës,porse në disa gjëra, edhe në këtë rast, selia blu nuk duhet të jetë kaq e egër sepse ka qenë ministria e bujqësisë e 8 viteve të demokratëve që e shkatërruan fshatin. Nëse në drejtim të infrastrukturës rrugore e kombëtare PD-ja mund të krenohet me çka bërë, kurse në drejtim të fshatit është një shkatërrim total pasi fondet janë dhënë ,por janë vjedhur. Tamam si qeveria e kohës së Fatos Nanos 2003-2005 kur bëhej nami me fondet për bujqësinë e nuk u pastrua asnjë kanal kullues, asnjë digë nuk mori shtat, sepse përfunduan në xhepat e qeveritarëve socialistë të asaj kohe. Ndaj Lulzim Basha bëri shumë mirë që shkoi dje se është edhe detyrim politik e njërëzor, edhe nxit qeverinë që të jetë më e shpejtë në zgjidhjen e halleve të banorëve, ndonëse përmbytja erdhi nga qielli,por në tokë e përmbytën punët e pabëra të Nanos e Berishës. Edi Rama ka një përgjegjsi, që pas këtij rasti që po merr energji të mëdha nga buxheti i Shtetit e po rrezikohen jetë njërëzish  dhe janë dëmtuar jetesa e banorëve, ai  duhet të kontrollojë ministrinë e bujqësisë e çdo tender për investimet në bujqësi. Nëse nuk e bën këtë atëhere gjithë shigjetat e kritikave do të jenë mbi Kryeministrin Rama.Përmbytja e këtyre ditëve erdhi nga “lart”, porse edhe nga punët e pabëra të këtyre 25 viteve.

 Duke iu rikthyer situatës dramatike  që prej pesë ditësh, rreth 3 mijë forca të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të emergjencave janë duke zhvilluar operacione në zonat e përmbytura. Sigurisht që gabime gjatë menaxhimit të situatës janë bërë dhe hallka të zinxhirit të emergjencave mund të mos kenë funksionuar siç duhet. Por llogaritë dhe bilanci duhen bërë kur situata të jetë normalizuar. Opozita po kërkon “koka turku” që tani  kur ende situata është alarmante, ndonëse toni i Bashës ishte në një gjuhë të moderuar e ndryshe nga ajo e Berishës. Akuzat politike dhe sherrnaja e përditshme as e zgjidhin problemin dhe as e bëjmë situatën më të përballueshme.

Ndaj të kalojmë situatën dhe ka vend boll për sulme në parlament pas pak ditëve. 

SHKARKO APP