Të kapësh pas përmbytjes, për të shpëtuar politikisht
Përmbytja e madhe e këtyre ditëve duket sikur i intereson kryeministrit Rama, pavarësisht faturës financiare, e cila do jetë e kripur. Çdokush mund të thoshte se kjo është alogjike, pa sens. Por kushdo njeh mirë Edi Ramën e kupton se ai në të tilla raste, fatkeqe, ngrihet lart. I zënë këto muaj në qark nga çështja Habilaj-Tahiri, i zvogluar në miqësitë e dikurshme politike, i gjendur zap nga PD-LSI, i paqartë dhe në frikë se çfarë dosjesh të tjera kanë ndërkombëtarët për drogën dhe korrupsionin qeveritar, kryeministri u turr fushave plot ujë për të ringritur figurën e tij, e cila pas daljes së ish-ministrit Tahiri në dosjen e drogës, duhet pranuar se ka pikët e tij në kuotat më të ulëta politike. Ndaj Edi Rama, si kurrëherë, nxitoi edhe në mesnatë të takonte në FushëKrujë një pjesë të komunitetit egjiptian, u fal me to, toku dorën, u buzëqeshi me siklet, por si një aktor brilant politik. Te Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, shkoi nga halli për të dhënë imazhin e një lideri popullor, ku i gjendet në hall çdo njeriu, qoftë ky edhe Mziu, të cilin nga mllefi dhe inati politik, me zor ia jep dorën në seminare zyrtare.
I veshur me çizme, të cilat nuk i ka mbathur kurrë në jetën e tij 51 vjeçare, pa çadër, ndonëse shiu e bëri qull, ndonëse kishte plot shoqërues rrotull me çadër, por si mjeshtër e si regjizor politik përfekt, lëvizte mes currilave të shiut. Natyrisht sa ka hypur në makinë ka sharë se ç’mu desh mua të vija mes të natës apo në shiun e rrëmbyer, por tani që është në kuota të ulëta politike, i duhet të krijojë imazhin e një njeriu të merakosur popullor.
Mjeshtër i paparë!
Dhe duhet pranuar se e luan bukur! Ia çoi Zoti në derë punën e ish-ministrit të brendshëm (natyrisht vetja), pasi përndryshe do të ishte një udhëheqës popullor autoritar e arrogant sa do t’ia kishin zili edhe Enver Hoxha e Sali Berisha. Tashmë është i goditur në njerën brinjë prej ish-ministrit Tahiri, pavarësisht se dy ambasadorë po mundohen t’ia mjekojnë “plagën”, por sipas Spartak Ngjelës i cili mbetet një parashikues i saktë politik, kryeministri po shkon drejt rrënimit prej hapjes së një dosje korruptive në muajin shkurt nga një shërbim perendimor.
Kryeministri e shijoi këtë shi e përmbytje në mënyrën e tij si propogandë, gjoja si njeri popullor e i kudondodhur, dhe vrapoi e nuk fjeti një natë në shtëpi, por pyeste ministren e mbrojtjes Olta Xhaçka se ku ka ndonjë pellg uji që ta vizitojë, sepse duhet ta shikonte populli “në krye të detyrës”. Imazhi i skandalit Tahiri duhej kuruar me përmbytjen.
Gjithsesi duhet pranuar se Edi Rama, nëse flitet për facebook dhe oratori në media e parlament, e mposht opozitën. E ka dhunti të lindur dhe të kultivuar, ndonëse me nuanca agresive. Opozita në këtë moment kombëtar të përmbytjes po vepron mirë, krahë për krah qeverisë. Më pas duhet të flasë, por jo vetëm të flasë. Të veprojë në rrugë e me popull. Deri tani edhe ajo ka premtime se do bëjë namin, por nuk kemi parë gjë akoma.
Ndaj këto ditë kryeministri po ndjek situatën në terren, te populli. Mirë bën se ia kërkon detyra kushtetuese, por thelbi mbetet te halli se duhet të rikuperojë imazh në publik. Realisht po kuron imazh, ndonëse pritet të shikojmë dosjet në janar-shkurt, të cilat, tregojnë burimet, se janë bomba pa mbarim. Edhe për opozitën.
Edi Rama nuk fle gjumë, shkon kudo ku ka ujë dhe bën mirë. Ujë është më mirë se zjarri, pasi nëse di not, mund t’ia dalësh. Në zjarr nuk shpëton dot. Zjarri fillon në fillimvit, para Samitit të BE në Bullgari.