E padëgjuar/Të korruptosh Gjykatën e Strasburgut
-Denar Biba: “Nuk kam bërë presion”. Ledi Bianku deklaron posaçërisht për “Koha Jonë”: “Biseda është bërë me mua dhe kam informuar kryetarin e gjykatës së Strasburgut për ndërhyrjen. Nuk e di kush e ka bërë përgjimin”.
Një përgjim i publikuar dje mes një zyrtari i të lartë të zgjedhur nga PS, Denar Biba dhe gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Ledi Bianku, hedh dyshime të forta për tentativë presioni, shantazhi dhe korrupsioni nga qeveria shqiptare ndaj gjyqtarit të lartë europian. Portali “Exit.al”, në një material audio që është regjistruar në vitin 2014, zbardh bisedën mes Denar Bibës, në atë kohë nënkryetar i KQZ dhe Ledi Biankut. Zyrtari i qeverisë, Denar Biba, i cili është një mik i vjetër i Biankut, i thotë se ka ardhur në takim në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe një nga njerëzit me të afërt të Edi Ramës. Biba i kërkon që gjyqtari të shfrytëzojë pozicionin e tij në Gjykatën e Strasburgut për të bllokuar të gjitha proceset gjyqësore për kthim dhe kompensim pronash që kjo gjykata ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Në këmbim të këtij shërbimi, (sipas bisedës së zbardhur nga Exit.al) Denar Biba i thotë se pas mbarimit të mandatit në Strasburg ai do të shpërblehej me një post në Tiranë. “Treni një herë të vjen në stacion”,- citohet të këtë thënë Denar Biba. Në të kundërt, nëse Bianku nuk do të ndihmonte qeverinë për të bllokuar gjyqet, pas kthimit nga Strasburgu mund të mbetej pa punë. Shantazhi dhe kërcënimi se do të mbetej pa punë pasi mbarimit të mandatit është thelbi i përgjimit ku rezultojnë të përshirë Denar Biba dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit, Edi Rama. Engjëll Agaçi përmendet, por realisht ai nuk ka asnjë asnjë përgjim. Zyrtari i lartë i KQZ ka përmenduar emra për të cilat përgjigjet ai personalisht penalisht. Gjithnjë nëse prokuroria arrin në konkluzionin e penalitetit. Kreu i sotëm i KQZ-së, Denar Biba reagoi dje për mediat duke sqaruar pozicionin e tij lidhur me publikimin e këtij përgjimi. Ai tha e biseda është nxjerr jashtë kontekstit, pasi bëhet fjalë për një komunikim që është zhvilluar mes dy miqsh dhe nuk ka pasur shantazh dhe as kërcënim. Denar Biba tha se shprehja e “trenit që vjen një herë në stacion” ishte një referencë për karrierën e tij personale dhe jo atë të gjyqtarit shqiptar në Strasburg. Ai kërkoi që të publikohet dhe biseda e plotë që është zhvilluar mes tij dhe Ledi Biankut. Pasi Denar Biba pranoi bisedën, por mohoi përmbajtjen e saj, “Koha Jonë” kontaktoi dje gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku. Për “Koha Jonë”, Bianku tha se “biseda, në vija të përgjithshme, është ajo që është publikuar në media. Pas takimit kam informuar në lidhje me këtë ndikim kryetarin e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Dean Spielmann. Nuk e di kush e ka bërë përgjimin”. Deklarata e gjyqtarit, Ledi Bianku hedh poshtë dhe qëndrimin e fundit të Denar Bibës, i cili thotë se bëhet fjalë për një bisedë që ku nuk kishte shantazh.
Të dy personat e përfshirë në këtë përgjim janë ndër juristët më të mirë të vendit dhe e dinë rëndësinë e asaj që ka ndodhur, e njohin mjaft mirë peshën ligjore të deklaratave publike. Bianku ka arritur në majën sistemit gjyqësor europian në Strasburg, një post ku pak jurist plotësojnë aftësitë profesionale për tu zgjedhur. Ndërsa Denar Biba është pedagog i të Drejtës Kushtetuese dhe një nga profesionistët më të zotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pavarësisht qëndrimit që Denar Biba mbajti pas publikimit të bisedës, vetëm përmendja e emrit të Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrit Edi Rama nuk lë vend për dyshime mbi motivin e takimit. Këtu komplikohet biseda dhe nga miqësore siç thotë dje Biba, duket se ka qenë dërguar me mission special nga qeveria. Pas daljes së emrave qeveritarë nga regjistrimi, kryetari i KQZ, duhet të shpjegohet hapur para prokurorisë se kush e nisi dhe pse. Për të krijuar një ide më të qartë për atë që ka ndodhur duhen shpjeguar rrethanat dhe koha kur është zhvilluar biseda. Takimi është bërë në të njëjtën ditë që në Strasburg ndodheshin Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe drejtues të institucioneve qeveritare ku do të takoheshin me kreun e kësaj gjykate, Dean Spielmann. Delegacioni qeveritar ndodhej në Strasburg për të bllokuar shqyrtimin e gjithë dosjeve të pronave, me argumentin se qeveria në Tiranë po miratonte një ligj që do të zgjidhte përfundimisht këtë problem. Ligji në fjalë edhe sot nuk është miratuar nga qeveria, por katër vite më parë, kabineti “Rama” refuzonte të paguante vendimet e GJEDN me argumentin se kishin shumë kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Qeveria “Rama” me anë të juristëve të saj ishte në kërkim të një zgjidhje ligjore që mos lejonte nga Stasburgu të vinin vendime të tjera ku kërkohej dëmshpërblimi për prona të pakthyera apo për vendime shpronësimi që ka marrë vet qeveria “Rama”. Zgjidhja që kanë menduar juristët e Ramës është tipike shqiptare; “të fusim miq në Stasburg dhe të korruptojmë me poste ose shantazhojmë gjyqtarin shqiptar në këtë institucion”. Është një lëvizje që duket sikur bëhet për të mbrojtur interesat e shtetit, por në fakt është kundër interesit të qytetarëve shqiptarë. Praktikisht qeveria “Rama” po korruptonte Gjykatën e Strasburgut që të mos jepte vendime në favor që qindra familjeve që pasi janë tallur nga drejtësia në Shqipëri kanë parë si shpëtim gjykatën ndërkombëtare. Kjo është shkelja e parë ligjore dhe kundër interesave të qytetarëve. Shkelja e dytë është presioni ndaj një gjyqtari shqiptar duke e kërcënuar me vendin e punës, njëlloj si të ishte një specialist i thjeshtë në kryeministri. Tamam siç ndodh me gjykatat shqiptare ku qeveria kërcënon gjyqtarë dhe prokurorë.
Prokuroria nisi dje hetimet pas publikimit të bisedës. Pavarësisht sesi do të përfundojë kjo histori, tashmë opinioni e ka të qartë se një qeveri që thotë se po bën reformën historike në drejtësi jo vetëm kontrollon gjithë gjykatat këtu, por synon të korruptojë dhe gjykatën kryesore europiane, në Strasburg.
E tha bukur avokat Ngjela në lidhje më këtë përgjim:” “Këta kujtojnë se janë në Gjykatën e Rrogozhinës. Është turp për nivelin. Me këtë kuptojmë se këta nuk duan të harxhojnë para për pronat. Këta nuk kanë buxhet, duhet të ikin. Është kërkesë e qeverisë kjo sepse përmendet Niko Peleshi. Nëse nuk ke para zgjidh problemin me veten, jo me ligjin”.