Të majtët tradicional: “Neoballisti” Edi Rama!

Data 29 nëntor e Çlirimit të vendit gjithmonë ka përçarë kampet politike në këto 28 vjet, por këtë vit ka treguar krisjen serioze mes vetë forcës kryesore të majtës, Partisë Socialiste. Shkak janë bërë qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe vlerësimi i tij për një pjesë të historisë që shënon vijën ndarëse kryesore mes të majtës dhe të djathtë shqiptare. Pak ditë më parë, me nismën personale të kryeministrit Edi Rama në atdhe u kthyen eshtrat e intelektualit Mid’hat Frashëri. Deri këtu nuk ka asnjë problem, madje prehja në atdhe e një emri të njohur është gjest që duhet vlerësuar për kryeministrin. Problemi për pjesën më të madhe të së majtës është qëndrimi i kryeministrit Edi Rama në fjalimin e mbajtur në ceremoninë shtetërore. Kryeministri është dhe kryetari i Partisë Socialiste, që cilësohet si pasardhësja direkte e Partisë Komuniste që drejtoi Luftën Antifashiste. Në fjalimin e mbajtur për Mid’hat Frashërin, kreu i të majtëve shqiptarë, Edi Rama bëri një kapërcim faktesh që sipas socialistëve, veteranëve të luftës dhe ish-komunistëve është i pafalshëm për kryetarin e PS. Sipas tyre, Edi Ramës, ish-kryeballisti Mid’hat Frashërit ka meritat e një heroi të luftës dhe patrioti kombëtar, ndërkohë që për historinë që njeh e majta, Frashëri ishte një nga bashkëpunëtorët e nazizmit në Shqipëri. Për të majtën historike, Mid’hat Frashëri është themeluesi i partisë së vetme kolaboracioniste me pushtuesit nazistë, “Ballin Kombëtar”, si dhe sipas historianëve si Pëllumb Xhufi etj, hartues i një traktati anti-shqiptar për “krijimin e një federate greko-shqiptare dhe paraqitjen në Konferencën e Paqes me një delegacion të vetëm”. Ndërkohë për kryeministrin dhe kreun e PS, Edi Rama, ish-kryeballisti Mid’hat Frashëri “është mishërimi i shërbestarit të kombit”. Këto dhe fakte të tjera për figurën e Mid’hat Frashërit si politikan, dhe jo si intelektual, kanë bërë që vlerësimi i figurës së tij nga Edi Rama të shihet si akt i një tradhtie të lartë për vlerat e së majtës. Një ‘tradhti’ që ka nxitur në masë të madhe reagime jo vetëm të ithtarëve të Partisë Komuniste, por edhe të shoqatave të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, të cilët në masën më të madhe janë dhe votues dhe mbështetës së Partisë Socialiste që drejtohet nga Edi Rama. Argumenti i tyre bazohet në faktin se gjatë luftës “Ballin” dhe Mid’hat Frashërin e kishin armik njëlloj si nazistët, ndërsa sot kryetari i tyre Edi Rama e nderon si heroi dhe luftëtari i Shqipërisë. Kjo u pa dhe dje në homazhet për ndër të Dëshmorëve të Atdheut. Veteranët këtë herë nuk ishin në varreza vetëm për të nderuar dëshmorët, por edhe për të zhvilluar protestë kundër kryeministrit Edi Rama. Hera e parë që ndodh kjo. Mes parrullave që u hodhën në protestë binin në sy dhe ato që e cilësonin kryeministrin Edi Rama si “neoballist”. “Në 14 nëntor 2018 populli shqiptar pa edhe dëgjoi ceremoninë për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Ky akt është shprehja e qartë e rehabilitimit të kolaboracionistit. Qeveria rilindase socialiste e Ramës është neoballiste. Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës”,- tha gjatë fjalimit në protestë drejtuesi i Partisë Komuniste Shqiptare, Qemal Cicollari. Pavarësisht emrit dhe nostalgjisë që ka për ish-diktatorin, kjo është e njëjta parti politike që në vitin 2013 dhe më pas ishte në koalicion me Edi Ramën dhe PS. Ata janë komunistë, por votojnë majtas, bile shumë herë PS-në. Por qëndrimet e Edi Ramës nuk kanë shkaktuar mllef dhe pakënaqësi vetëm te veteranët e luftës. Kritika të forta kanë ardhur për Ramën dhe nga një pjesë e mirë e historianëve që vlerësojnë periudhën e Luftës Antifashiste si një nga momentet më të rëndësishme të historisë. Historian si Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, etj në reagimet e tyre publike e kanë cilësuar të gabuar nderimin që një kryeministër i majtë ka bërë për një figurë që ka mjaft dritë-hije në historinë e vendit.  Edhe Gramoz Ruçi, një prej socialistëve me të thekur, është ndjerë keq kur ka dëgjuar kryetarin e tij të PS-së ta lartësojë politikisht, veprën e ish-kryeballistit Frasheri, ku e majta e ka shpallur armik politik. Nuk po flasim për veprën intelektuale të tij. Por në sensin politik.

Por a ndikojnë qëndrime të tilla të kryeministrit në elektoratin e majtë? E kaluara politike e Edi Ramës ka mjaft dëshmi kur në botime të ndryshme nuk i ka kursyer talljet për partizanët dhe Luftën Antifashiste. Me marrjen e drejtimit të PS dukej se politikani anti-konformist iu përshtat dhe linjës së të majtës historike. Por gjeste si ai i nderimit të Mid’hat Frashrit duket se për një pjesë të së majtës kanë sjellë dhe ndarjen përfundimtare, aq sa veteranët kanë nisur ta cilësojnë “neoballist” dhe historianët “socialist i pabesë”.

Megjithatë nuk është çudi që Edi Rama në fushatën elektorale kur do ti duhen votat e tyre do ta sulmojë Mit’hat Frashërin/Q.Xhani/

SHKARKO APP