“Të pushkatohen kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë!”

Nga Frrok Çupi

Pse po ‘ekzekutohen’ pasi gjyqi i shpalli të pafajshëm kryetarin e Gjykatës së Lartë Zaganjori, dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Dedja? Komanda e Ndërkombëtarëve ka kërkuar dënimin e tyre, siç ishte vendosur para gjykimit…

Çfarë po ndodh?

…. Një barsoletë e Luftës së Dytë me gjyqet e kohës, ka ardhur deri në ditët tona. Një nga partizanët që  duhej ekzekutuar, pavarësisht nëse kishte faj ose jo, shpëtoi nga ekzekutimi. Ashtu ndodhi…. Gjyqi partizan ishte i mbledhur për t’i dhënë dënimin kapital kur vjen letra nga Komanda e Lartë. Në letër shkruhej: “Të falet, e pamundur të ekzekutohet”.  Partizani u la i lirë; derisa një ditë lajmi u ngjit deri lart në komandë. Në komandë u tronditën dhe thërritën urgjent grupin gjykues të gjykatës partizane: “Pse nuk zbatuat urdhrin; ju thamë të mos falet”…

Partizanin ‘rebel’ nuk e kishte shpëtuar trupa, as komanda; e kishte shpëtuar presja. Urdhri vinte i shkruar kështu: “Të falet, e pamundur të ekzekutohet!”. Në fakt ata të komandës deshën të shkruanin ndyshe: “Të falet e pamundur, të ekzekutohet’. Presja e vendosur para fjalës ‘e pamundur’ i kishte shpëtuar jetën partizanit…. Komanda injorante, që nuk dinte shkrim e këndim, nuk e fali gabimin e saj.

Komanda e Lartë e Ndërkombëtarëve në Reformën e Drejtësisë, që quhet Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), sot i ka kërkuar KPD-së që të ‘ekzekutojë’ dy gjykatës: kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Të dy këta, në ditët e fundit të korrikut (24 dhe 13) u gjykuan nga gjykata speciale KPK dhe u shpallën ‘të pafajshëm’ në procesin e vettingut duke u rikonfirmuar në detyrë. Por dje Operacioni Ndërkombëtar ka kërkuar që ‘pavarësisht nga vendimi i gjykatës’, të dy të dënohen.

Në kërkesën që ka ardhur në KPK, me sa duket ka mbetur pa u shënuar ky sqarim: “Iu kishim urdhëruar që të dy kryetarët e gjykatave më të larta të ekzekutohen, pavarësisht…”. Nuk ishte bërë edhe ky shënim: “Të eliminohen krerët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të mos ketë më asnjë shenjë nga këto dy gjykata” në Shqipëri.

Sistemi i gjykimit mbetet pa shkallë të lartë, ose si kasolle në qiell të hapur.

Komanda e Lartë e kishte porositur dënimin para gjyqit, por me sa duket ‘injoranca’ e ndonjë partizani ka ndryshuar vendin e presjes.

Ja tani vendimi i gjykatës u kthye sipas urdhrit të Komandës dhe Reforma në Drejtësi po ecën…

SHKARKO APP