Të shtunën opozita vjen për protestë apo për ndeshje?
-Kryeministri me ironi ka lajmëruar se do t’i vendosë një monitor para kryeministrisë, Lulzim Bashës, për të parë ndeshjen Real Madrid-Liverpul.
-Liderët e opozitës duhet të jenë të qartë për me 26 maj: E ftojnë popullin për të protestuar apo “për të rrëzuar qeverinë e krimit”? Do të ketë skenar ku flasin liderët dhe populli duartroket apo populli shfryn mllefin antiqeveritar e liderët politikë rrinë në ballë të tyre?
Opozita ka paralajmëruar një protestë masive me datën 26 maj, në orën 11:00, para Kryeministrisë. Mitingu zhvillohet pas katër muaj heshtje nga ana e PD, që nga protesta e madhe e janarit dhe pas dështimit të “mosbindjes civile” tashmë të harruar nga Lulzim Basha. Opozita po punon të sjellë në shesh me dhjetra mijëra njerëz, por duken të paqartë se çfarë do të bëjnë pasi njerëzit t’i përgjigjen thirrjes dhe të vijnë para Kryeministrisë.
Në deklarimet e drejtuesve të LSI-së, partia e dytë më e madhe në opozitë, ka një retorikë të ashpër për largimin e kryeministrin dhe jepet mesazhi se do të jenë qytetarët ata që do vendosin se çfarë do bëjnë me qeverinë. Ndërkohë paqartësia është edhe më e madhe tek PD dhe mesazhet që vijnë nga zyrtarë të lartë të saj janë paksa kontradiktore jo vetëm për qytetarët, por edhe për deputetët e selisë blu. Lulzim Basha ka folur për protestë paqësore dhe fjalime të ashpra ndaj qeverisë, por vetëm kaq. Deputeti Oerd Bylykbashi e krahasoi tubimin me manifestim të qytetarisë dhe premtoi se protestuesit nuk do të thyejnë asnjë xham. Arben Ristani, përfaqësues i PD-së që njihet për qëndrime të forta, i preu shpresat e demokratëve dje kur deklaroi se protesta do të jetë pak më e gjatë se zakonisht, por në fund pas fjalimeve të krerëve të PD protestuesit do të ikin qetësisht në shtëpi. Amullia e PD për protestën shihet edhe te qëndrimet e deputetëve të tjerë të partisë më të madhe në opozitë. Një pjesë thonë se do vijnë në shesh për të kërkuar largimin e Fatmir Xhafës. Të tjerë rendisin emra ministrash sipas qejfmbetjeve personale që kanë. Ndonjë tjetër kujtohet se betejën e kanë me Edi Ramën, por kjo harrohet shpejt sapo del deklarata e radhës nga selia e PD kundër Fatmir Xhafës. Mes qindra kauzave që opozita ka ngritur kundër qeverisë, si droga, krimi, koncesionet, korrupsioni, varfëria, etj, për motivin e protestës më të madhe zgjodhi audio-përgjimin kundër ministrit të brendshëm. Një akuzë, që me aq fakte sa kanë dalë deri tani as vetë ata që thonë se bënë regjistrimin, nuk e besojnë.
Këtë protestë pa objektiv duket se edhe Edi Rama e ka marrë me sportivitet dhe do t’i japë Lulzim Bashës ndihmën e tij, me aq sa mundet. Burime nga kryeministri thanë dje për “Koha Jonë” se duke qenë që ditën e protestës së opozitës, më 26 maj është dhe finalja e “Champions League”, mes Real Madrid dhe Liverpul qeveria do të kujdeset për të krijuar kushte komode për protestuesit, shtojnë me iron inga kabineti kryeministror. Pak metra larg podiumit ku do mbajë fjalimet Lulzim Basha, kryeministri ka urdhëruar vendosje e një ekrani gjigant për të transmetuar finalen e ndeshjes së rëndësishme të futbollit. Biznesmenë të ndryshëm të koncesioneve, afër qeverisë dhe që dikur financonin PD-në, janë vetëofruar për të dhënë birra falas gjatë ndeshjes. Veç kësaj, për televizionet pro qeveritare që nuk pranojnë të raportojnë për zhvillimet nga opozita, Edi Rama do të ofrojë sinjalin e televizionit të tij ERTV ku qytetarët mund të ndjekin zhvillimet nga sheshi.
Kaq me numor e merr kryeministri Rama protestën, aqsa edhe tallet me to. I mbetet opozitës dhe veçanërisht Lulzim Bashës të lejojë popullin e revoltuar në lirinë e tij të veprimit.
Populli vjen të shtunën në Tiranë për zgjedhje të reja parlamentare, për rrëzimin e qeverisë dhe për një përspektivë tjetër ekonomike e politike, ndaj liderët e opozitës duhet të jenë në ballë të popullit opozitar.
Në të kundërt të shikojnë ndeshjen Real Madrid-Liverpul në monitorin e kryeministrisë!
A.Marku