Të vraposh për të vdekur PD!
Lulzim Basha po shkon drejt asgjësimit të PD-së në mënyrë stoike, siç duket me një mision të planifikuar me shumë kujdes natën e 17 majit me Edi Ramën. Sali Berisha deklaroi këto ditë se nuk ka asnjë dorë në listat e deputetëve të PD-së, bile kritikoi mënyrën e të bërit opozitë nga ana e Bashës gjatë fushatës elektorale. Atëhere guximi për të hequr emrat e Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Ridvan Bodes, Arben Imamit, etj mbetet e kalkuluar me marifet nga vetë Edi Rama. Pa asnjë diskutim që pazari ka qenë ky: Pastroje vathën e PD-së nga “rebelët” dhe bashkëqeverisim pas 25 qershorit. Edhe vetë Rama nuk e besonte se merrte me shumë se 67 deputetë. Ndaj do kërkonte bashkëqeverisje me Lulzim Bashën, duke e emëruar zv/kryeministër dhe ministër të brendshëm dhe kështu krijonin sistemin dy partiak ose një diktaturë demokratike. Rezultati, nga heshtja e Bashës dhe e PD-së gjatë fushatës si pasojë e marrëveshjes-pazar për të dërmuar LSI dhe zhdukur partitë e tjera, solli që Edi Rama mori në mënyrë të papritur 74 deputetë. Mësohet nga burime të rezervuara se kur ka marrë vesh rezultatin për 74 deputetë të PS, kryeministri Rama ka bërtitur në zyrë “MOS, NUK DUHEJ ME SHUME SE 69!”. Por prapë ka patur një tentativë nga PD që të jenë në bashkëqeverisje me PS, gjoja në emër të “integrimit në BE”. Por ishte Gramoz Ruçi i cili nuk ka pranuar ofertën e Bashës apo dyzimin e Ramës.
Rezultati i 25 qershorit ua prishi planet dyshes Rama-Basha. Qeveria u krijua tashmë me personalitete nga PS dhe që nuk hapin udhë asnjë pazari ekzekutiv me Lulzim Bashën. “Tepsia” duhet vetëm për PS! Por PD kërkon pjesë nga “tepsia”. E ka gjetur; kërkon sistem të pastër mazhoritar, kur dihet se asnjëherë nuk vjen në pushtet PD-ja me këtë sistem. Pse po e kërkon PD? Për të marrë cash ose në natyrë në formë lejesh ndërtimi apo koncensione? PD-në, pas epokës së Saliut të I-rë, po e kthejnë në PD që duhet për të bërë euro apo për tu ruajtur nga ndonjë arrestim që po përgatitet nga SPAK-u. Sepse nuk mundet që vetë të kërkosh një sistem elektoral që dihet se je i humbur, ndërkohë që PS-ja vdes për mazhoritar të pastër. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, përveçse pazari vazhdon: Unë të jap cash, kurse ti shkatërroje sa mundesh PD-në.
Nëse miratohet sistem i pastër mazhoritar me 100 zona, siç kërkon PD, dhe nëse bëjmë një kalkulim të thjeshtë zgjedhor del se PD-ja merr një deputet në Tropojë, një në Kukës, dy në Shkodër, një në Lezhë, një në Dibër, një në Laç, një në Mat, dy në Durrës, tre ose katër në Tiranë, një në Elbasan, një në Fier, një në Vlorë, dy në Korçë, në Gjirokastër asnjë, Përmet asnjë, në Berat asnjë. Pra diku te 19 deputetë merr PD! Me kaq deputetë a merret pushteti?!
Ndërkohë PS-ja po e mirëpret këtë propozim të PD-së me shumë kënaqësi. Kjo është si puna e lepurit që kërkon strehë te luani!