Televizionet marrin urdhër për mostransmetimin live të parlamentit për Teatrin
Sot është një ditë e veçantë në parlament, pasi po debatohet projektligji për prishjen e Godinës së Teatrit Kombëtar. Artistët dhe qytetarët kundër projektligjit janë që prej paraditës në protestë para sallës ku po zhvillon punimet Kuvendi i Shqipërisë. Edhe forcat speciale janë të shumta.
Pra është lajm kjo ngjarje e ky debat. Edhe artistët jashtë janë lajm. Edhe forcat e policisë të shtuara në numër janë lajm. Lajmi shkruhet dhe pasqyrohet. Televizioni ka fuqinë magjike që e jep live dhe i pari. Natyrisht edhe portalet online. Por që paradite si me një dorë magjike urdhëruese televionet kombëtare dhe ato të lajmit nuk dhanë lajmin e protestës para Kuvendit. Ishte lajm apo jo? Më pas u dhanë sekuenca, por e ndërprenë. Edhe televizioni publik e ndërpreu transmetimin, ndonëse e ka për detyrë në raste të tilla, ku palët janë ndarë, pothuaj përgjysëm, në një votim të tillë. Themi për publikun.
Tani që po shkohet drejt fundit të debatit e ku parashikohet një votim në sherr, mundet edhe në përplasje fizike mes deputetëve, por asnjë televizion nuk po transmeton live. Pra e përsërisim se asnjë televizion tjetër nuk transmeton live nga protesta e artistëve dhe qytetarëve para seancës parlamentare ku do votohet për projektligjin për shëmbjen e Godinës së Teatrit Kombëtar. Terr informativ i porositur vetëm nga qeveria. Dihet se shumë pronarë mediash kanë interesa me qeverinë për leje ndërtimi, koncesione, tenderime, etj. Ndaj nuk lejojnë operatorët dhe gazetarët e tyre ta japin live parlamentin tani që po shkon drejt fundit dhe votimit me sherr.
Eshtë paralajmëruar se do jetë një seancë parlamentare e nxehtë dhe me përplasje të forta. Ndaj populli është thirrur në ndihmë të deputetëve të opozitës, te cilët kanë deklaruar se nuk do ta lejojnë. Të bën përshtypje dhe arrihet në konkluzionin e frikshëm se kryeministri ka futur nën kontroll krejt median. Edi Rama, tregojnë nëpër redaksitë e lajmëve, ka marrë pronarët e televizionëve në telefon duke iu kërkuar të mos transmetojnë live. Arësyeja e frikës është se duke transmetuar live, njerëzit shikojnë televizionet dhe protestën e kjo mund të shërbejë si nxitje për t’u mbledhur me shumë protestues tani në darkë.
Si rregull, për median, ky është lajm dhe lajmi jepet, nuk fshihet. Pra mbledhja e artistëve dhe qytetarëve para Kuvendit mbetet lajm. Pikërisht lajmin duhet të transmetojnë live televizionet, ndërkohë që turren për të dhënë live edhe kur fjala vjen flet drejtorja e privatizimeve! Apo kur flet iks person që ju sjellë përfitime biznesit të mediave.
Ky është lajm ndaj të krijon bindjen se kryeministri ka investuar në media për ti bllokuar televizionet që të mos jetë në interes të publikut, por të qeverisë dhe oligarkëve. Te oligarkët futen edhe disa pronarë mediash.
Ja ku ka përfunduar media shqiptare! Ishte keq në kohën e Saliut, por tani është më për dreq. Tani e bëjnë vetë pronarët censurën! Dikur ishte pushteti direkt, tani kryeministri merr pronarët e mediave dhe këta të fundit ushtrojnë dhunim lirie ndaj gazetarëve të tyre.
Kjo është Qeveria që kemi! Kjo është media e kohëve digjitale.