Tenderin apo mandatin?

 
 
 
Partia Demokratike kërkoi dje zyrtarisht mbledhjen e Këshillit të Mandateve në Kuvend për heqjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste dhe nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj. Kërkesa e PD-së lidhet me një koncesion për ndërtimin e hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë, tenderi i së cilës rezulton se është fituar nga djali i deputetes, Arjen Leskaj. Sipas PD-së, koncesioni i dhënë djalit të deputetes Valentina Leksaj është i paligjshëm, pasi neni 21 dhe neni 24 i ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesit”, nuk i lejon familjarët e zyrtarëve që të lidhin kontrata apo nënkontrata me institucionet publike. Koncesioni është dhënë për 25 vjet dhe sipas PD-së, në këtë rast kemi të bëjmë me një influencim të deputetes për të favorizuar kompaninë e djalit të saj. Për këtë rast kryeministria ka reaguar dy herë. Fillimisht u tha se kompania që fitoi tenderin ishte e vetmja në garë dhe megjithë shpalljen publike, asnjë subjekt tjetër nuk kishte shfaqur interes. Ndërsa pas kërkesës për heqjen e mandatit nga PD-ja, faqja e qeverisë “Transparenca.al” sqaroi dje se ligji për zyrtarët nuk përfshin rastin e deputetes Leskaj.
“Baza mbi të cilën vepron ky ligj, përfshin të gjithë zyrtarët të cilët janë pjesë e vendimmarrjes së procedurave publike. Pretendimi për konfliktin e interesave për këtë procedurë nuk qëndron, pasi deputetja Valentina Leskaj nuk ka asnjë lloj lidhje në vendimmarrjen e procesit së dhënies me koncesion të hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë”,- thuhet në reagimin e djeshëm të qeverisë. Sigurisht, nënkryetarja e Kuvendit nuk është anëtare e bordit të vlerësimit të tenderave, por një koncesion 25-vjeçar që fitohet nga fëmija i saj ngre jo pak pikëpyetje. Pritet që Këshilli i Mandateve të Rregullores dhe Imuniteteve në Kuvend të vlerësojë nëse duhet shqyrtuar kërkesa e Partisë Demokratike apo jo. Me argumentin e dhënë dje nga qeveria, ku citohej se në rastin e Leskajt nuk kemi shkelje të ligjit, Këshilli i Mandateve mund të mos e marrë në shqyrtim një kërkesë të tillë. Në këtë rast pritet që opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të Kushtetutës. Dhe ky nuk është rasti i parë.
Në ditët e para të nëntorit Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për një rast të ngjashëm që ka të bëjë me deputetin socialist, Koço Kokëdhima. Në maj të vitit 2015, deputetët e PD-së kërkuan heqjen e mandatit të Kokëdhimës pasi, sipas tyre, rezulton se kompanitë e tij të biznesit kanë marrë fonde nga buxheti i shtetit. Kontratat janë lidhur pas kohës kur Kokëdhima ka marrë mandatin e deputetit, çka sipas interpretimit të ligjit, është një shkelje e hapur. “Supërdeputeti” e ka hedhur poshtë këtë akuzë duke e quajtur sulm politik. E ndërsa nuk dihet sesi do të vendosin gjyqtarët për rastin ‘Kokëdhima’, në gjirin e PS-së ka një precedent. Bëhet fjalë për ministrin aktual të Shëndetësisë, të cilit në vitin 2011 Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin për të njëjtat akuza që sot rëndojnë mbi Koço Kokëdhimën. Kompania e Beqjas mori 24 milionë lekë tendera nga Bashkia e Durrësit, gjatë kohës që ishte zgjedhur deputet i Kuvendit.
Në këtë rast, Gjykata vlerësoi se mandati i deputetit nuk mund të mbahej më duke shënuar dhe një precedent të ri në politikën shqiptare. Sigurisht, secili rast është specifik pasi Beqja ishte vetë administrator i kompanive, Kokëdhima pretendon se bizneset i ka deleguar te administratorë të tjerë, ndërsa në rastin e Leskajt, bëhet fjalë për një të afërm dhe jo për të direkt.
Por pavarësisht labirintheve ligjore ku kanë hyrë proceset, fakti shqetësues është sesi bizneset e tyre “lulëzojnë” vetëm pasi marrin pushtet politik, apo në pushtet janë qeveritë e partive ku ata militojnë. Edhe nëse letrat e tenderave janë në rregull, dyshimet për përfshirje indirekte janë të pashmangshme. Në fluksin e akuzave për korrupsion që po dalin përditë brenda radhëve të mazhorancës, ku gjithmonë ka tendera që fitohen nga njerëz me lidhje politike Gjykata Kushtetuese duhet të thotë fjalën e saj. Por cilit apo cilës Gjykata Kushtetuese do t’ia heqë mandatin e deputetit, siç veproi me Ilir Beqaj në mandatin e kaluar: Kokëdhimës apo Leskajt? Dihet se një mandat nga PS-ja e heq këtë rradhë Gjykata Kushtetuese. Po nuk dihet emri!
 
Në të vertetë që kemi një parlament nën nivelin mediokër të popullsisë kjo nuk ha diskutim, që kemi një parlament me biznesmenë që kanë miliarda edhe këtë e dijnë njërëzit e thjeshtë, por që ka deputetë që nuk e “ rruajnë” fare as për ligj e as për drejtësi këtë nuk e ka menduar njeri. Por ja që po ndodh , përditë!

SHKARKO APP