Tentativat e Qeverisë për të përçarë protestën e studentëve të Tiranës
Protesta madhështore e studentëve në Tiranë ka vijuar edhe në dje, në ditën e katërt të saj, para Ministrisë së Arsimit. Të rinjtë kanë treguar qytetari duke protestuar në mënyrë paqësore dhe duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për arsimin. Edhe dje nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit pasi disa tentativa për të negociuar me studentët, por qëndrimi i tyre ka qenë i vendosur. Të rinjtë nuk pranojnë të zhvillojnë asnjë negociatë, por kërkojnë plotësimin e të gjitha kushteve. Afati i fundit i vendosur për studentët është dita e martë. Në rast se qeveria nuk pranon, studentët kanë lënë të hapur mundësinë e futjes në greve urie dhe protesta do të kalojë në një përshkallëzim të rrezikshëm për qeverinë. Por mund të kthehet edhe në Demonstratë para zyrës së kryeministrit Rama.
Por veç tentativave për negocim dhe ngritje të grupeve të punës nga Ministria e Arsimit, më shqetësuese është përpjekja e pandershme e qeverisë për të përçarë studentët. Këto ditë në media dhe mes vetë studentëve është folur për përdorim politik të opozitës. Mediat afër qeverisë kanë nxituar të flasin për futje të duarve të opozitës në protestë. Cdo opozitë në shtet demokratik të njëjtën gjë do të bënte. Edhe nëse kjo do ishte vërtetë nuk do ishte fundi i botës, pasi opozita e ka detyrë të jetë në krah qoftë edhe të një qytetari që ankohet ndaj shtetit dhe qeverisë për padrejtësi. E vërteta është se nëse realisht ka një përpjekje për të futur duart në protestë është ajo e qeverisë “Rama”. Që nga dje kjo nuk është më hamendje, por një fakt i konfirmuar edhe nga vetë organizatorët e protestës së studentëve. Një incident që ndodhi dje e pasqyron më së miri atë që po bën qeveria në protestën e të rinjve. Paradite, një grup i banorëve që protestojnë kundër shembjes së Unazës së Re në Tiranë nga qeveria kërkoi që të bëhej pjesë e protestës dhe të mbështeste studentët. Mes tyre kishte jo vetëm burra dhe gra, por edhe studentë të Universitetit të Tiranës që jetojnë me familjen te Unaza e Re. Jo vetëm si banorë, por edhe si studentë të Unazës së Re ata kishin të drejtë të ishin në protestë. Në mënyrë të turpshme dhe antihumane, disa që e quanin veten “studentë” dolën nga protesta dhe i ndaluan. Argumenti i tyre ishte se “protesta e Unazës së Re është politike dhe nuk ka lidhje me kauzën e studentëve”. Fatmirësisht nuk ishin gjithë studentët, por vetëm tre apo katër djem që dolën kundër banorëve të Unazës së Re dhe realisht i fyen protestuesit që kanë dy muaj që nuk flenë, por protestojnë te “Astiri”. Banorët e Unazës ikën, por në opinionin publik mbeti shija e keqe e incidentit dhe një pyetje që kërkon përgjigje nga vetë studentët: Çfarë proteste është kjo ku ndalohet të protestosh? E pse qenka politike protesta e banorëve që po iu prishën shtëpitë e do të dalin në rrugë të madhe?! Organizatorët e protestës reaguan pas incidentit duke deklaruar se ata nuk kishin refuzuar banorët e unazës së re, përkundrazi i kanë ftuar në protestë që ditën e parë. Për shkak se protesta nuk ka organizatorë të qartë dhe struktura drejtimi, qeveria ka arritur të fusë elementët e saj brenda studentëve duke bërë që të krijohen keqkuptime të rrezikshme me qëllimet e saj. Bile qeveria po hedh gjithçka ndër radhët e studentëve që të përçahen dhe më pas të dalë e të thotë se “ja shikoni se ç’studentë janë!”. Kjo është lojë e poshtër e qeverisë. Mund ta bëjë me cilindo grup shoqëror në raste protestash, por kurrsesi me studentët, të cilët kanë aspirate engjëllore dhe janë të pafajshëm për gjithçka ndodh në këtë vend.
Siç rezultoi më vonë, ata pak “studentë” që fyen dhe nuk lejuan banorët e Unazës së Protestë, në fakt ishin anëtarë dhe drejtues të Forumit Rinor të Partisë Socialiste (FRESSH). Të njëjtë fytyra që u hakërreheshin banorëve kishin dalë në foto me ministrat e kabinetit “Rama” dhe në rrjet sociale betohen për bindja ndaj urdhrave të Partisë Socialiste dhe liderit Edi Rama. Kjo është prova e parë dhe më e qartë se qeveria po përpiqet të futet në protestën e studentëve dhe ndryshojë rrjedhën e saj. Kjo shpjegon edhe se përse në qëndrimet e tyre studentët janë paksa kaotikë dhe të pa vendosur se çfarë do të bëjnë me kërkesat e tyre. Kjo shpjegon edhe pse shpesh herë mes studentëve ka thirrje pa sens se “ne nuk jemi kundër Qeverisë, por kundër Ministrisë së Arsimit”, kur në fakt nëse flitet se ka dështuar reforma në arsim përgjegjësia duket kërkuar para Kryeministrit. Sepse edhe po të dojë Lindita Nikolla nuk ka çfarë u bën kërkesave të studentëve nëse më parë nuk vendos Edi Rama. Për shkak të këtyre ndërhyrjeve nga qeveria dhe të disa zërave që dalin mes protestuesve si “jo politikë”, protesta rrezikon të futet në rrugë qorre dhe pa kokë. Dje u faktua se segmente të FRESH, me urdhër të qeverisë, po kërkojnë të kontrollojnë protestën. Kjo do ta rrëzikojë kredibilitetin e protestës. Fatmirësisht dje studentët arritën ti dallojnë grevëthyesit dhe elementët e qeverisë që duan përçarjen e protestës dhe i denoncuan. Sot është dita e pestë e protestë dhe ata do të jenë sërish në shesh. Pavarësisht se janë të paorganizuar dhe pa liderë drejtues, media, opinioni dhe gjithë shoqëria është me studentët. Për sa kohë ata protestojnë kundër padrejtësive që u bëhen, Shqipëria është me ata. Por ato organizata rinore, shumë pak të njohura për publikun, që kanë marrë përsipër protestën duhet të ketë parasysh se që një tubim të kthehet në lëvizje mbarëkombëtare ka nevojë të mos jetë e mbyllur ndaj shoqërisë. Dhe aq më pak të lejojë që provokatorët të flasin në emër të saj. Nëse studentët kanë dalë në protestë vetëm për lekët e provimeve të mbartura duhet ta dinë se është shumë pak.
Shqipëria pret më shumë nga studentët dhe tani është koha ta tregojnë. Këta studentë që dalin në protest janë zëri, arësyja dhe motivi i një kombi. Ndaj, ndonëse janë të rinjë në moshë, por për barrën që kanë përsipër, jo vetëm për interesat e tyre jetike, ata janë shpirti i një shoqërie të re emancipuese që po lind në Shqipëri.
Kujdes nga provakatorët mes jush, studentë!