Teposhtja po e tërheq kryeministrin Rama si një “vrimë e zezë” universi
-Pyetja shtrohet; a do bjerë qeveria para Samitit të BE në Bullgari në maj 2018 apo në qershor 2021 me zgjedhje të rregullta parlamentare.
-“Uragani” Tahiri, që ra mbi kokën e kryeministrit, po shkatërron mazhorancën dhe PS-në. Tëposhtja po e tërheq si një “vrimë e zezë” universi, të cilën Edi kurrë nuk e ka mësuar as në shkollë e as në jetë!
Çdo politikan ka një fillim karriere dhe një fund të saj. Të gjithë e duan fundin sa më të lumtur, por janë shumë faktor që ndikojnë në përmbylljen e saj. Mbi të gjitha, përveç fatit, është puna e sejcilit politikan të nivelit të lartë se sa i zoti tregohet, sa shtetar është në vendimet e tij dhe sa bashkëpunues mbetet në raport me të vetët, por edhe me kundërshtarët.
Asnjë lider politik që ka fatet e vendit, për momentin, nuk dëshiron të ik para kohe, aq me tepër me fund të tmerrshëm apo të turpshëm. Deri tani kanë ikur Fatos Nano dhe Sali Berisha. Ky i fundit akoma është në politikë, porse për inerci vazhdon udhën drejt pensionimit politik. Ndërsa Fatos Nano e ka mbyllur epokën e tij, por për dreq akoma shikon endërra presidenciale, të cilat ia miklon djallëzisht Edi Rama, sa herë ka halle në PS apo në qeverisje. Por, siç thotë një analist në media se “më përpara bëhet gjyshja ime 93 vjeçare Presidente e Republikës se sa Fatos Nano”. Edhe ky Nano, pra, quhet kapitull i mbyllur.
Në skenë janë si aktor të fuqishëm për fatet e vendit; Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha. I pari është President dhe i takon të jetë mbi palët sa kohë që është në krye të shtetit për pesë vite. Më pas do jetë prapë faktor qeveribërës në politikë. Lulzim Basha, kryetar i PD-së është në periudhë stazhionimi me tendencë lidershipi drejtues për fatet e vendit. Por në skenën politike aktuale drejton kryeministri Rama, i cili këtë vit mbush 19 vite në politikë, duke filluar si ministër kulture e më pas kryebashkiak për tre mandate rrjesht dhe duke e mbyllur si kryeministër. Si ministër kulture shkëlqeu, ishte një risi në politikë. Si kryebashkiak bëri epokë, dhe si kryeministër po e mbyll me dosjen Tahiri mbi shpinë.
Kush e ndoqi parmbrëmë te emisioni i Eni Vasilit, kryeministri Rama ndonëse mundohej të dukej i qetë dhe vendimmarrës i dorës së fortë si ekzekutiv, kushdo që e njeh mirë kupton se ai ka filluar rënien e lirë. Ose në gjuhën popullore ka nisur tëposhtja e tij politike, pa ndalesë. Në dy vitet e para, të mandatit si kryeministër 2013-2017, Edi Rama e filloi me pasion dhe reforma. Ishte meritë e tij personale, por edhe partnerit bashkëqeverisës LSI, të Ilir Metës, i cili falë eksperiencës ekzekutive dhe politike, mundohej ta mbante në binarë kryeministrin Rama që të drejtonte me kujdes dhe në dobi të një integrimi të shpejtë në BE. Por në dy vitet e fundit 2016-2017 kryeministri Rama, ndikuar edhe nga egoja e tij e sëmurë për të patur gjithçka në dorë personalisht, por edhe nga gudulisja që i bënte ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, filloi pabesitë dhe intrigat kundrejt mikut-armik-partner, Ilir Metës. Këtu filloi, realisht, fillimi i fundit të Edi Ramës në politikë. E filloi me Ilir Metën, e pasoi me Ben Blushin dhe e mbylli me Koço Kokëdhimën luftën, pabesitë dhe intrigat. Dhe kudo shfaqej në këto kulisa ish-ministri i brendshëm, ose ministri fuqiplotë dhe “më i suksesshëm” i Edi Ramës, Saimir Tahiri. Ish-ministri bënte ligjin dhe të gjithë ministrat e shikonin si portretin e Ramës në lëvizje, regjistrim, spiunim dhe që do ishte kryetari i ardhshëm i PS-së, duke mposhtur edhe Erion Veliajn.
Kryeministri Rama u mundua ta largonte nga vetja ish-ministrin, parmbrëmë, te Eni Vasili. Ai tha se Tahiri nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PS, as në PS dhe se le të mbrohet vetë me avokatët e tij personal. Pra e hodhi, duke e mbrojtur, pasi ka frikë se çfarë kanë në dosje shërbimet e huaja. E mbron me marifet se ka hall se mos ish-ministri hap gojën dhe flet. Nëse kryeministri do të ishte i bindur se Saimir Tahiri nuk ka asnjë faj apo përzierje në bandën e Habilajve, nuk do të shprehej kurrsesi ashtu, bile do ta mbronte hapur siç darkonte me të kur ishte ministër dhe bënin plane se kujt tia fusnin dhe të digjnin në politikë.
“Uragani” Tahiri, që ra mbi kokën e kryeministrit, sapo ka filluar. Tëposhtja po e tërheq si një “vrimë e zezë universi”, të cilën Edi kurrë nuk e ka mësuar as në shkollë e as në jetë!
Tashmë kryeministri është në rënie të lirë. Pyetja shtrohet; a do bjerë para Samitit të BE në Bullgari në maj 2018 apo në qershor 2021 me zgjedhje të rregullta parlamentare.
Çdo fillim ka një fund!
Spiten Prulli