Tërhiqet Edi Rama,kryetari do votohet

 Nga Qamil Xhani

Partia Socialiste do të vendosë për çështjen e mandatit të kryetarit në kongresin e datës 19 mars. Më saktë në kongres do të votohet me votë të fshehtë nëse duhet të zgjidhet kryetari. Kështu la të kuptohet deputetja Gjylameti. Pas mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PS-së, deputetja Blerina Gjylameti lexoi një deklaratë të shkurtër, ku konfirmoi vendimin e marrë lidhur me mandatin e kreut të PS-së. “Edhe pse shumica dërrmuese ishte e mendimit se duhet të adoptojmë modelin e Partisë Laburiste, ku Kryeministri apo kryetari i mandatuar të mos vihet në peshë, vendosi që t’ia kalojë kongresit këtë vendimmarrje që të vendosë për Kryetarin e PS-së. Meqenëse kemi deputetë që thonë se prioritet është zgjedhja e Kryetarit të Partisë dhe jo mirëqeverisja, atëherë do jetë po kongresi që do të vendosë”, -tha Gjylameti.

Deklarata e deputetes Gjylamenti është një zhvillim i ri në debatin që prej gati një muaji zien në selinë rozë. Edhe pse foli Gjylameti, zyrtarisht Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama ka pranuar që çështja e mandatit të tij të diskutohet në forumin më të lartë të partisë, që është kongresi. Por duket se selia rozë ka bërë një hap para në drejtim të ruajtjes së harmonisë mes radhëve. Ky qëndrim i ri i kreut të PS-së i jep një rrjedhë tjetër debatit në selinë rozë. Prej gati një muaji, deputeti Ben Blushi ka kërkuar respektimin e statusit të partisë për zgjedhjen e kreut të PS-së. Përballë tij janë qëndrimet e mbajtura nga një pjesë e ministrave dhe drejtuesve të PS-së, që argumentojnë se nuk ka nevojë për zgjedhje, pasi partia është në pushtet dhe duhet të mendojë për reformat. Retorika për zgjedhjet në PS ka sjellë dhe replika dhe sulme personale ndaj Blushit dhe anasjelltas. Një situatë e tillë në Partinë Socialiste duket si rikthim i sherrnajave të dikurshme dhe për shumë drejtues të PS-së debate të tilla dëmtojnë qeverisjen, por sjellin dhe krisje në parti.

Kur përplasja ka arritur në pikën kritike Edi Rama ka zgjedhur një rrugë të mesme. As i jep të drejtë Blushit, por as e kundërshton plotësisht thelbin e atyre që ai kërkon për respektimin e rregullave në PS. Rama dje ka lënë hapur një mundësi për të testuar qëndrimet e Blushit mes delegatëve të kongresit të partisë. Siç duket çështja e mandatit të kryetarit do të hidhet për votim në kongresin e partisë. Në këtë rast do të shihet nëse delegatët mendojnë se mandati i kryetarit do të jetë sipas sistemit laburist, ku kur fitohen zgjedhjet parlamentare dhe lokale nuk ka nevojë për zgjedhje në parti, apo varianti i Blushit për zgjedhje të kryetarit pavarësisht nëse është fitues apo humbës në një betejë politike. Blushi kërkon të shkohet me parimin “një anëtar-një vote” për zgjedhjen e kryetarit, por kongresi mbetet fuqiplotë për të vendosur. Asnjë nuk mund të dalë mbi kongresin. Duket se në kongres do të ketë hapësirë për votimin, së pari, të platformës së Blushit, që në një farë mënyre është një shenjë kompromisi.

Një zhvillim i tillë i debatit në PS nuk mund të thuhet se është më perfekti, por ama parimisht duhet t’i lërë të dyja palët të kënaqura. Blushit i jepet një mundësi për të testuar radhët e mbështetësve të ideve të tija në PS, ndërsa Rama shkon si një Kryetar partie që është gati të pranojë dhe sfidë në kongres. Mbi të gjitha, lëvizja e Ramës i jep një vlerë tjetër drejtimit të partisë. I akuzuar si njeriu që nuk pranon rivalë dhe si një drejtues që nuk është pro garës, dje tregoi se dëgjon zërin e arsyes dhe lejon demokracinë e brendshme në parti, ndonëse prapë mbetet të shikojmë ditët në vazhdim. Nga ana tjetër edhe Blushi nuk mund të radhitet tek humbësit. I dha PS-së një vlerë që dukej se ishte larguar prej vitesh, mendimin ndryshe. Blushi është një ikonë e PS-së, e cila nuk mund të hidhet. Dje Ben Blushi paraqiti në grupin parlamentar një dokument me 14 shkelje në statutin e Partisë Socialiste dhe Kushtetutën e vendit gjatë viteve të fundit. Janë një listë e gjatë problemesh që meritojnë të trajtohen me seriozitet nga gjithë strukturat e PS-së dhe kongresi duhet të thotë fjalën e vetë edhe për këto çështje. Duket se Blushi nuk do të hedhë hapa pas në sulmet e tij edhe pas tërheqjes së Edi Ramës dje, i cili duket se pranoi formulën e votimit në kongres të emrit të kryetarit. Indirekt e pranoi. Por Blushi ka një të drejtë shtesë se delegatët e kongresit duhet të zgjidhen nga konferencat e PS-së nëpër rrethe e jo të caktohen, siç përmend Blushi. Kjo mbetet për t’u hetuar nëse delegatët po zgjidhen siç akuzon konkurrenti Blushi, pra që po listohen nga Kokëdhima. Nëse është kështu, atëherë, kongresi ka mbaruar votimin pa shkuar në sallën e kongresit!

Gjithsesi një hap pajtimi u hodh nga Edi Rama. Në fund të fundit është kongresi që vendos. Sigurisht, jo çdo gjë zgjidhet me një kongres. PS-ja po shkon drejt vitit të fundit të qeverisjes e bashkë me çështjen e kryetarit duhet të bëjë dhe bilancin paraprak të qeverisjes së saj. Bilanci dhe reformat janë problemet më të rëndësishme. Pa harruar edhe ndryshimet drastike në qeveri, të cilat nuk presin më. Sa më shumë vonon Rama si Kryeministër për të operuar fort në qeverisjen e PS-së, aq më pak vota merr kur të përballet, edhe pa LSI-në, në zgjedhjet parlamentare.

SHKARKO APP