Terror në Tiranë

Kryeqyteti është tronditur orët e para të mëngjesit të djeshëm nga tre shpërthime me eksplozivë. Biznesi i babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, banesa e ish-shefit të komisariatit Nr. 3 në Tiranë, sot shef i krimeve në Korçë, Alfred Numani dhe një sasi tritoli e gjetur në zonën e kryqëzimit të rrugëve “Myslim Shyri” dhe “Muhamet Gjollesha”, ishin tre objektivat në qendër të një sulmi që ngjan si një akt i pastër terrorist. Shpërthimi i parë në biznesin e Bashkim Tahirit, një farmaci afër spitalit “Nënë Tereza” ka ndodhur rreth orës 02:55 minuta në Tiranë. Shpërthimi i dytë, në bazën e punonjësit të lartë të policisë ka ndodhur rreth orës 03:50 minuta. Rreth orës 06:00, policia është sinjalizuar për gjetjen e një sasie tritoli në rrugën në afërsi të një stacioni autobusi te “Myslym Shyri”. Policia arriti të eliminojë lëndën plasëse me shpërthim të kontrolluar. Të tre atentatet duket se kanë lidhje me njëri-tjetrin. Dy të parët kanë pasur objektiv të qartë ndaj të afërmve të drejtuesve të ministrisë së Brendshme. Ndërsa eksplozivi i tretë, duket se ka pasur synime të qarta terrorizmi. Zyrtarisht, thuhet se u gjet në afërsi të stacionit të autobusit, çka nëse do të kishte shpërthyer, do të kishte sjellë viktima. Por objektivi i sulmit mund të kenë qenë dhe të tjerë, pasi në të njëjtën rrugë ndodhet banesa e babait të ministrit Tahiri, por po në të njëtën zonë janë dhe banesa të të afërmve të kryeministrit Edi Rama, vëllait dhe nënës së tij.Pra dora e krimit ishte përgatitur për më të keqen.

Ngjarjet janë klasifikuar si terrorizëm dhe nga Prokuroria për Krime të Rënda. Prokuroria tha se të tre ngjarjet po hetohen së bashku. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka takuar dje Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi. Gjithë shteti është vënë në alarm. Në historinë e Shqipërisë ky është një nga sulmet dhe kërcënimet më të rënda që u bëhet drejtuesve të lartë të shtetit. Atentatet me tritol nuk janë një krim i pandodhur më parë në Shqipëri. Por objektivi dhe përmasa e terrorit që autorët kanë dashur të mbjellin në vend, në këtë rast i kalon kufijtë e të imagjinueshmes. Shpërthimet me tritol ishin mesazhe që krimi i organizuar nuk i ka dërguar vetëm ndaj drejtuesve të shtetit, por edhe popullsisë. Kur sulmohet babai i ministrit të Brenshëm, shefi i policisë dhe të afërm të tjerë të drejtuesve të qeverisë, nuk mund të flitet më për krim ordiner. Në këtë rast krimi i ka shpallur në mënyrë të hapur dhe brutale luftë shtetit. Këtu nuk mund të flitet më për banda rivale, apo për grupe kriminale. Detajet e operacioneve të djeshme, teknika e shpërthimeve të përdorura dhe koordinimi në kohë i tyre për të shpërqendruar policinë, tregojnë se përballë shtetit gjendet një organizatë kriminale që po e sfidon atë. Informacionet tregojnë se ajo gjendet në Tiranë, e strehuar jo në një bazë si dikur njesitet guerile, porse e organizuar në dy ose tre pika, ku për njërën thuhet se ka informacione të besueshme se është vënë nën shennjestër nga forcat antiterror e po survejohet për të gjetur lidhjet e tjera të krimit.Tek stacioni “Myslim Shyri” një kamer regjistrimi tjetër ka rregjistruar disa persona, ndër to një djalë të ri, që duket se ka vënë eksplozivin. Puna është intensive nga segmentet antiterror, porse mësohet se dy persona të infiltruar nga policia në rradhët e krimit për nevoja të Policisë së Shtetit ka dhënë një emër, i cili është vënë nën survejim.

Krimi dhe terrorizmi ka dhënë edhe një mesazh tjetër, duke kërcënuar jetën e gjithë banorëve. Bomba e gjetur në një nga rrugët me më shumë lëvizje në Tiranë ka pasur dhe mesazhin se askush nuk është i sigurt. Askush nuk është i sigurt në banesën e tij, nuk e ka pronën të sigurt dhe nuk është i sigurt kur shkon në punë me urban, apo kur ecën thjesht si kalimtar në rrugë. Efekti i parë i terrorizmit është paniku. Tirana dje ishte një qytet që kishte frikë. Sepse kur goditen të afërmit e zyrtarëve të lartë, të cilët për njerëzit e zakonshëm shihen si “të paprekshëm”, kuptohet se krimi e terrorizmi nuk ka limite dhe mund të jetë kërcënim për këdo. Sulmet kishin si qëllim terrorin dhe duket se e arritën këtë gjë. Tashmë mbetet të shihet se cila është përgjigjia e shtetit. Është shpejt të flitet për autorët, ndonëse një emër është piketuar, por motivet janë të padiskutueshme. Sulmet me tritol janë një përgjigje e krimit të organizuar ndaj masave që ka marrë mazhoranca aktuale dhe konkretisht, ministri i Brendshëm kundër trafikut të drogës dhe goditjes së disa linjave kryesore të narko-trafikut në vend.  Sulmet ishin kërcënim për ministrin e Brendshëm, si njeriu i vetëm që ka guxuar të godasë si asnjë ministër më parë bandat kriminale, por edhe një mesazh për qeverinë . Edhe për Kryeministrin. 

Që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Shërbimit Informativ Kombëtar janë duke hetuar për zbardhjen e ngjarjeve. Policia ka shoqëruar 15 persona që dyshohet se mund të kenë informacion për ngjarjen. Një video e kamerave afër biznesit të babait të Tahirit ka filmuar momentin e vendosjes së bombës nga një person i maskuar me kapuç në kokë. Hetimet janë vetëm në fillimet e tyre dhe pritet të nxjerrin detaje interesante për porositësit e atentatit dhe personat që vendosën bombat. Por burime policore shprehen në koifidencë se ka edhe një kamer e një biznesi tjetër privat që ka fiksuar dy persona në atë orë që ka ndodhur shperthimi i parë, të cilët janë parë të dalin nga një rrugë anësore ku ka ndodhur ngjarja. Janë sekuestruar gjithë kasetat filmike të zonës  ku ndodhën shperthimet ,një orë para dhe deri në 30 minuta pas ngjarjes, e po shikohen në monitorë të mëdhënjë në zyrat e hetimit për të regjistruar fytyrat e njërëzve që kanë kaluar në këtë orar, pasi lëvizjet nuk kanë qenë të shumta.

Nga mbrëmë sherbimet policore dhe sherbimet e fshehta janë vënë në gjendje gadishmerie maksimale, duke organizuar punën që në çdo pikë të rëndësishme të ketë punonjës të shtetit, ndërkohë janë vënë nën përgjim personat e dyshuar.

Dje, krimi e dha efektin e panikut. Pritet reagimi i fortë i Shtetit.

 

SHKARKO APP