Terroristë në Shqipëri, prokurorë nga Amerika

 i cili ka deklaruar se qëllimi i masave është dhënia e asistencës ligjore për vendet e Ballkanit për të luftuar me efikasitet terrorizmin. Mediat në SHBA shkruajnë se ekspertë ligjorë do të vendosen në çdo shtet të Ballkanit. Shqipëria nga ana e SHBA-ve konsiderohet si një pikë strategjike, pasi sipas mediave, në Tiranë pritet të ngrihet një zyrë e veçantë, e cila do të shërbejë si pikë koordinimi për vendet e gjithë rajonit. Kjo zyrë e drejtuar nga ekspertët amerikanë të antiterrorizmit, pritet që t’u bashkangjitet ekipeve që ndodhen prej kohësh në Tiranë dhe janë të fokusuar në çështjet që lidhen me rreziqet e terrozimit. “Departamenti i Drejtësisë ka vendosur të dërgojë disa prokurorë federalë dhe këshilltarë të lartë policorë në rajone kyçe si Ballkani, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, për të punuar me autoritetet e këtyre vendeve, në përpjekje për të rritur aftësitë e tyre për të hetuar dhe ndjekur luftëtarët terroristë. Këshilltarët e Departamentit të Drejtësisë ndodhen tashmë në katër vende të Ballkanit dhe shpejt do të dërgojmë atje edhe këshilltarë rajonalë për kundërterrorizmin”, – ka deklaruar Erik Holder. Sipas mediave amerikane, janë rreth 70 ekspertë të ligjeve dhe luftës kundër terroristëve të cilët do të vendosen në Shqipëri, Bosnjë, Kroaci, Kosovë, Serbi, Afrikën e Veriut, dhe Lindjen e Mesme. Qëllimi kryesor i tyre është ndihma ndaj autoriteteve vendase dhe koordinimi i veprimeve kundër terrorizmit më organizatat e sigurisë së vendeve përkatëse, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Veç aspektit këshillues, ata do të punojnë me ekipet vendase dhe për të përmirësuar bazën ligjore. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, problematika në mjaft vende lidhet me mungesën e bazës ligjore për trajtimin e personave që kthehen nga konfliktet ku janë përfshirë organizatat terroriste, siç është rasti i Sirisë.

Shqipëria është përfshirë në hartën e vendeve nga ku eksplorohen luftëtarë drejt Sirisë, të cilët janë rreshtuar në radhët e të ashtuquajturit Shteti Islamik. Sipas raporteve ndërkombëtare, janë rreth 150 qytetarë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia që janë bërë pjesë e grupimit ekstremist të Shtetit Islamik. Kjo ka bërë që autoritetet shqiptare të vihen në lëvizje për të shkatërruar bazat e mundshme të rekrutimit të këtyre individëve. Edhe mbrëmë, policia sekuestroi armë për në Siri nga Shijaku, si dhe një numër personash.

Por beteja ndaj terrorizmit është globale, ndaj për të frenuar indoktrinimin dhe financimin e qytetarëve shqiptarë për në Siri duhet edhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë. Hetimet e Prokurorisë shqiptare kanë nxjerrë se rekrutimi i shqiptarëve në organizata terroriste mundësohet nga disa organizata dhe fondacione, të cilat në dukje funksionojnë si organizata bamirësie fetare. Njoftimi i bërë nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve duket se është paraprirë dhe nga vizita që Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla zhvilloi në fund të muajit tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimet që Llalla zhvilloi në Uashington, ai u takua dhe me drejtues të lartë të Këshillit për Antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit. Llalla ka marrë garanci dhe mbështetjen amerikane për goditjen e personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve për dërgimin në konflikte të armatosura.

Rreziku për vendet e BE-së dhe SHBA-të lidhet me kthimin e luftëtarëve që kanë qenë pjesë e konflikteve. Pas kthimit në vendin e origjinës ata paraqesin një rrezik potencial, pasi mund të udhëtojnë lirisht drejt vendeve perëndimore, duke pasur si synim dhe kryerjen e akteve terroriste. Qeveria shqiptare miratoi disa kohë më parë ligjin për dënimin e personave që marrin pjesë në konflikte të armatosura. Ligji është përshtatur sipas legjislacionit të vendeve të Bashkimit Europian dhe parashikon masa të ashpra për personat që janë pjesë e grupimeve terroriste dhe kanë kryer krime në vende të huaja. Por sfida më e madhe mbetet identifikimi i personave dhe izolimi i tyre pas kthimit në Shqipëri. Ekspertët e drejtësisë amerikane pritet të fokusohen në këtë drejtim, duke i ndihmuar autoritetet shqiptare jo vetëm në parandalimin e mercenarëve, por edhe në shmangien e akteve terroriste nga ata që kthehen në Tiranë. Janë nën vëzhgim të pandërprerë një xhami në qendër të Tiranës, një në periferi, një në Elbasan, një tjetër në një fshat të Kavajës dhe dy të tjera në zonën e Fierit, pasi ka të dhëna se elementë terroristë nën petkun e besimtarëve, po organizohen për akte terroriste.

 

Armë Sirisë nga Shijaku, sekuestrohet arsenal armësh luftarake, 8 në pranga

Shkatërrohet një grup i trafikimit të armëve në Shijak

Forcat e policisë, gjatë një operacioni të realizuar mbrëmjen e djeshme kanë sekuestruar një arsenal armësh luftarake, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin drejt Sirisë. Në pranga kanë rënë 8 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, tha se forcat e policisë kanë shpallur në kërkim katër shtetas të tjerë, si bashkëpunëtorë të të arrestuarve në veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve dhe municioneve. Sipas Çipës, hetimi dhe goditja e këtij grupi kriminal është bërë duke aplikuar metodat e specializuara të hetimit. Nga të dhënat e administruara, ky grup kriminal dyshohet se mund të ketë trafikuar armë dhe municione luftarake me destinacion final Sirinë. “Aktualisht po punohet me Prokurorinë për Krime të Rënda për hetimin e mëtejshëm të veprimtarisë kriminale të këtij grupi kriminal për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve”,-përfundoi Ardian Çipa.

Të arrestuarit

1.Sami Mema, 44 vjeç, banues në Shijak

2.Artan Aruçi, 44 vjeç, banues në Shijak
3.Alban Mançja, 29 vjeç, banues në Durrës
4.Hergi Buli, 18 vjeç, banues në Shijak
5.Festim Mema, 19 vjeç ,banues në Shijak
6.Shkëlqim Varaku, 44 vjeç, banues në Shijak
7.Çlirim Xhaja, 39 vjeç, banues në Tiranë
8.Ervin Xhaja, 28 vjeç, banues në Tiranë

Armët dhe municionet e sekuestruara

6 armë zjarri automatike tip kallashnikov

1 pistoletë TT
3 pistoleta tip miniblou
1 automatik tip skorpions me silenciator
5 granata
2 armë gjahu tip shotgan, si dhe një sasi e konsiderueshme fitili zjarrpërcjellës dhe municione

 

 

SHKARKO APP