Test droge dhe shenjat e gishtave për politikanët

 
 
Në kohën kur flitet më shumë se kurrë për procesin e dekriminalizimit të administratës, Partia Demokratike ka sfiduar mazhorancën. Selia blu ka dorëzuar dje në Kuvend një nismë për procesin e pastrimit të administratës dhe politikës nga personat me precedentë penalë. Dokumenti prej 10 faqesh ku pasqyrohet mënyra sesi do të verifikohen personat e dyshuar në administratë ka dy elementë që janë më pikantët. I pari ka të bëjë me përdorimin e substancave narkotike. Kërkesa e PD-së bëhet për të verifikuar integritetin e zyrtarëve të lartë, duke nisur nga deputetët dhe gjithë struktura drejtuese në vend. “Në kuadër të integritetit dhe etikës së lartë të figurës dhe sjelljes së deputetit apo zyrtareve të tjerë të lartë, propozohet kryerja e testeve përkatëse në lidhje me përdorimin e substancave narkotike prej tyre”, – thuhet në dokumentin e PD-së. Kërkesa e opozitës edhe pse duket risi, në fakt lidhet me një akuzë të hershme publike që deputetët të PD-së kanë bërë ndaj mazhorancës të cilët i ka akuzuar për përdorues droge. 
Kërkesa e dytë e Partisë Demokratike ka të bëjë me verifikimin e shenjave të gishtërinjve për të gjithë zyrtarët e dyshuar. Shenjat e gishtave cilësohen si një e dhënë që nuk mund të falsifikohet. Më këtë lëvizje, PD-ja pritet të kërkojë zbatimin e kësaj pike për rastet kur zyrtarët kanë ndryshuar emrat apo të dhënat e tjera dhe problemet që kanë pasur me drejtësinë nuk u dalin në regjistrat e gjykatave apo të Prokurorisë. Dokumenti i PD-së kërkon që të dorëzojnë mandatin, pas hyrjes në fuqi të ligjit, të gjithë deputetët që rezultojnë se kanë probleme me drejtësinë. Po ashtu, efekti i ligjit do të shtrihet edhe tek kandidatët për deputetë që janë në listat shumëemërore të vitit 2013, si edhe në listat e anëtarëve të Këshillave Bashkiakë që u zgjodhën në zgjedhjet e 21 qershorit. Dhe këtu PD ka shumë të drejtë. Duhet të gjithë , pa përjashtim, të kalojnë nën filtrin e testit të shenjave të gishtërinjëve.
Dokumenti i PD-së rezulton të jetë përpjekja më serioze e bërë deri më sot nga një forcë politike për të shmangur nga pushteti njerëzit me precedentë penalë. Problemi qëndron nëse do të jetë në gjendje Partia Socialiste dhe vetë Partia Demokratike për të vënë në zbatim një dokument të tillë. Kryeministri Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se mazhoranca do të paraqesë dokumentin e saj në shtator për dekriminalizmin, duke theksuar se mes mazhorancës nuk ka persona me precedentë penalë. Në këtë mënyrë, në shtator do të ketë një përballje platformash mes PS-së dhe PD-së, ku secila do të mbrojë variantin e saj më të mirë. Nga ana tjetër, gjesti i PD-së me prezantimin e një dokumenti nuk mjafton. Në zgjedhjet vendore, PD-ja hoqi nga gara një kandidat me të kaluar të dyshimtë në Këlcyrë, por nga ana tjetër ka akuza publike për deputetë të saj në grupin parlamentar që kanë probleme me drejtësinë. Basha prezantoi dje një nismë, por a është në gjendje të largojë disa emra të përfolur në grupin parlamentar? Nga mënyra sesi është paraqitur platforma, mund të sjellë dhe probleme të tjera brenda Partisë Demokratike. Disa ish-ministra të PD-së janë paditur nga pasardhësit e tyre në detyrë për abuzime. Por edhe pse çështjet janë mbyllur apo janë drejt mbylljes, sërish kemi të bëjmë me raste kur cënohet figura e zyrtarit të lartë. A nuk duhet të ishin përfshirë edhe këta zyrtarë në pjesën e efekteve të ligjit? Sepse një deputet apo drejtor që dikur ka trafikuar hashash, nuk është më shumë i  dëmshëm, sesa një ish-ministër që ka vjedhur miliona nga buxheti i shtetit. Të dy janë njëlloj ! Dhe duhen penalizuar.
 
Së fundi, dokumenti do të kalojë për votim edhe në Kuvend. A do ta votojnë deputetët që janë “kriminelë” siç thonë PD e PS për njera tjetrën?!

SHKARKO APP