Na trego emrat e politikanëve kriminelë!
Ngjarjet e fundit në Lushnjë dhe në Elbasan, si dhe deklaratat e ambasadorit Amerikan Donald Lu për klanet kriminale kanë hapur debatin publik për krimin e organizuar në Shqipëri. Media dhe një pjesë e politikës po denoncojnë emra të dyshuarish si dhe lidhjet hipotetike me politikën. Por përsa kohë që politika përfshihet në debat është rreziku që çështja të mbyllet me akuza dhe kundërakuza, apo dhe humor parlamentar. Një marifet dinak i politikës për ta kthyer në batuta dhe humor akuzën më të rëndë për një pushtet dhe politikë (majtas-djathtas) që ka lidhje me kupolën e krimit. Bile edhe më keq, ku krimi dikton politikën.
Kreu i PD-së Luzlim Basha ka bërë të shtunën një kërkesë të veçantë për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donal Lu. Në komunikimin me gazetarët, Basha ka vlerësuar qëndrimin e ambasadorit ku foli hapur për 4 klanet dhe 20 familjet mafioze. Basha ka kërkuar që denoncimi i diplomatit të SHBA të shkojë edhe më tej. Ai tha se këto familje kriminale dhe klane mafioze kanë mbështetje të fortë politike. Ndaj insistoi që ambasadori të denoncojë me emra politikanë që i mbështesin këto rrjete kriminale, pasi drejtësia nuk po bën asgjë. “Komuniteti ndërkombëtar ka hedhur një hap në këtë drejtim, ka folur për 20 familje mafioze, për 4 klane mafioze, ka folur për mafie, jo thjeshtë për krim të organizuar, për një shkallë më të lartë të organizimit, për mbështetjen politike që iu jepet këtyre familjeve. Është e pamjaftueshme kjo. Komuniteti ndërkombëtar, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar tani duhet të përmendin me emra politikanët e lidhur me këto klane kriminale, me këto familje kriminale”,– deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Kërkesë e drejtë e Lulzim Bashës, por kjo kërkesë është paksa e pazakontë. Në një shtet normal duhet të ishin institucionet shqiptare ato që do kishin vepruar me kohë. Nuk do ishte e nevojshme që të flisnin ndërkombëtarët, por vetë institucionet që janë gardianët e shtetit, të kishin identifikuar dhe goditur këto grupe kriminale. Natyrisht dhe politikanët e qeveritarët te lidhur me grupet mafioze. Kjo gjë nuk ka ndodhur për shumë arsye. Sot jemi në situatën kur Shqipëria përshkruhet në median ndërkombëtare dhe raportet e vendeve të BE ndër shtetet kryesore për prodhimin e drogës, trafiqeve dhe krimit të organizuar të lidhur fort më politikën. Nuk ka se ç’thuhet me tepër për një shtet në mes të Europës. MAFIA DIKTON POLITIKEN.
Dy javë pasi ambasadori i SHBA ka bërë një deklaratë të paprecedentë për krimin në Shqipëri, sërish situata nuk ka ndryshuar. Ndërkohë që akuzat e opozitës apo dhe raportimet e medias merren gjithmonë si të njëanshme, është koha që ndërkombëtarët të bëjnë dhe aktin e radhës. Këtë herë të denoncojnë publikisht me emra, klanet mafioze dhe politikanët që i mbështesin ata. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërhyrë në një situatë ku institucionet shqiptare janë të paafta të veprojnë sepse politika e përdor gjithmonë në favor të saj. Politika e ditës e përdor këtë deklaratë sikur Donald Lu e ka thënë për palën tjetër, thotë sejcila palë. Por krimi është ulur në mes të politikës.
Për nga mënyra sesi funksionon krimi i organizuar dhe familjet kriminale, dihet se kanë gjithmonë një pikë mbështetëse në politikë. Edhe nëse arrestohen kriminelët, nëse nuk goditet përkrahja politike është e kotë të thuhet se u fitua beteja me krimin. Goditja e mafies, që ambasadorët thonë se vepron në Shqipëri, duhet të nis nga politika dhe mbështetja për zyrtarët e inkriminuar të shtetit. Ndaj dhe Ambasadori i SHBA, si diplomati që ka pasur misionin më të vështirë në Shqipëri, duhet të hedh edhe këtë hap. Të flas me emra për bandat dhe kriminelët që i mbështesin ata në politikë, kuvend apo çdo segment të shtetit. Të thotë emrat e qeveritarëve dhe politikanëve që kanë lidhje me krimin.
Për sa kohë që emrat e familjeve mafioze dhe politikanëve të lidhur me ta, i kanë selitë diplomatike, është koha që t’i dinë edhe qytetarët shqiptarët. Denoncimi me emra është akti i parë i shkatërrimit të mafies politike. Shërbimet partnere i kanë me emra, me biseda telefonike, video, dokumenta, etj se cilët zyrtarë apo deputetë janë në bashkëpunim e bashkëveprim me krimin e organizuar.
Thoni emrat e politikanëve, zoti ambasador! Dhe do të shpëtosh shtetin shqiptar.
S.P.