T’i mbyllim brenda Ramën dhe Bashën !

“Jemi të acaruar dhe të lodhur me udhëheqësit e Shqipërisë”. Kështu e nisi dje deklaratën për media Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, teksa shprehte qëndrimin për fatin e reformës në drejtësi. Në një nga reagimet më të ashpra të kohëve të fundit, diplomati amerikan u kujdes të jepte mesazhe pa nënkuptime ndaj kryetarëve të dy forcave kryesore politike. Së pari, kritikoi Bashën, kur tha se propozimi i fundit që ka dërguar për gjetjen e konsensusit, ishte i papranueshëm për SHBA. Por jo vetëm kaq, i kujtoi se “Basha ka thyer zotimin e tij ndaj Victoria Nuland”. Presion i hapur dhe pa dorashka.

Pas shuplakës për kreun e PD-së ishte radha e Kryeministrit Edi Rama që të merrte një goditje publike nga Ambasada e SHBA-ve. Kryeministri deklaroi dy ditë më parë se hiqte dorë nga negociata. Për Ramën PD-ja tashmë duhet të negocionte me SHBA dhe BE për detajet e reformës në drejtësi. Por në këtë pikë, Lu ishte më i qartë se herët e tjera. Sipas tij, Ambasadori nuk mund të merrte përsipër këtë detyrë.

 “Z. Rama njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA. Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë”,- tha Ambasadori. E thënë thjeshtë, Ambasadori i SHBA nuk do bëjë punën që i takon të bëjë Rama, si Kryeministri i një vendi dhe si drejtues i forcës kryesore që ka marrë përsipër reformën në drejtësi dhe që duhet të përgjigjet për rolin e tij.

Në këtë situatë ku e kanë futur reformën të dyja kampet kryesore PS dhe PD, u takon atyre të marrin përsipër kostot e dështimit, apo meritat e suksesit. Dhe për këtë çështje, Lu tha dje edhe formulën që sesi duhet të arrihet konsensusi. Një formulë që kishte brenda saj edhe kërcënimin e ndërkombëtarëve, si për Ramën ashtu edhe për Bashën.

Ajo që propozon Lu është e thjeshtë. Nga dita e hënë, Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha duhet të nisin negociatat. Por nuk do të jenë negociata sa për sy e faqje. Të dy kryetarët do të mbyllen në një dhomë dhe do të dalin prej tyre vetëm kur të jetë arritur konsensusi. “Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë”,- tha diplomati Lu.

 Në fakt mirë ua bën ambasadori amerikan, pasi të dyja palët kanë gjynahe ndaj popullit, sepse nëse do të ishin të pastër dhe të punonin për popullin me pasion, përgjigja ndaj ambasadorit të huaj do të ishte një  shpallje “person non grata” për 24 orë. Por përderisa politika shqiptare është e përlyer, e pisët dhe e kapur nga krimi në këtë rast ka të drejtë zoti Lu. Ndryshe, nëse Rama dhe Basha do të politikanë pa cene do të jepnin tjetër përgjigje. Sovranitetin kombëtar e kemi humbur qëkur kemi zgjedhur kryeministër Ramën dhe lider opozite Bashën ! Nuk na e ka fajin Lu.

E thënë thjeshtë, Ambasada e SHBA kërkoi dje ngujimin e Ramës dhe Bashës derisa të arrijnë konsensus. Një formulë e tillë negociatash përdoret vetëm në rastet e konflikteve ekstremeve, ku palët detyrohen me forcë që të gjejnë konsensus, në të kundërt mosdakordësia rrezikon çdo gjë. Në këtë rast, ndërkombëtarët kanë vlerësuar se është e kotë të lodhen me vajte- ardhje sa të zyra e Bashës, tek zyra e Ramës. E vetmja mënyrë që do ta bënte reformën të votueshme në Kuvend është që Rama dhe Basha të bien dakord. Në një farë mënyrë, Lu e ka lënë topin e përgjegjësive në dorë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës duke shmangur dhe spekulimet mbi rolin rolin e ndërkombëtarëve. Në fund cilido qoftë produkti që do të nxjerrë reforma në drejtësi, faji do kërkohet tek Rama dhe të Basha. Qëndrimi i ashpër i Lu erdhi pas një sërë deklaratash të bëra dje nga kreu i opozitës dhe kryeministri, të cilat në vend të konsensusit e futën dhe më tej reformën në qorrsokak.

Ajo që bije në sy në zhvillimet e djeshme është se qëndrimi i Ambasadorit të SHBA-ve është në të njëjtën linjë me Kryetarin e Kuvendit dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta. Pak orë para se Ambasadori të njoftonte “ngujimin” Basha-Rama, kreu i Kuvendit deklaroi se e vetmja rrugë për miratimin e reformës është “komunikimi konstruktiv dhe pa paragjykime në çdo nivel, përfshirë edhe një takim mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Opozitës”. Tashmë të gjitha palët janë kthyer në këtë pikë. Deri të enjten e ardhme do të shfytëzojnë çdo hapësirë për konsensus.

Por duket se me shumë i pëlqen Ramës mbyllja në një “dhomë” me Bashën, pasi po të ishte Berisha do të ishte ndryshe, sepse Saliu ka dorë me të fortë se sa Edi.

Mbetet të shikojmë se çfarë do të na lind çifti Basha-Rama të hënën deri të enjten. Një lloj “ndërzimi” me forcë quhet ky, porse të presim !

Spiten Prulli

SHKARKO APP