Tirana drejt BE apo drejt Beogradit?
Kryeministrat e gjashtë vendeve të rajonit, që nuk janë pjesë e BE, u mblodhën dje në Durrës një takim jozyrtar (informal) për të diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë, porse në thelb takimi ishte një thirrje drejtuar BE për ti pranuar në bllok. Takimi vjen pas Samitit të Triestes mes drejtuesve të rajonit dhe zyrtarëve të BE ku është diskutuar për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Mikpritës i takimit ishte kryeministri Edi Rama, i cili kishte ftuar në Tiranë për t’i dhënë mbështetjen e Brukselit këtij aktiviteti, komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn.
Si temë kryesore e bisedimeve ka qenë çështja e krijimit të Zonën Ekonomike Rajonale. Bëhet fjalë për ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal ku do të bëjnë pjesë; Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Ideja e tregut ballkanik sot hidhet në media si një risi e muajve të fundit. Në fakt, tregu i përbashkët i Ballkanit është kërkuar për herë të parë nga Serbia dhe ish-kryeministri serb, sot President, Aleksandër Vuçiç dhe përkrahur më pas nga Edi Rama dhe kryeministra të tjerë të rajonit. Kosova dhe kryeministri i saj në detyrë, Isa Mustafa fillimisht kanë qenë kundër një projekti të tillë, të paktën në mënyrë si është prezantuar ai. Në thelb kjo është një ide e vjetër që nga viti 2000.
Për këtë projekt rajonal ka shumë mendime pro dhe kundër, por aspak informacion zyrtar sesi do të funksionojë dhe cili është qëllimi final. Në rast të bashkimit të ekonomive, heqjes së doganave dhe një sërë procedurash të tjera që afrojnë kapitalet e vendeve, rezulton se ekonomia serbe do të jetë dominuesja në rajon. Për shkak të kapitaleve ekonomike, industrisë, burimeve njerëzore dhe mbi të gjitha mbështetjes që ka në vendet kryesore të BE dhe Rusi, ky projekt shihet një forcim i rolit të Serbisë në gjithë Ballkanin. Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova kanë vetëm tregun blerës me gati 6 milionë banorë për produktet e vendeve të tjera dhe rrugët e komunikimit të transportit të mallrave. Ekonomitë e dy vendeve nuk importojnë në sasi të mëdha dhe përballë ekonomive të vendeve të tjera mund të gjenden të pa përgatitura. Edhe pse nuk ka analiza të thelluara dhe studime të tregjeve, një ide e tillë shihet si jo produktive.
Në foto: Kryeministri Rama dhe kryeministrja e Serbisë ditën e shtunë në Durrës.
Por mbi të gjitha tregu rajonal i propozuar nga Serbia ka sjellë në debatin e ditës në Shqipëri një fantazmë të së shkuarës. Kjo ide e Serbisë është pagëzuar me emrin “Jugosllavia e Re”, ku pjesë e saj është bërë dhe Shqipëria. Tezat për krijimin e kësaj federate në median serbe gjenden me terma të ndryshëm, por gjithmonë në funksion të krijimi të një zone ku Serbia të ketë rol dominues. Teoritë konspirative nuk kanë munguar asnjë herë në Ballkan dhe këtë herë ato duket se marrin shtysë dhe nga qëndrimi i paqartë dhe pasiv i Bashkimit Europian. Brukseli nuk ka një datë fikse se kur do të integrohet rajoni dhe Shqipëria në Bashkimin Europian. Ndërkohë që kushtet dhe kriteret për Shqipërinë shtohen me kalimin e viteve, ndaj Serbisë ka pasur gjithmonë një tolerancë në procesin e integrimit nga BE. Edhe dhënia e projekteve dhe fondeve për investime të rëndësishme ka qenë jo i barabartë. Serbia është përfituese e rregullt e projekteve dhe investimeve nga BE, ndërsa Shqipëria ka marrë fonde minimale. Kjo edhe për shkak të paaftësisë së institucioneve shqiptare, por edhe një raporti preferencial mes Brukselit dhe vendeve të rajonit. Fuqizimi dukshëm i Serbisë përballë vendeve të tjera të rajonit, mund të sjellë që në krijimin e këtij tregu ku Beogradi të ketë rolë dominues jo vetëm ekonomik.
Për shkak se as dje nga zyrtari i BE-së Johannes Han nuk u tha asnjë datë për procesin e integrimit, sërish debati kthehet te tregu rajonal ekonomik, por këtë herë si projekt politik. BE-ja nuk ka ndërmend të paktën edhe disa vite të hapë dyert për Shqipërinë dhe aq më pak për Kosovën. Krijimi i një klubi vendesh me Serbinë orientuese të ekonomisë dhe politikave, deri në një afat të pacaktuar, çfarë efektesh do të sjellë tek Kosova dhe Shqipëria. Sepse nuk mund të hidhen hapa të tillë “vëllazërimi ekonomik”, kur ende nuk janë zgjidhur çështje thelbësore mes shqiptarëve dhe serbëve. Edhe dje, në Durrës, gjatë takimit për bashkëpunimin ekonomik, kryeministrja serbe Ana Brnabiç deklaroi se Beogradi nuk do t’a njohë Kosovën. Atëherë si mund të pranohet shkrirja në një treg, kur një prej aktorëve kryesorë të këtij projekti ka pretendime të qarta territoriale kundër një tjetri?
Kjo ide është absurde dhe gënjështërt që në nisje, pasi nëse Serbia deklaron se njeh si shtet Kosovën, të paktën bëhet një zgjidhje rajonale, ndonëse prapë Serbia do thithë paratë e Brukselit.
Pas gjithë këtyre ideve rajonale lindin disa pyetje të rëndësishme për rolin që po mban Tirana zyrtare dhe posaçërisht kryeministri Edi Rama me politikën e tij të jashtme. Që ne marrje të mandatit të parë qeveritar Rama aplikoi politikën e afrimit me Serbinë. Nën orientimin e BE për fqinjësi të mirë, Edi Rama shkoi edhe më tej duke e kthyer normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në pikën kryesore të diplomacisë së jashtme. Aq sa harroi se në Ballkan ka faktorë të tjerë si Greqia e Kroacia, që kanë jo pak rëndësi për Shqipërinë dhe integrimin tonë në BE. Dialogun Tiranë-Beograd, Serbia e ka përdorur me shumë sukses në Bruksel. Ka anashkaluar disa herë Prishtinën duke marrë nga Brukseli jo pak fonde, projekte, dhe premtime për hyrjen e shpejt në Bashkimin Europian. Ndërkohë, në këmbim të gjithë përpjekjeve qeveria e Tiranës ka marrë thuajse asgjë nga BE. Maksimumi që është arritur është një treg rajonal i paqartë dhe me shumë dilema për të ardhmen.
Sigurisht, Shqipëria nuk ndjek politika izoluese ndërkombëtare. Por në fund të disa nismave bëhen dhe bilancet. Objektivi i Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Europian. Si ka mundësi që pas 4 vitesh diplomaci intensive nga ana e Ramës, Shqipëria është më afër me Beogradin, por ende shumë larg Bashkimit Europian?
Qamil Xhani
Artikull nga radio gjermane DW: Procesi i Berlinit-motori për transformimin rrënjësor europian të Ballkanit
Angazhim i drejtuesve politikë të shteteve të rajonit për të realizuar projektet e mëdha të Procesit të Berlinit. Me takimin e Durrësit rajoni hedh edhe një hap tjetër përpara drejt afrimit ekonomik.
Kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) morën pjesë në takimin një ditor informal që mikpriti në Durrës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky takim u zhvillua tre vjet pas lançimit të Procesit të Berlinit nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në 28 gusht 2014 dhe disa javë pas Samitit të Triestes, në muajin e kaluar, i katërti samit në kuadër të Procesit të Berlinit, që ka marre përsipër të japë impulse të reja procesit të integrimit europian të BP. Ngritja e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, në Tiranë, disa projekte infrastrukturore që lidhin rajonin, lehtësojnë lëvizjen e kapitaleve dhe të njerëzve kanë gjetur financime dhe kanë hyrë tani në rrugën e zbatimit.
Fillim nga puna për zonën ekonomike rajonale
Por ato janë ende pak në raport me kërkesat e mëdha që ka rajoni për t’u shndërruar nga një zonë me rritje modeste ekonomike, papunësie dhe azilkërkimi në vendet e BE në një hapësirë të zhvilluar dhe treg tërheqës për investimet e huaja. Për të zbatuar strategji dhe politika që hapin rrugën e daljes nga kjo situatë kryeministrat e vendeve të BP ranë dakort në Durrës për të marrë angazhime maksimale në realizimin e projekteve te Procesit të Berlinit. Fokusi dhe prioriteti i tyre në Durrës është fillimi sa më parë nga puna për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, projekt për të cilin u ra dakort në samitin e Triestes.
Johannes Hahn, i ftuar në takimin e Durrësit, e vlerësoi “prioritet kyç ndërtimin e zonës ekonomike rajonale për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin ne BP”. “Shtetet e BP i kanë dalë për zot Procesit të Berlinit. Takimi i Durrësit tregon se ka një rritje të vëmendjes së krerëve të qeverive të BP ndaj Procesit të Berlinit. Integrimi rajonal nuk është një alternativë ndaj hyrjes së vendeve të BP në BE por një plotësues i dobishëm. Politika rajonale është çelësi i suksesit të bashkëpunimit rajonal, e çdo gjë bëhet në interes të qytetarëve. Interesi ynë është që të gjitha vendet e BP të integrohen në BE, që do ta mbështesë BP dhe do të bashkëpunojë me të për plotësimin e aspiratave europiane. ” tha komisioneri Hahn.
Nga idetë në veprime konkrete
Takimi informal i Durrësit hodhi një hap përpara që nga samiti i Triestes lidhur me krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale: kryeministrat e 6 vendeve u shprehën në mënyrë unanime dakort me Planin Shumëvjeçar të Veprimit për ta zbatuar transformimin rrënjësor të rajonit. “Kemi një plan veprimi me 115 pika në funksion të këtij transformimi që përfshin lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar, që do ta bëjë rajonin shumë më tërheqës se tani “ tha në takim kryeministri Rama.
Ballkani Perndimor pret edhe mbështetje finaciare për projektet rajonale. “Banka Botërore është përfshirë me kërkesën tonë në mënyrë të plotë dhe po ashtu edhe instrumentet e tjerë që burojnë nga bashkëpunimi më i ngushtë me BERZH-in, me BEI-in janë në dispozicion, çka do të thotë se, ky reflektim strategjik që po bëjmë sot, do të na vlejë për një axhendë më intensive dhe më agresive në funksion të një rajoni shumë më tërheqës për investimet e huaja.” tha kryeministri Rama. Në takimin e Durrësit mori pjesë Zv.presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qëndrore, Cyril Muller.“
Cilësi jo shpejtësi në procesin e integrimit europian
Procesi i Berlinit synon të mbajë lart aspiratën e BP për të hyrë në BE dhe të ulë euro-skepticizmin, sidomos pas Brexit. Por edhe t’ u rrisë besimin qytetarëve tek mbështetja e BE ne arritjen e aspiratës europianë në një situatë gjeo-politike kur vende të tjera si Rusia, Turqia madje edhe Kina kërkojnë të rrisin ndikimin në rajon. Komisioneri Hahn bëri përsëri të qartë se BE nuk ka një kohë të përcaktuar se kur do të bëhet e mundur që BP të arrijë standartet ekonomike dhe demokratike për të hyrë në BE. “Cilësi dhe jo shpejtësi në procesin e integrimit. BE ka investuar shumë në BP dhe rezultati do të jetë integrimi i tij në BE” tha ai në Durrës duke vazhduar paqartësinë e deritanishme lidhur me nje afat të përafërt.
Integrim sa më të shpejtë për t’i dhënë fund azilkërkimit
Takimi në Durrës u bë një mundësi më shumë për të paralajmëruar drejtuesit politikë dhe qytetarët e BP se vendet e BE do te vazhdojnë me rreptesi politiken e tyre te mospranimit të kërkesave për azil.
“Është e kotë të shkohet në vendet e BE dhe të kërkohet azil pasi qytetarët e BP dëmtojnë veten dhe vendin e tyre” tha Hahn duke lëne të kuptohet qartë se një vend ku qytetarët e tij kërkojnë të largohen nuk ka bërë progresin e duhur në procesin e integrimit. Ndryshe nga Hahn që prezantoi konceptin e “cilësisë dhe jo të shpejtësisë në procesin integrues “ kryeministri Rama tha në Durrës: “Do të bëjmë çmos të përshpejtojmë procesin e integrimit europian që të kemi më shumë akses në tregun e lirë të punës”
Ai theksoi se fluksi i azilkërkuesve nga Shqipëria është ulur dhe bashkëpunimi në këtë drejtim me BE po jep rezultate inkurajuese. “Por nuk ka shqiptarë azilkërkues, por në kërkim të një pune dhe jete më të mirë në një treg pune që nuk është për shqiptarë, kur për të tjerët është. Refuzoj të pranoj shenjëstrimin e veprimtarisë kriminale të disa shqiptarëve si një arsye për ta treguar Shqipërinë me gisht” ” tha ai në Durrës.
Samiti i ardhshem në kuadër të procesit të Berlinit pritet të mbahet në Londër në verën e vitit të ardhshëm.(DW)