Tirana po kthehet “zonë e kuqe” për Covid-19. Rrezikon mbylljen
Në Tiranë situata është jashtë kontrollit për shkak të përhapjes së Covid-19. Ekspertët e cilësojnë zonë të kuqe, pasi afro 175 vatra të Covid janë vetëm në kryeqytet.
“Nga të gjitha vatrat që janë në Shqipëri, mbi 35% e tyre janë në Tiranë. Janë të shpërndara, nuk mund të thuash se kjo është më e infektuar se tjetra. Tirana do të bëhet zonë e kuqe. Pothuajse është një transmetim komunitar”, tha Brataj.
Për shkak të numrave në rritje të të infektuarve dhe të shtruarve në spital, edhe Tirana ashtu si kryeqendrat e disa vendeve fqinje rrezikon karantinë të pjesshme.
“Infeksioni është shpërndarë në një masë shumë të madhe. Patjetër që masa do të ketë sepse me këto përmasa që po merr sëmundshmëria detyrimisht duhet që të kufizohen. Nëse nuk kontrollohen duhet që të merren masa”, tha Brataj.
Sipas ekspertëve, kjo situatë është pasoje e lehtësimit të masave afro një muaj më parë dhe mos respektimi i tyre.
“Nuk po respektojnë masa. Hapja e shkollave ishte një thikë me dy presa dhe vazhdon të jetë. Lokalet në darkë dhe çfarëdo lloj qofshin janë bërë një strehë të mos mbajtjes së maskës, mos respektimit të distancës dhe as të kufizimit të infeksionit”, tha Brataj, për TvKlan.
Të rinjtë janë grupmosha më e prekur nga Covid-19. Nga 1300 thirrje të regjistruara në urgjencën kombëtare dy javë më parë, tani numri ka arritur në 3 mijë në 24 orë.