Tom Doshi, parti me Fatos Nanon?

Pas gati dy vitesh qeverisje situata në Partinë Socialiste nuk aq rozë sa në fillim të mandatit. Kritikat e Ben Blushit, zemërimi i kryebashkiakëve që nuk u kandiduan dhe kanë nisur të vendosin shkopinj nën rrota, deklaratat nervoze për reformat të disa deputetëve si Pandeli Majko, Fatmir Xhafa, Arta Dade, e dje edhe Valentina Leksaj kanë krijuar jo pak tension mes ligjvënësve  të majtë. Kësaj situate në prag të shpërthimit të sherreve dhe grupimeve tek PS-ja i është shtuar dhe një projekt i ri Tom Doshit. Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste , shkodrani Doshi, ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me ish-kryesocialistin Fatos Nano. Një deklaratë e bërë kur po priste vendimin e Gjykatës së Lartë ka shtuar dhe më shumë skenaret surprizë të zhvillimeve tek e majta. “Po të më ftojë Nano, e bëj menjëherë një parti, se mua më voton gjithë Shkodra edhe sikur të kandidoj për partinë e dreqit”,- ka thënë Doshi.Kështu e pasqyronin në ligjeratë të drejtë mediat online dje dhe thurnin skenare të ndryshme rreth pakënaqësisë së socialistëve.  Po përtej kësaj deklarate që lë të hapur rrugën e bashkëpunimit, sa janë mundësitë reale për të krijuar një parti të re? Historia e Nanos me Tom Doshin ka nisur para se ky i fundit të hynte në politikë. Madje Fatos Nano është kryeministri që mori Doshin nga bota e biznesit dhe e futi në radhët e socialistëve. Falë forcës së tij dhe listës së ish-kryeministrit Nano deputeti shkodran bëri epokë nga viti 2005 deri në vitin 2015,pra plot 10 vjet. Doshi më vonë u bë krah i djathtë i kryetarit të ri të PS-së dhe ishte një nga njerëzit që i garantoi jo vetëm vota në Veri, por edhe mbështetje ekonomike për Partinë Socialiste në opozitë. Tashmë që Edi Rama e përjashtoi nga PS dhe të henën tek emisioni i Rudina Xhungës tha prerë se “Doshi nuk ka më lidhje me PS”. Afrimi i Doshit me Fatos Nanon, më shumë se mirënjohje për të kaluarën, edhe pse në politikë fjala mirënjohje nuk ka shumë kuptim, është një bashkim kundër “hallit të përbashkët që kanë”, pra kundër Ramës e sidomos kundër Ilir Metës. Por ndërsa Nano e ka inatin e hakmarrjen me kryeministrin Rama, deputeti shkodran e ka gjithë sulmin ndaj Ilir Metës. Por një parti e re do një emër publik. Dhe Fatos Nano mbetet lojtar i madh, ndonëse vitet kanë ecur shumë. Edi Rama, që prej marrjes së PS-së, u kujdes që ish-kryetari të rrinte sa më larg selisë së partisë. Ndërsa dhe një herë që pranoi ta takonte publikisht, e përdori emrin e tij për të bërë diversion me garën presidenciale. Ndërsa Tom Doshi tek Edi Rama sheh “mikun që e la në baltë”. Të hënën, Rama deklaroi se Tom Doshi është kapitull i mbyllur në Partinë Socialiste. Ndërsa kryesocialisti thotë se ish-deputeti i selisë rozë nuk ka më punë me partinë, duket se është Tom Doshi ai që tashmë ka ende probleme të pa sqaruara me Ramën. Dhe siç ka deklaruar, nuk ka ndërmend të largohet nga skena politike.

Ndërsa Fatos Nano prej kohësh është në kërkim të një momenti për t’u rikthyer në politikë. Një pjesë e ish-deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste që janë spostuar gjatë viteve të fundit, duket se  janë gati t’i bashkohen një nisme të re të tij por për një PS të traditës. Në media dhe nga njërëz afër ish-kryeministrit nuk kanë munguar zërat për takime me të pakënaqurit si Arben Malaj, etj. Gjithsesi ish-kryeministri nuk ka dhënë asnjë sinjal publik lidhur me lëvizjet e ardhshme. Kritikat e fundit që ka bërë Blushi në adresë të Ramës dhe qeverisë janë interpretuar nga kundërshtarët e tij si lëvizje në favor të Nanos.

Nëse kundërshtarët potencialë të Edi Ramës dhe Ilir Metës mblidhen në një forcë politike problemet dhe balancat tek e majta lëvizin. Por të gjithë kanë folur për diçka kundër Rama-Metës, ende nuk ka folur Fatos Nano. Njëherë foli e doli,porse as deri në Vlorë në fushatën e Arben Malajt nuk shkoi. Tashmë nëse del dhe nuk lëviz digjet përfundimisht. Nëse rri aty ku është me shpresë se mund ta bëjnë President Republike në vitin 2017 është njëlloj sikur të besosh tani në fund të kampionatit të futbollit se kampionatin do ta fitojë “Apolonia” e Fierit !

SHKARKO APP