Topalli: Ça opozite e lodhun asht kjo?!

 

Probleme nuk ka vetëm tek mazhoranca dhe tek humori i prishur i aleancës Rama-Meta. Edhe tek e djathta janë dhënë sinjalet e një krizë të fortë brenda saj. Jozefina Topalli, ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike ka shpërthyer dje në kritika ndaj drejtuesit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sipas saj, vetëm kohët e fundit kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të rënda për të cilat opozita nuk reagon. Teksa kritikon ashpër qeverinë, një sulm jo më të vogël i bën vet kreut të Partisë Demokratike.“Ikin 150 milion euro nga evazioni fiskal dhe vjedhje pa hesap; Ikën FMN… Ikin në korrik 7 000 shqiptarë të tjerë për azil, ikin dritat dhe uji në kulmin e sezonit turistik nga Velipoja në Sarandë. Ikin të torturuar emigrantët shqiptarë që për të marrë pasaportën e fëmijëve, zënë radhë me ditë në kulmin e të nxehtit. Ikim lart në renditjen për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Fusim në burg fëmijë 4-vjeçar dhe i trajtojmë si kafshë. Grabiten si kurrë më parë banesat edhe në qendër të qyteteve. Ikin për pushime të gjata dhe “udhëheqësit ” politikë… Dhe asgjë nuk ndodh.. Pse? Pyetjen nuk e kam për klikën në pushtet, Jo! Pyetjes duhet t’i përgjigjet opozita”,- shkruan Jozefina Topalli në Facebook.

Kritikat nuk vijnë nga ndonjë prej figurave të reja në PD që është në kërkim të vëmendjes mediatike. Topalli cilësohej si krahu i djathtë i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kritikat e saj janë më shumë se qejfmbetjet e rastit të një deputeti dosido të Partisë Demokratike. Qëndrimi i Topallit duket se nuk është vetëm i saj. Brenda Partisë Demokratike janë mjaft ish-ministra dhe deputetë në disa legjislatura që ndjehen të anashkaluar nga kreu i ri i PD-së. Të gjithë kanë rezerva ndaj Bashës, dikush pse është lënë në hijë aktualisht dhe dikush tjetër pse nuk është në asnjë listë të Bashës në të ardhmen. Por në thelb zien mendimi-protestë në selinë blu se përse kaq e butë opozita kundrejt qeverisë së Ramës. Pse nuk ka asnjë dalje publike zyrtare për të shpalosur strategjinë e PD-së në këtë vjeshtë, pse nuk organizohet opozita për përballje me mazhorancën, mëqënëse selia blu thotë se po keqqeveriset e po varfërohet populli. Pse nuk kryhet fryma e përbashkimit të opozitës të çdo elementi oponent e opozitar, por pritet se çfarë do t’ju dalë përpara? Këto me sa duket janë shqetsimet e Jozefina Topallit, dorës së fortë në PD. Jozefina Topalli ka ndërtuar profilin e saj radikal tek e djathta. Gjatë viteve të qeverisjes ndonjë herë ka qenë më e ashpër edhe sesa vet Berisha në deklaratat kundër Partisë Socialiste. Ndërsa nuk ka hezituar të flasë edhe kundër disa vendimeve të Berishës, siç ishte rasti i futjes në PD-së të deputetëve socialistë si Kastriot Islami e ndonjë tjetër që iku prapë në të majtën. Që nga marrja e kreut të PD-së nga Basha, ish-nënkryetarja e selisë blu ka shprehur jo pak rezerva. Dy muaj më parë bëri thirrje për protesta dhe “shporrje të qelbësirave” dhe u deklarua kundër modelit të opozitës së Bashës, duke u shprehur se nuk ishte për një opozitë hollandeze, por për një opozitë të fortë e qendrestare, ballë për ballë me Edi Ramën e Ilir Metën.  Me deklaratën e djeshme nuk ka hedhur dhe një tjetër “bombë” në oborrin e PD-së që këto ditë është boshatisur nga pushimet e gjata të drejtuesve të saj. Teksa ka renditur gjithë ngjarjet negative të ditëve të fundit, i ka kujtuar Bashës së opozita nuk bëhet me deklarata sporadike nga partia, kur ka ngjarje që prekin interesat e mijëra qytetarëve. Nuk bëhet me zogëza të vogla që mezi kanë mësuar të fluturojnë nga diskot e natës së ish-bllokut në selinë e PD-së, nuk bëhet me njërëz e deputetë që mezi lidhin dy fjalë bashkë apo që ua shkruajnë sekretarët fjalimet se nuk dijnë të shkruajnë apo lexojnë. Opozita kërkon forcë, kërkon frymë, kërkon vendosmëri e përballje me pushtetin, në shesh e në parlament. Kjo është fryma që ka në deje PD-ja e kjo duhet ndezur për të qenë barrikadë e se keqes qeveritare, thotë Topalli.

Përballë koordinatorëve të PD-së që flasin në konferenca shtypi, ndonjë herë pa e ditur rëndësinë e atyre që lexojnë, Topalli kërkon një Parti Demokratike me radikale. Topalli duket se nuk është e vetme në këtë qëndrim. Deklarata e saj është njëherazi dhe një ndarje mes të moderuarve e radikalëve në selinë blu. Qëllimi i të dyja palëve është ardhja në pushtet, por për Topallin dhe të tjerë si ajo në PD, me mënyrat që ka zgjedhur Basha pushteti tani për tani shihet vetëm me dylbi. Duhet forcë e përballje thotë ajo. Nga ana tjetër, Topalli përfaqëson dhe politikanët e karrierës në PD që janë lënë jashtë loje dhe jashtë vendimmarrjes me ardhjen e Bashës në krye të PD-së. Në zgjedhjet e fundit ish-nënkryetarët dhe njerëzit që ishin më afër Berishës patën shumë pak mundësi të ndikonin tek Basha. Po ashtu, janë lënë edhe jashtë tryezave të konsultimit për mënyrën sesi do të zhvillohet beteja opozitare që ka premtuar Basha në shtator. Në këtë mënyrë, Topalli, me qëndrimet e saj jo vetëm ka kërkuar një opozitë më të fortë, por i ka treguar Bashës se në PD ka dhe figura të tjera që mund të kundërshtojnë hapur për mënyrën se si drejtohet forca e parë politike opozitare në Shqipëri.

Vjeshta pritet që PD-ja të dalë në sheshe si dhe të bllokojë kryeministrinë e parlamentin. Në të kundërtën ,siç ua morën zgjedhjet vendore PS-LSI, do t’ju marrin edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Shumë fjalë ka se Rama dhe Meta janë të përçarë, por kur vjen puna për të humbur pushtetin ato të dy, e kushdo tjetër, përbashkohet duke harruar sherret. Ndaj nëse e bazon ardhjen në pushtet, selia blu duke menduar në ndonjë sherr mes Ramës e Metës atëhere i bie që në vitin 2022 mund të kenë shans.

Lulzim Basha është lider perendimor dhe shumë paqësor. Realisht kështu duhet, porse në kushtet e Shqipërisë me një demokraci të cunguar, me mafie e me krim në pushtet, siç thonë përditë, nuk duhet gjuha e moderuar, por përballja. Përballja kërkon qindramijëra njërëz, dhe këto duhet të vijnë në përballje e duhet t’i motivosh. Nuk vijnë përditë se nuk është viti 1991. Ato duan një ditë ose e shumta dy ditë ! Por lideri duhet t’i drejtoj e të thotë “Pas meje!” e jo që lideri të vesh kostumin e kryetarit, por “opingat” e liderit popullor.

Kjo është Opozitë !

 

 

 

SHKARKO APP