Topalli vendi drejt trazirave

 

Disa incidente sporadike gjatë fushatës janë shenja e një gare elektorale që ka nisur të tensionohet pas çdo dite. Pas sherrit në Durrës mes militantëve, incidentit me armë në Vaun e Dejës, tentativës për të goditur kreun e PD në Ersekë, zënkave të përditshme në shumë qytete për flamujt, dje ka ndodhur dhe përplasja e radhës me militantëve në Shkodër. Kreu i PD-së në Bërdicë ka rrahur disa anëtarë të stafit të kandidates së PS-së, Keti Bazhdari. Incidente të tilla plotësojnë mozaikun e një fushate me nerva dhe tension që në ditët e para kur ende nuk ka arritur kulmi i saj. Dhe mendoni se në javën e fundit të fushatës ka përherë përplasje të dhunshme. Edhe fizike.

Ngjarja të tilla nuk janë të jashtëzakonshme në fushatat elektorale në Shqipëri. Por ajo që është me shqetësuese janë pritshmëritë për ditët që do të pasojnë deri më 21 qershor. Dy deklarata të bëra të enjten në Kuvend nga deputetët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kaluan pa shumë vëmendje në një seancë të mbushur me fyerje dhe akuza. Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli iu referuar zgjedhjeve në Shkodër dhe raportimeve (deri tani të pavërtetuara) për blerje votash dhe presioni nga PS-ja dhe LSI-ja. Si një deputete e qarkut të Shkodrës ajo foli për presione nga mazhoranca në këtë qark, por edhe në qytete të tjera. Sipas saj, po tentohen të manipulohen zgjedhjet dhe vendin e presin trazira. Topalli tha se mafia Rama-Meta ka pushtuar vendin dhe njërëzit po përgatiten për revolta e trazira. Ajo di dicka ndaj duhet marrë seriozisht nga organet e rendit se mund të ketë përplasje. Zonja Topalli rri shumë afër Berishës e vetëm ai e di se cka në plan PD kur flitet për trazira. Ka fijet e vjetra të lidhjeve për revolta antiqeveritare. Jozit nuk iu ndejt dhe foli. Astrit Patozi, një figurë e moderuar e PD-së dhe deklaratat agresive i ka të rralla, paralajmëroi Ramën për kandidatë të koalicionit të majtë që “mund të dalin nga kontrolli” dhe për projekte për vjedhjen e zgjedhjeve.  Edhe sipas Patozit prapë trazira. Dicka po luhet në prapaskenë.

 

Ndërkohë PS dhe LSI nuk e kanë mendjen se cpo kurdiset. Ato duan ti marrin zgjedhjet.  Çdo mazhorancë do të fitojë zgjedhjet, por fitorja e zgjedhjeve për pushtetin është e lidhur me standardet. Sepse nëse PS-LSI merr shumicë e bashkive dhe nuk arrin të bëjë zgjedhje normale atëhere fitorja do të jetë e hidhur dhe jetëgjatësia e pushtetit mund të vihet në pikëpyetje. Por kujt i intereson një fushatë me tensionet dhe trazira? Apo ditën e zgjedhjeve apo edhe më keq pas zgjedhjeve.

Denoncimet nga radhët e së djathtës për probleme gjatë zgjedhjeve sa vijnë dhe shtohen. Duke përdorur dhe pushtetin e mediave incidentet edhe pse ndonjë herë banale serviren si skandale duke krijuar imazhin e gare politike, që nga podiumet e fushatave po zbret në betejë mes simpatizantëve. E gjitha kjo situatë ka rritur klimën e tensionit dhe i çon zhvillimet politike afër një skenari të vjetër të PD-së për trazira në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha katër ditë më parë deklaroi se bojkoti i zgjedhjeve nuk ishte një opsion i PD-së, por një sajesë e mazhorancës për të dekurajuar të djathtën. Qëndrimi i Bashës është korrekt, por në këtë rast harrohet diçka. Basha nuk është i vetmi lider vendimarrës i Partisë Demokratike. Nëse ai është përgatitur edhe për humbjen në disa qytete e njëjta gjë duket se nuk vlen për Berishën. Në Shkodër, Vlorë, Vorë, dhe në qytete të tjera janë disa kandidatë që janë përzgjedhur nga vetë Berisha. Në këto qytete luhen interesa ekonomike edhe të ish-kryeministrit, ndaj nëse Basha do të pranonte një humbje sipas rregullave, diçka të tillë nuk do ta pranonte në asnjë mënyrë pjesa tjetër e PD-së që përfaqësohet nga Sali Berisha. Ndaj në skenë ka dalë opsioni i trazirave dhe zgjedhjeve më probleme. Basha mund të kërkoj nga kandidatët një fushatë moderne, madje dhe pranimin e humbjes kur ajo është sipas rregullave, por a është në gjendje pjesa tjetër e PD-së të luaj me këto rregulla loje.

Jozefina Topalli është një nga politikanet që e njeh pothuaj sa Berisha  se si funksionon nervi trazues në Partinë Demokratike. Ajo paralajmëroi trazira.  Dhe nuk foli në hava.

 

SHKARKO APP