Tre muaj nga pazari Basha-Rama i 18 majit
Tre muaj nga marrëveshja Rama- Basha, e cila mbajti në pushtet PS
Fiks tre muaj nga marrëveshja e 18 majit, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë shkëmbyer dje replikat e para në distancë. Publikimi i raportit të ministrave teknik ka rikthyer klimën e përhershme me akuza dhe sherre PS-PD. Kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi dokumentin e ministrave si provën e qartë për vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Në reagimin e tij, Basha pranon se Edi Rama nuk respektoi marrëveshjen që realizuan të dy dhe se sabotoi punën e ministrave teknikë. Te raporti i ministrave të tij, Basha gjen dhe arsyet e humbjes së thellë të PD-së duke e justifikuar rezultatin e dobët me blerjen e votave nga paratë e krimit. Dhe nuk e ka krejt gabim, por tashmë është vonë. Rama e ka marrë pushtetin, edhe me ndihmën e pazarit të 18 majit.
Ndërkohë dje ka ardhur reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet dhe për ministrat e PD, të cilët dhanë dorëheqjen. Ndërsa kreu i PD-së shprehej i shqetësuar për standardet e zgjedhjeve, kryeministri nuk e ka kursyer ironinë me Bashën dhe ministrat e tij. Rama tha se raporti për problemet e zgjedhjeve është politik dhe komprometon gjithë punën e mirë, që sipas tij, u bë gjatë fushatës mes ministrave të PS dhe PD. Ndërsa në fund të reagimit, me stilin e ish-ministrit, Ilir Beqaj, Edi Rama u uron “suksese në jetë” ministrave të dorëhequr të Lulzim Bashës. Rama nuk harron t’u kujtoj edhe disa gafa ministrave të PD-së duke shtuar se i mirëkupton, por nuk bie dakord me raportin që kanë përgatitur kundër zgjedhjeve.
Replikat e djeshme rikthejnë debatet e zakonshme mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Vetëm se këtë herë ajo që po ndodh nuk është politikë, por sherr teknik i Bashës dhe Ramës për të justifikuar veten. U duhet një sherr i tillë publik. Pas humbjes katostrofike, Lulzim Basha ka nevojë për një strategji për të bërë opozitë e besueshme. I duhet që t’u japë demokratëve një arsye bindëse se përse nuk i solli në pushtet. Dhe mënyra më e mirë për t’i bindur është shprehja “zgjedhjet mi vodhën me paratë e drogës”. Në qëndrimet e Bashës për zgjedhjet ka disa të vërteta, por sado vota të ketë blerë Partia Socialiste sërish humbja e PD ishte më e madhe sesa manipulimet. Basha nuk mund të justifikohet me një raport të ministrave për humbjen e PD duke u shmangur nga e vërteta që e dinë të gjithë në PD. Humbja kryesore e opozitës nuk erdhi vetëm nga blerja e votave, por nga pazari Rama-Basha. Në momentin kur Basha bashkoi votat dhe ndau pushtet në qeveri me Ramën shumë pak demokratë besonin me në akuzat e opozitës. Ndaj dhe deklarata e Bashës dje ishte “teknike”, ashtu si raporti i ministrave të tij teknikë. Para se të gjej arsyet se pse nuk pati zgjedhje me standarde, Basha duhet të demaskojë marrëveshjen me Edi Ramën. Ringritja politike e Bashës nis nga goditja e marrëveshjes me Ramën. Sepse nuk mund të thotë që zgjedhjet mi vodhi PS, kur vetë PD kishte 7 ministra në qeveri dhe nuk bëri asnjë denoncim për 3 muaj. Bile as ditën e zgjedhjeve nuk doli njëherë të vetme selia blu të denonconte vjedhjen e votës. Pasi ka njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe qeverinë e re të Ramës, çfarë vlerë kanë ankesat për manipulime? Nga ana tjetër, nuk mund të deklarojë se standardet e zgjedhjeve u cenuan nga grupet kriminale në PS dhe po në të njëjtën deklaratë të kërkojë reformimin e sistemit zgjedhor sërish me Edi Ramën. Pra, prapë me Ramën?! Prapë me atë që e ç’nderoi politikisht para demokratëve?! Apo në këtë tremujor dashurie politike bëjnë sikur luftojnë njeri-tjetrin, por nga ana tjetër presin vazhdimin e pazarit të 18 majit?
Sado ankesa të bëjë PD-ja dhe Lulzim Basha, opozita i bëri Edi Ramës nderin më të madh duke i njohur zgjedhjet dhe duke i certifikuar rezultatin e thellë me 74 mandate. Rama i falënderon ministrat për kontributin që dhanë “në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë”. Ndërkombëtarët në fund do bazohen në ankesat që u bënë ditën e zgjedhjeve dhe në paditë e bëra në KQZ e në Kolegjin Zgjedhor dhe jo në raportet e dala pas 3 muajsh nga ministrat teknikë. PD nuk ka asnjë ankimim në këto institucione dhe ankesat sot nuk kanë më vlerë. Ndaj, pasi i përdori gjatë dhe pas fushatës, Edi Ramës si mbetej gjë tjetër veçse të uronte Bashën dhe Ministrat “suksese në jetë”..
Ironi e madhe! Nëse vazhdon prapë pazari, edhe sot pas tre muajve nga 18 maji, nuk na mbetet gjë tjetër por pas katër viteve ti themi Lulzim Bashës: ”Suksese në jetë!”.
Qamil Xhani