Tri lexime të John Boltonit
Porosia për “korrigjimin e kufijve” të Kosovës nga Washingtoni erdhi nga njeriu, i cili ishte kundër pavarësisë së Kosovës. Por ka edhe më shumë se kaq…
1.
Në fund të gushtit, pas shumë supozimeve, erdhi paralajmërimi i një ndryshimi në politikën e jashtme amerikane ndaj Kosovës. Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, i pyetur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë tha:
“Mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar(…). Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”.
Dhe, me këto pak fjalë duket se ndryshoi njëri prej parimeve udhëheqëse të politikës së jashtme amerikane karshi zhbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe pastaj Jugosllavisë, se të bëhej çka të bëhej, nuk do të ndryshonin kufijtë e njësive federale që shndërroheshin në shtete të pavarura.
Por a ndryshoi politika e jashtme amerikane, apo për këtë politikë të jashtme e shprehu mendimin këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton – kjo është një çështje që në administratë amerikane quhet “turf war”, “luftë për territor” mes agjencive të ndryshme shtetërore që duan që mendimi i tyre të jetë vendimtar dhe atë ta vulosë presidenti i vendit. Këtë informatë e kam nga vetë John Boltoni, gjegjësisht autobiografia e tij, “Surrender is not an option”, Threshold Editions, New York,2007. Në të shihet një intelektual, i cili në Evropë do të quhej ideolog, i krahut konservator të konservatorëve, i cili ndërton bindjet e veta brenda administratës. E shërbimi i tij fillon që me presidentin Reagan, Bushin plak, pastaj Bushin e ri dhe në fund Trumpin.
2.
Në administratën e sotme të presidentit Trump nuk ekziston një person që ka përvojën qeveritare që ka Bolton. Dhe në administratën e sotme të presidentit Trump nuk ekziston as edhe një person tjetër i legjislaturës së tij që ka pasur mendim kaq të prerë kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, para se ajo të shpallej. Më 31 dhjetor të vitit 2008, kur tashmë administrata e presidentit Bush kishte kryer të gjitha përgatitjet për shpalljen e koordinuar të pavarësisë së Kosovës, John Bolton së bashku me ish-sekretarin e Shtetit, Eagleburger dhe ndihmëssekretarin e Mbrojtjes Peter Rodman, botuan në “Washington Times” artikullin me titull “Warning light on Kosovo”, duke kërkuar që Washingtoni të mos e njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, gjegjësisht ta ndërpresë atë. Në të, shpaloset një interpretim i politikës së jashtme që ishte krejtësisht në minoritet jo vetëm në SHBA, por edhe në vetë kampin konservator republikan. Bolton dhe bashkautorët cekin se “njohja e pavarësisë së Kosovës pa pëlqimin e Serbisë do të vendoste një precedencë me pasoja afatgjata dhe të paparashikueshme për shumë regjione në botë”. Pastaj qartazi e vënë Kosovën si pjesë e sovranitetit serb si në formulimin “Ne besojmë se një zgjidhje e imponuar e çështjes së Kosovës dhe kërkesën për ta ndarë territorin sovran të Serbisë pa pëlqimin e saj nuk është në interes të SHBA-së”. Dhe në fund, Kosovën e definojnë si të parëndësishme për politikën e jashtme amerikane: “Për një çështje të rëndësisë minore për Shtetet e Bashkuara, a është ky një shpenzim i dobishëm i kapitalit politik me Rusinë?”.
Në rikapitullim, autorët mendojnë se Kosova është pjesë e territorit sovran të Serbisë, nuk duhet pavarësuar pa pëlqimin e Serbisë, sepse kështu dëmtohet Serbia, vendosen precedenca negative gjithandej dhe shpenzohet kapitali politik me Rusinë, i cili duhet përdorur në bashkërenditje për të frenuar armët bërthamore në Iran apo Kore të Veriut.
3.
Përderisa me lehtësi është anashkaluar mendimi i zotit Lawrence Eagleburger, që qe konsideruar të jetë aq i lidhur me interesat e Serbisë – të cilat nuk i ka fshehur si lobist për veturat Yugo në Amerikë – sa të quhej Lawrence i Serbisë, një gjë e tillë nuk mund të thuhej lehtë për John Boltonin. Mendimet e tij janë pjesë e këndvështrimit të tij të botës, një këndvështrimi të cilit i beson.
Këndvështrimi i tij lexohet në libërthin kritik për politikën e jashtme amerikane të asaj kohe me titull “Si po e rrezikon sovranitetin tonë kombëtar Barak Obama (“How Barack Obama is endangering our national sovereignty”, Encounter books, 2010):
– Jemi të kapur në një konflikt mes sovranitetit dhe “qeverisjes globale” që shumica e amerikanëve as që dinin se po ndodhte. Nuk befason pra që “amerikanistët” qenë duke humbur prej “globalistëve” dhe publiku i përgjithshëm ende nuk mund të vlerësojë skizmën mes këtyre dy botëvështrimeve.
Në këtë ndarje, Bolton e konsideron veten “amerikanist”, ndërsa Obamën “globalist” (sikundër i ka konsideruar Clintonët dhe çdokënd tjetër që angazhohet për më shumë bashkërenditje ndërkombëtare). Dhe, brenda kësaj ndarjeje, Kosova është produkt i “globalistëve”, pjesë e konceptit të “përgjegjësisë për të mbrojtur”, pjesë e koalicioneve botërore që tejkalojnë sovranitetet shtetërore dhe madje edhe koalicionet si NATO.
Rrjedhimisht, nuk befason artikulli i Boltonit më 1999 dhe vlerësimi nga ideologjia “amerikaniste”: çka na hyn në punë të renditemi me një Kosovë të parëndësishme kur kemi nevojë të renditemi me një Rusi të rëndësishme për caqe më strategjike se një zorrë qorre në Ballkan.
Nga ky prizëm, artikulli i vitit 1999 mund të lexohet në të kundërtën e tij më 2018, gati njëzet vjet më vonë. Pra, nëse në rikapitullim Bolton mendonte se Kosova është pjesë e territorit sovran të Serbisë, nuk duhet pavarësuar pa pëlqimin e Serbisë, sepse kështu dëmtohet Serbia, vendosen precedenca negative gjithandej dhe shpenzohet kapitali politik me Rusinë, i cili duhet përdorur në bashkërenditje për të frenuar armët bërthamore në Iran apo Kore të Veriut, atëherë ekziston konsistenca nëse mohimi shndërrohet në pohim. Pra, pozicioni i Boltonit i vitit 2018 nuk është larg nëse interpretohet si : çfarëdo që të merr pëlqimin e Serbisë do ta ketë përkrahjen, sepse me këtë vendoset një precedencë pozitive e mbrojtjes së sovranitetit dhe SHBA-ja nuk do të shpenzojë më kapital politik të nevojshëm për Rusinë rreth një çështjeje të parëndësishme.
4.
Një mendim i këtillë i Boltonit duket i thjeshtësuar, madje edhe i vrazhdë dhe gjithsesi jo pjesë e politikës së jashtme tradicionale amerikane. Por John Bolton është i këtillë: autobiografia e tij lexohet edhe si përpjekje e “amerikanistëve” si ai për ta izoluar SHBA-në nga çdo përpjekje multilaterale. Në një botë ideale për John Boltonin, Amerika do të ishte një vend që për çdo gjë lidh marrëveshje të veçantë me shtete të veçanta, kontratë pas kontrate me palë sovrane që quhen shtete. Dhe, kështu mbron interesin e vet kombëtar. Çdo herë që zoti Bolton merr pjesë në pushtet, siç e përshkruan ai në autobiografinë e tij, bën përpjekje për të prishur ato marrëveshje e traktate që SHBA-ja ka nënshkruar më herët e që tash konsiderohet se nuk janë më me interes për SHBA-në. Dhe, këtu Bolton gjen si aleat gjeneralin francez, de Gaulle dhe thënien e tij se “traktatet janë si vajzat dhe trëndafilat; zgjasin sa zgjasin”.
Një thënie e këtillë nuk është larg besimit të tij ndaj çdo ndërmarrjeje që ka marrë Amerika me partnerë, siç u pa me bllokimin e pjesëmarrjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, largimin nga Traktati i Kyotos për mbrojtje të ambientit apo, tash prishjen e Marrëveshjes për pengimin e zhvillimit të armëve bërthamore në Iran dhe largimin nga Traktati i Parisit kundër ngrohjes globale.
Dhe ideja, e cila i atribuohet presidentit Trump, se çdo gjë që është negociuar njëherë nga Amerika duhet rinegociuar sërish, në fakt qe zhvilluar më herët nga John Bolton. Madje, këtë e hetuan edhe rusët : në një drekë me zëvendësministrin e Jashtëm rus në Moskë më 2001, shkruan Bolton në autobiografinë e tij, “sa për t’u ndier në shtëpi, Mamedov u kujtua se Lenini, Trocki dhe bolshevikët kishin një vlerësim denigrues për traktatet, duke hequr dorë prej shumicës së atyre cariste pasi morën kontrollin në vitin 1917”.
5.
Kur ministri serb Ivica Daçiq gjatë këtij viti shpalosi para Boltonit idetë për këmbim territoresh, dhe shprehu gatishmërinë e Hashim Thaçit për ta bërë këtë punë, mund të ketë hasur në veshë të vëmendshëm. Intelektualisht, një zhvillim i këtillë do të ishte pjesë e bindjeve të zotit Bolton, aq më shumë kur është po ashtu pjesë e besimit të tij, të manifestuar në autobiografi se BE-ja nuk mund të zgjidhë këtë problem ngase “në politikë të jashtme BE-ja ka një qasje është edhe më globaliste, etatiste, burokratike, legaliste dhe pasive (dhe shumë shpesh pacifiste)”.
Kjo është arsye e mirë për ta lexuar autobiografinë. Arsyeja tjetër është se në të shihet se si John Bolton është i suksesshëm, disa herë, me një energji impresive, që të krijojë veprime politike brenda administratave të cilave u shërbeu. Por, po ashtu, shihet se si në sistemin e komplikuar që quhet demokraci amerikane, mendimet e zotit Bolton mbesin në një pakicë; të zëshme dhe ndonjëherë në dukje agresive, por megjithatë pakicë.
© KOHA Ditore