Tritolomania

Shpërthimi i parë ka ndodhur në Kamëz. Objektivi ka qenë një biznes i tregtimit të miellit. Dyshimet e para flasin për një rivalitet në biznes dhe zgjidhja duket se u është lënë atentateve. Shpërthimi i dytë ka ndodhur në Fushë-Krujë, një zonë ku gjatë vitit të fundit kanë ndodhur shpërthime më shumë sesa në çdo vend tjetër. Lënda plasëse është vendosur në zyrat e shërbimit të klientit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHEE). Rreth 10 shpërthime të tjera, po në këtë qytet kanë ndodhur gjatë vitit të fundit. Në shumicën e rasteve, objektivi ka qenë komisariati i policisë. Mbrëmja e dy ditëve më parë është mbyllur me dy shpërthime. Shpërthimi i tretë ka ndodhur në Krujë, ku orët e para të mëngjesit të djeshëm, një tjetër biznes është hedhur në erë me lëndë plasëse. Në të gjitha rastet, përveç dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Kjo për shkak të orëve kur është zgjedhur shpërthimi i lëndëve plasëse dhe jo për shkak të sasisë së tritolit që është vënë në përdorim. Efekti i  atentateve me tritol, veç dëmeve materiale, ka dhe një tjetër qëllim. Shpërthimet me lëndë plasëse përhapin terrorin dhe krijojnë klimë pasigurie në vend. Më shumë se konflikte biznesesh, ngjarje të tilla janë akte terroriste, që i japin një tjetër imazh të Shqipërisë. Krijon tension, frikë dhe një ndjenjë se “akoma ky vend është i pamenaxhueshëm”.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha deklaroi dje se do të hetohen të gjitha atentatet e bëra gjatë ditëve të fundit. Sipas tij, situata nuk do të lihet si një vit më parë. “Çdo ngjarje kriminale do të hetohet, nuk do të ndodhë ajo që ndodhi vjet”, – tha Tahiri. Nëse bën një përmbledhje të shpërthimeve me tritol, brenda një viti, deri në muajin shtator 2014 janë regjistruar 54 shpërthime dhe atentate me tritol të cilat kanë shkaktuar dhe viktima. Me ngjarjet e ditëve të fundit, numri i shpërthimeve arrin në 57. Një shifër që është alarmante dhe tregon se aktiviteti kriminal në vend, herë pas here, shfaqet në format më të egra të tij. Një pjesë e atentateve të bëra gjatë vitit të fundit janë zbuluar. Arrestimi i anëtarëve të një bande që kryente vrasje me pagesë, me në krye killerin Julian Sinanaj, ishte një nga arritjet e policisë. Por fakti që ende ndodhin ngjarje të tilla kriminale ndaj bizneseve, institucioneve dhe përfaqësuesve të shtetit, tregon se këto kanë dhe një lloj organizimi.

Organizimi i parë lidhet me grupe, si ai që vepronte në Vlorë dhe në bazë të një shume të caktuar parash ishin në gjendje të hidhnin dhe t’i bënin atentat çdo personi apo institucioni në vend. Bota e krimit ka goditur mjaft biznesmenë dhe biznese të ndryshme në këtë mënyrë. Diku larje hesapesh, diku rivalitet mes bizneseve të ndërtuara edhe në mënyrë të dyshimtë, po me paratë e krimit. Por janë një seri atentatesh me tritol që logjika e krimit nuk arrin t’i zbërthejë dot. Bie fjala, atentati dje me tritol ndaj zyrave të OSSHE-së vetëm larje hesapesh mes krimit të organizuar nuk mund të quhet. Më shumë se kaq, pasi tritoli i djeshëm është një sinjal ndaj institucioneve. Tritoli që shkatërroi zyrat e OSSHE-së, duket si një reagim ndaj aksionit të qeverisë për ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme dhe burgosjen e personave që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Një grup kriminal, sado i fuqishëm që të jetë, nuk ka interes që të hedhë në erë zyrat e OSSHE-së. Krimi i organizuar, atentatet i bën për para. Ndaj me këtë logjikë, kush ka paguar dhe kujt i intereson shpërthimi me tritol në Fushë-Krujë? Ngjarja e djeshme nuk duhet parë si kriminale. Ai është një akt i pastër terrorist që bëhet ndaj shtetit dhe punonjësve të tij. Nuk janë goditur vetëm zyrat e OSHEE-së, por edhe punonjësit e policisë të cilët janë vënë në aksion për arrestimin e atyre që vjedhin energjinë elektrike. Zhurma e tritolit është një tjetër element që i shtohet klimës në vend, kur opozita përgatitet të nisë protestat e saj kundër mazhorancës më datë 22 nentor. Ndërkohë që ministria e Brendshme nënshtroi Lazaratin dhe Dukagjinin, këto dy “republika të drogës”, apo po shkatërron prona e ndërtesa të paligjshme të “të fortëve”, duhet që t’i arrestojë këto grupe kriminale tritolvënëse, të cilat po vazhduan gjatë, do të kthehen si metodë pune e përditshme që krijon panik dhe largim të biznesit.

Në të vërtetë, vendosja e tritolit në zyrat e Shtetit nuk është vetëm një reagim ndaj masave ligjore të shtetit, por edhe një lojë politike e segmenteve të ndonjë force politike për të krijuar destabilitet politik në vend. Reagimi në bllok i krejt institucioneve të Shtetit përballë kësaj vale terrori me tritol, duhet të jetë i ashpër. Por, përveç kësaj, ka nevojë që shërbimet e specializuara të antikrimit dhe antiterrorit të jenë më efikase, e ndoshta ka nevojë që edhe në buxhetin e parashikuar të shtetit për vitin 2015, të shtohet paksa fondi për këtë sektor. Nuk luftohet ky fenomen duke patur një ose dy veta nëpër rrethe që hetojnë edhe këtë lloj krimi, i cili është terrorizues për qytetarët e kurdo mund të bëhesh pjesë e atentatit edhe rastësor. Ka patur raste që është kthyer në një traditë të keqe, kur parti politike për të krijuar gjendje ankthi e kaosi në popull e me qëllim rrëzimin e qeverisë kundërshtare, financonin këto krime. Financimi është jo vetëm me elementë fizikë kriminalë, por edhe me frymën që krijon një parti politike. Në PD, segmentet e specializuara për këto lloj aktivitetesh kriminale ka një vit që e kanë humbur mbështetjen e kupolës, por duket se ka akoma filale që kanë mbetur aktive që në kohët e “lashta” të PD-së e ka hipoteza, sipas selisë së PS-së, se terrori ka prapavijë politike, pikërisht nga partia që është në opozitë. Bile njësitë antiterror kanë vënë nën përgjim disa prej këtyre personave “të specializuar” në këtë fushë tritolomanie, porse ka mundësi që ministria e Brendshme është kujtuar paksa me vonësë, duke ditur se gjithçka përdor krimi, sidomos ai politik, duhet bllokuar që në fillesën e tij.

 

 

SHKARKO APP