Tritolvënësit dhe terrorizmi

 

Brenda 48 orëve qytetet i Durrësit është tronditur nga tre shpërthime me autobombë. Kreu i burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj, ka mbetur i plagosur rëndë mëngjesin e djeshëm, si pasojë e shpërthimit të ndodhur në makinën e tij. Ndërsa ditën e diel, shpërthimi në makinë plagosi Ardian Trotën, një person me precedentë penal i cili më pas u arrestua nga policia, si dhe u hodh në erë makina e një emigranti të sapoardhur nga Anglia. Ngjarjet e ndodhura në pak orë edhe pse etiketohen kriminale, në fakt janë terrorizëm. Krimi i organizuar nuk ka “ideologji” të mirëfilltë si terrorizmi, por mënyrat që po përdoren në Shqipëri, si dhe impakti në opinionin publik është i njëjtë: Frikë, terror, ankth, largim nga Shqipëria. Klimës së mbushur me shpërthime i është shtuar dhe një zhvillim që nuk ndodh në Shqipëri, por lidhet me shqiptarët. Autoritet italiane kanë lëshuar dje sinjalin e alarmit për rrezikun e xhihadistëve shqiptarë, duke folur për celula terroriste që nuk e kanë qendrën në xhamitë e Shqipërisë, por në qendër të Romës. Për herë të parë shqiptarët po shihen si importues të terrorit dhe pavarësisht saktësisë së burimeve të mediave italiane, nami i “shqiptarëve xhihadistë” do të mbërrijë më shpejt në Europë sesa lajmet për imazhin pozitiv të vendit.

Seria e shpërthimeve

Ngjarjet në Durrës duket se nuk kanë lidhje mes tyre për nga objektivi, por kanë të përbashkët mënyrë e krimit: tritolin. Në të tre rastet është përdorur eksploziv i fuqishëm C4 dhe procesi i shpërthimit është aktivizuar me telekomandë. Detajet e para kanë bërë që hetuesit të dyshojnë për një bandë të organizuar dhe të specializuar në shpërthimet me tritol që operon në qytetin bregdetar. Edhe pas arrestimit dy ditë më parë të disa personave që tregtonin lëndë ekspozove, atentati i djeshëm ndaj kreut të burgut të Fushë-Krujës tregon krimi i organizuar vazhdon të jetë aktiv. Në dy rastet e para të shpërthimeve në Durrës objektivi kanë qenë persona me precedentë penalë. Ndërkohë që më serioz është atentati ndaj Drejtorit të Burgut në Fushë-Krujë. Sipas të dhënave të para të policisë atentati ka lidhje me detyrën e tij dhe dyshohet se ka ardhur si reagim pas një sërë masash të rrepta që janë marrë nga Arben Suloj në funksionimin e burgut në Fushë-Krujë. Kur sulmohet një funksionar i lartë i shtetit në mes të ditës këtu nuk është më thjesht krimi i organizuar, por terrorizëm i mirëfilltë kundër shtetit. Dhe celula të tilla ka nëpër Shqipëri , të cilat po aktivizohen.

Italianët zbulojnë terrorizmin shqiptar

Mediat e vendit fqinj raportojnë për herë të parë për ekzistencën e një celule xhihadiste me qendër Itali. Ndërsa më parë është folur vetëm për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftimet në Irak dhe Siri, gazeta “Il Tempo” shkruan se bërthama e një celule me xhihadistë shqiptar ka qendrën në Romë. “Bëhet fjalë për ta ashtuquajturën “filial ballkanik” të impenjuar në rekrutimin dhe dërgimin e xhihadistëve në Siri dhe vendet e Magrebit. Çështja lidhet me një grup shqiptarësh dhe kosovarësh rezident në Itali, me lidhje në vendet e origjinës, që merret me udhëzimin e “vullnetarëve” për të shkuar në Siri nga Italia, Greqia, Turqia dhe Siria. Grupi salafist ka bazën në Romë, Siena, Luca dhe Milano”,- raportojnë mediat italiane. Grupi që ka në përbërjen e tij shqiptarë që i përket rrymës salafike dhe konsiderohet si një nga më të rrezikshmit, pasi përfaqëson xhihadin ekstrem. Qëllimi i grupit është zgjedhja e personave dhe rekrutimi i tyre për ti dërguar më pas në fronin e luftës në radhët e ushtrisë së të ashtuquajturit Shteti Islamik. Anëtarët e grupit terrorist veç pjesës së rekrutimit kryejnë dhe çështjen e procedurave të lëvizjes,gjë që do të thotë se janë të specializuar në falsifikimin e dokumenteve dhe pasaportave për të bërë të mundur kalimin e tyre nga Ballkani drejt vendeve në konflikt. Figurë kryesore në këtë rrjet të rekrutimi të terroristëve rezulton një personazh me emrin Ebu Usejd Albani, emri i vërtetë i të cilit është  Mehmet Stafasani, por që sipas shërbimeve inteligjente shqiptare prej disa kohësh ndodhet në Siri. Fill pas informacioneve nga Italia sherbimet sekrete dhe policia shqiptare kanë marrë nën survejim pjestarët e familjes së tij si dhe lidhjet e tij në Shqipëri. Falë aparaturave të përgjimit janë lokalizuar edhe disa persona me lidhje të dyshimta ekstremiste dhe janë angazhuar që mbrëmë forca policie në terren.

Ngjarjet e këtyre pak ditëve në vendin tonë tregon se bashkërëndojnë krimi i organizuar me terrorizmin,edhe pa qenë në një skuadër,pasi i frymëzon krimi. Si në një akord orkestre,pa dirigjent, të dyja këto forma krimi janë aktivizuar dhe po marrin revansh, ndaj segmentet antiterror kanë nevojë të jenë më aktive, duke parandaluar.Ka nevojë edhe parlamenti që të ndryshojë prapë ligjet kundër këtij krimi makabër, duke i klasifikuar si krime të rënda dhe të dënohen pa ekuivoke;direkt me burgim të përjetshëm. Në të kundërt do të pendohemi nëse nuk reagohet fort me masa ligjore dhe policore që tani. Më vonë do të jetë vonë,pasi po bëhet shitja e tritolit dhe C4 si të jenë fruta vjeshte që shiten në dimër !   

 

 

SHKARKO APP