Turp kosovar !
Prishtina është tronditur në Ditën e Flamurit kombëtar nga ngjarjet që pasuan tubimin e partive opozitare në qendër të qytetit. Deputeti dhe ish-kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, de fakto lideri i opozitës reale në Kosovës, është arrestuar në mënyrë të dhunshme në zyrat e partisë. Pamjet e videove të përhapura në web-e tregonin se si dhjetra forca policie u turrën me armë të drejtuara për qitje kur hynë në zyrat e një partie politike për të arrestuar Albinin. Sikur të ishte Albin Kurti, lideri i ISIS, dukeshin portretet e atyre që u sulën për t’i vënë prangat. Së bashku më të janë arrestuar dhe rreth 90 aktivistë të tjerë të “Vetëvendosje”-s. Ndërkohë, tre protestues janë plagosur nga përplasja me policinë.
Akuza që rëndon mbi Albin Kurtin është për aktet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës gjatë muajve të fundit, ku janë hedhur sende të forta dhe gaz lotsjellës në sallën e seancave plenare. Në të vertetë ajo mënyrë opozite nuk është e këndshme dhe nuk ka gjasa europiane, por pavarësisht kësaj arrestimi i bërë pikërisht në Ditën e Pavarësisë Kombëtare, të krijon shije të keqe. Në mos duket paksa me helm serb. Prej disa javësh ishte lëshuar një fletë-arrest nga Gjykata e Kosovës ndaj Kurtit. Lëvizja “Vetëvendosje” ka kaluar në qëndrime radikale dhe protesta të dhunshme në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për krijimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, ose siç njihet ndryshe me emrin “Zajdenica”. Për “Vetëvendosje”-n kjo marrëveshje është “futja e Serbisë në Kosovë”, lëshim në tavolinë i Pavarësisë dhe krijim i enklavave serbe sipas modelit të Bosnjës. Kurse për qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa, marrëveshja i shërben Kosovës dhe mbi të gjitha ka ardhur si një dokument i miratuar nga Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër marrëveshje që kundërshtohet fort nga “Vetëvendosja” është dhe ajo e ndarjes së kufirit me Malin e Zi ka pretendime se kufiri është vendosur në disfavor të palës kosovare. Formalisht, të dyja marrëveshjet janë dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila për marrëveshjen me Serbinë ka kërkuar pezullimin deri në një vendim përfundimtar. Deri në këtë pikë, kemi të bëjmë me një lojë brenda rregullave politike. Qeveria miraton, opozita kërkon me të gjitha mjetet, përfshi dhe protestat bllokimin e një pakti të dëmshëm për shtetin e Kosovës.
Ajo çka e ka kthyer përmbys situatën dhe e kthen Kosovën pas është arrestimi në Ditën e Flamurit. Albin Kurti nuk është vetëm një ish-drejtues i “Vetëvendosje”-s. Praktikisht, ai është zëri më i qartë opozitar i një pushteti politik në Kosovë që ka pothuaj të njëjtat simptoma të klasës politike në Shqipëri: korrupsionin dhe përdorimin e shtetit për të mbajtur pushtetin. Dje nuk është arrestuar një deputet që hedh gaz lotsjellës në Kuvend, por një politikan që mirë apo keq përfaqëson një pjesë të rëndësishme të elektoratit kosovar. Ndaj, praktikisht është njëlloj sikur të jetë burgosur një pjesë e opozitës.
Ngjarjet e djeshme në Prishtinë ishin të turpshme jo vetëm pse u arrestua një politikan që formalisht mund të ketë shkelur ligjin, por edhe dita që u zgjodh për të bërë një spektakël të tillë, pra kjo e gjitha e bënë dhe me të shëmtuar këtë situatë kaotike. 28 Nëntori zyrtarisht nuk është festa e Pavarësisë së Kosovës, por ama jashtë protokollit për të gjithë shqiptarët njihet si Dita e Flamurit. Ndaj dhe arrestimi i djeshëm ishte provokues dhe shkon përtej gatishmërisë së Policisë së Kosovës për të bërë detyrën. Sa për zellin e policisë mjafton të kujtojmë se prej disa vitesh nuk i largon dot barrikadat në veri të Kosovës nga serbët.
Ngjarjet e Ditës së Flamurit treguan dhe një tjetër problem të shtetit të ri të Kosovës. Këtu nuk është fjala për fatin personal të një lideri, por për mënyrën sesi po sillet mazhoranca Thaçi-Mustafa me opozitën. Të dhunosh deputetët e opozitës, të arrestosh 90 protestues brenda një ditë mu në zyrat e partisë dhe të rrahësh barbarisht protestuesit e tjerë, nuk ngjan si vendosje shteti ligjor . Më shumë duket si një vendosje e një regjimi të dhunshëm autokrat që ndërsehet kundër qytetarëve të vet. Nëse Kryeministri dhe Zv/kryeministri i Kosovës kanë menduar se me dhunë mund të bëjnë të heshtë opozita, duket se llogaritë i kanë bërë gabim. Dje vetëm sa i kanë hedhur benzinë zjarrit. Ajo që dëmtohet me shumë nga e gjithë kjo katrahurë është Kosova. Politikanët e shtetit të ri po dëshmojnë se më shumë u intereson pushteti personal, sesa forcimi i një republike që nuk e ka pasur të lehtë çdo ditë që nga krijimi i saj. Është e pashpjegueshme, sesi Thaçi dhe Mustafa ulen në një tavolinë dhe firmosin marrëveshje me serbët dhe nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët me shqiptarët. Pushteti i vuri prangat Albin Kurtit, por harron se i ka shtuar pikë edhe tek ata që e donin deri sa arrestuan.
Në fund, duhen bërë llogaritë se kush fiton nga e gjithë kjo. Shqiptarët e Kosovës, sigurisht që nuk fitojnë. Por kjo duket edhe si një mesazh që vjen nga Prishtina për pushtetin e dyshes Rama-Meta në Shqipëri karshi opozitës Basha-Berisha, ndonëse Sali Berisha nuk është Albin Kurti. Këtu, në Tiranë, të vendosin flakën demokratët po u preke ish-liderin e tyre që në fakt e kanë idhull.
Alban Prulli