Banditizëm dhe hakmarrje ndaj gjyqtarit Xhezair Zaganjori. Duan ta bëjnë pis, si të tjerët!
Nga S.Prulli
Xhezair Zaganjori është një burrë 61 vjeçar, i mbuluar nga thinjat e vitëve. Zaganjori drejton gjykatën e lartë të Shqipërisë që prej vitit 2013. Ai është një profesionist, burrë me karakter dhe asnjëherë i përfolur në sistemin e drejtësisë për akuza shpërdorim detyre apo korrupsion. Në krejt gjyqësorin e vlerësojnë si një jurist korrekt, i qetë, fjalëpak dhe zbatues i përpiktë i ligjit. Që prej vitit 2001 ai është edhe anëtar i Gjykatës së Pajtimit e Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Pra edhe një ekspert gjyqësor ndërkombëtar me vlera jo vetëm për Shqipërinë.
Ishte vota e Xhezair Zaganjorit kur ishte në Gjykatën Kushtetuese, i cili vendosi të rrëzojë marrëveshjen e qeverisë Berisha me Greqinë, e cila quhet Marrëveshja e Detit. Nëse vota e Zaganjorit do të ishte pro Marrëveshjes, tashmë grekët do ishin ofruar edhe me shumë bregut shqiptar me detin e tyre. Jo aqsa po projektohet nga qeveria Rama, por gjithsesi vendosmëria e tij kushtetuese ruajti integritetin e kufirit shqiptar. Ky ishte akt jo vetëm ligjshmerie dhe kushtetues, por edhe një Akt Kombëtar. Por tani Xhezair Zaganjorin e kanë vënë në thertoren e Vettingut ose të KPK, siç njihet shkurt nga publiku. Ai shkoi vetë, pa avokat, përballë KPK-së ditën e premte. E pyetën edhe për emrin e babait, të nënës, etj. Natyrisht formalizmave ligjorë nuk iu bën bisht askusht, porse ai njihet se është Xhezair Zaganjori.
Ishte Xhezair Zaganjori që kur e propozoi PD-ja për President Republike (para Bujar Nishanit) nuk pranoi, pasi tha se pa konsensusin e opozitës (PS) nuk pranoj të votohem. Dhe e refuzoi publikisht.
Ky është integritet dhe personalitet shtetror.
Nga mënyra se si e pyesnin të premten në KPK, si e vëzhgonin në bisht të syrit apo nga trajtimi me pyetje hetuesie, sikur kishin një kriminel para tyre, dukej hapur se kishte prapavijë politike për ta mposhtur krenarinë dhe korrektësinë e tij ligjore e kushtetuese. Zaganjori u përgjigj, nxori dokumenta, sqaroi duke respektuar Ligjin. Dikush që kishte interesa politike, në pragmarrëveshjen e re që po përgatitet me Greqinë, e donte Zaganjorin të “therur” në “thertoren” e KPK. Dhe kokën e tij të prerë ta daravisin mjediseve politike e mediatike, duke thënë se “kush guxon të dalë kundër marrëveshjes së detit me Greqinë, kështu do të përfundojë!
Nga Vettingu nxorën në media, mundet me qëllim diskretitimin e figurës dhe autoritetit të tij të padiskutueshëm, se kryetari i gjykatës së lartë nuk justifikon pasurinë. Me një finesë djallëzore, dikush lart, që nuk e do politikisht në gjykatë përhapi me vrap nëpër media dhe rrjete sociale se “Zaganjori nuk e justifikon dot apartamentin e tij dhe një garazh”. Natyrisht që mbetet një e drejtë e KPK dhe e specialistëve që punojnë pas tyre të hetojnë për këdo, pa përjashtim. Por nuk do të thotë se e tha KPK-ja dhe e ka thënë ZOTI!
Duket se një dorë e fshehtë, mundet edhe shërbimet greke në shenjë hakmarrje ndaj votës së tij antigreke, por thellësisht kushtetuese dhe shqiptare, po hakmerren ndaj tij.
Gjithçka ndodh në këtë Shqipëri!
Shërbimet intelegjente greke janë kudo nëpër politikë e në institucione të tjera shqiptare. Ka politikanë të korruptuar, qeveritarë apo ish-qeveritarë “bythë e brekë” me grekët dhe interesat e tyre në Shqipëri.
Edhe në këtë rast grekët nuk harrojnë, janë shumë korrekt me inatet dhe hakmarrjen e tyre. E sajuan bukur, me sa duket, me duart shqiptare të Vettingut se Xhezair Zaganjori ka një garazh makine që nuk e justifikon dot me burimet financiare.
Një pisllëk i paparë dhe me sa duket, siç po vertetohet përditë, PS-ja dhe kryeministri Rama paska një listë se cilët emra nuk i do në sistemin e drejtësisë. Nëse vertetohet kjo siç edhe akuzon opozita, atëhere Reforma ka vdekur që pa nisur, porse po vdes edhe njerëzit e ndershëm dhe profesionistë të drejtësisë.
“Nuk është momenti për intervista. Jam njeri i ligjit, dhe erdha në proces. E kam mbështetur reformën në Drejtësi, ndaj kam respektuar KPK dhe kam dokumentuar gjithçka. Kam 40 vite pune dhe kam punuar me përkushtim”, tha Zaganjori fill pas mbarimit të seancës së KPK. Teksa u pyet për faktin nëse kishte besim tek sistemi i drejtësisë, ai u shpreh se: “Nuk e di, atë do ta shohim, pasi të gjithë dokumentet qe kam pasur më është dashur që të shkoj në Gjermani”.
Turpi nuk paska kufi. Duan ta bëjnë pis edhe Xhezair Zaganjorin!
Nëse edhe Zaganjorin e largojnë me vendim KPK-ja, atëhere nuk duhet të punojë asnjeri nga gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që ndodhen sot në drejtësi. Mbetet më mirë që të ngrihen gjykata popullore komuniste të kohës së Enverit, të cilat kishin në përbërje sekretarin e partisë, kryetarin e këshillit të fshatit si dhe një të deleguar nga komiteti i partisë së rrethit.
Revanshi nuk paska të ndalur. Edhe kryetarin e gjykatës kushtetuese, Bashkim Dedja kanë kërkuar ta rihetojnë në apelin e Vettingut. Synimi mbetet që ta shkrijnë krejtësisht gjykatën kushtetuese, ku më pas qeveria të bëjë ç’të dojë në Shqipëri. Pa gjykatë kushtetuese dhe pa gjykatë të lartë, merret me mend se si shkojnë punët në një shtet të vogël si vendi ynë.
Të mos harrojmë edhe një gjë, e cila nuk duhet kaluar pa vëmëndje: Si ka mundësi që këta gjyqtarë e prokurorë që po shkarkohen janë nga Veriu? Rastësi?! E dini se edhe Xhezair Zaganjori është nga Shkodra dhe Bashkim Dedja nga Dibra? E të dy duan ti palosin me pretekstin Vetting. Pyetja shtrohet tashmë publikisht: Pse po largojnë gjithë drejtuesit e institucionëve kushtetuese që janë nga Veriu i Shqipërisë? Enver Hoxha sapo mori pushtetin dhe për ta çimentuar përjetsisht burgosi dhe shkarkoi elementët progresistë dhe kushtetues, kryesisht nga Veriu.
Sinqerisht që në rastin e Zaganjorit, por jo vetëm, po krijohet një precedent i rrezikshëm duke e kthyer nga Reformë në Monarki ku gjyqtarët e prokurorët i vendos Monarku… Mësimet e presidentit turk janë busull orientuese për Edi Ramën dhe mazhorancën.
Njerëz jini vigjelentë!- se kështu montohet diktatura. Nuk ka më diktaturë komuniste, por ka diktatura të llojit mafioz kolumbian.
CV e Xhezair Zaganjorit:
Xhezair Zaganjori lindi më 9 Mars, 1957 në Shkodër.
Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë.
Gjatë viteve 1992-1997, Z. Zaganjori ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë. Në vitin 1988 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”.
Në vitet 1998-1999 ka kontribuar si bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese, në Heidelberg të Republikës Federale të Gjermanisë.
Që prej vitit 2001, është anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë.
Prof.Dr. Xhezair Zaganjori është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Zaganjori, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë, me dekretin nr. 8065, të datës 22.03.2013 pas ushtrimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2003 deri në fillim të 2013.
Ai u emërua Kryetar i Gjykatës së Lartë në 24.03.2013, me dekretin nr. 8120