Turqia do të kthehet në shtet policor?
Prej javësh në Turqi flitet për reforma në sistemin e sigurisë. Madje kryeministri Ahmet Davutoglu flet për “reforma revolucionare”. Ato do të mbrojnë liritë e individit dhe sigurinë e brendshme të shtetit, deklaroi Davutoglu. Kur dikush mban në dorë një bombë koktejl Molotov, atëhere mbaron e drejta për të protestuar dhe fillon dhuna, paralajmëroi Kryeministri. Ndëra zëvëndës kryeministri Bülent Arinc, deklaroi se janë përmbushur standartet e kërkuara nga BE.
Turqia shtet policor?
Më 14 tetor dy deputetë të partisë në pushtet AKP sollën një pjesë të reformës si draft në Parlament. Projektligji me titullin “Metodat efektive hetuese” ka të bëjë me ndryshimet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale. Sipas këtij drafti në të ardhmen do të përgjohen telefonat e të ashtuquajturve kriminelë kundër shtetit. Për të hapur hetime më pas nuk duhet një “dyshim i fortë” si deri tani, por një “dyshim i arsyeshëm”. Do të lehtësohet edhe konfiskimi i pasurisë së të dënuarve.
Kritikët i tremben krijimit të një shteti policor. “AKP do të kthejë Turqinë në një burg të hapur”, thotë Kemal Kilicdaroglu, kryetar i partisë më të madhe opozitare CHP. Dhe në një njoftim për shtyp të organizatës të së drejtave të njeriut Human Rights Watch thuhet se ligji mund të përdoret kundër kritikëve të qeverisë dhe se mund të kufizojë punën e avokatëve. “Ligji do t’i japë më shumë fuqi policisë, duke justifikuar hetimet me një „dyshim të arsyeshëm“. Ky është një hap mbrapa në krahasim me reformën që u mor në shkurt 2014, sipas së cilës policia mund të niste hetim vetëm pas një dyshimi të fortë”, shkruhet në njoftimin e Human Rights Watch. Sipas organizatës të të drejtave të njeriut ky ndryshim në procedura bëhet vetëm për të goditur kundërshtarët politikë.
Paketë reformash jo e plotë
Edhe një deklaratë e shefit të qeverisë shkon në këtë drejtim. “Projektligji do të hapë rrugën për dënim më të rëndë ndaj atyre që demonstrojnë në mënyrë të dhunshme”, tha Davutoglu. Demonstruesit që mbulojnë fytyrën në të ardhmen do të trajtohen si “kriminelë potencialë” nga policia. Masa do të ketë edhe ndaj atyre që bëjnë thirrje për dhunë nga mediat sociale. Policia mund t’i mbajë ata nën arrest për 24 orë pa pasur një fletë arresti nga Gjykata, ndërsa një prokuror mund ta zgjasë arrestimin në 48 orë.
“Në fakt duket sikur Qeveria po i jep shumë fuqi policisë. Është sugjeruar gjithashtu që në të ardhmen policia të ketë mundësi të çojë të arrestuarit në vende të sigurta jashtë rajoneve policiore”, thotë në një bisedë me DW Lami Bertan Tokuzlu, profesor drejtësie pranë Universitetit Bilgi në Stamboll. Sipas tij kjo gjë ka ndodhur edhe më parë jo zyrtarisht, por tani që do të legalizohet, rreziku i dhunimit të të drejtave personale është më i madh.
Privatësia në rrezik
Tokuzlu thotë se projektligji nuk është në përputhje me ato të BE. “Qeveria turke kërkon pika të përbashkëta me ligjin gjerman, në mënyrë që të justifikojë reformën. Por duhet marrë i gjithë sistemi politik dhe jo vetëm disa pjesë të tij”, thotë ai. Në Turqi përshembull përgjimi shpesh herë bëhet pa vendim gjykate, thotë profesori i drejtësisë. “Dhe në qoftë se ka një vendim gjykate, formulohet në mënyrë aq të përgjithshme, sa përshembull mund të përgjohet një provincë e tërë. Nuk bëhet vetëm ndaj një personi. Vendime të tilla janë të pakuptimta dhe nuk mbrojnë sferën private“, thotë Tokuzlu.
“Në Gjermani ka një kontroll rigoroz të gjykatave. Të gjitha masat e sigurisë mund të shqyrtohen nga Gjykata ADMINISTRATIVE, që punon me gjykatës të pavarur“, thotë Hermann Pünder, profesor drejtësie pranë Bucerius Law School në Hamburg. Edhe ndaj policëve që shkelin të drejtat veprohet me rigorozitet shton ai. Është diçka pozitive që Tuqia kërkon të orientohet nga ligjet gjermane, po kjo nuk duhet të ndodhë vetëm në letër. “Është e rëndësishme, që ligje të tilla të hyjnë në fuqi më pas dhe të mbrohen të drejtat individuale”, thekson Pünder.