TVSH, PS:Ose votoni ose shkrihet Këshilli!
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:16
Në kohën që njërëzit votonin për zgjedhjet e 21 qershorit një mendje dinake vendosi që të votohej edhe zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit Publik. Pra që publiku të mos e kishte mendjen tek televizioni Publik që mbahet me taksat e shqiptarëve e që prej shumë vitesh është shkatërruar si institucion mediatik nga PD e PS, por edhe nga pronarët e televizioneve private të cilët e kanë dashur për ta zhvatur dhe kryesisht që ta hiqnin nga konkurenca radiotelevizive. Dhe fatkeqsisht, ia kanë arritur të gjithë bashkë; PS, PD dhe këto pronarë. E dërmuan të vetmin RTSH ose gjigandin e madh , i cili tashmë është rrëzuar dhe rënkon i shtrirë përtokë prej vitesh, pikërisht se janë paratë e publikut dhe ku mund ta vjedhësh ç’të duash.
Ky institucion mediatik publik që ka një mori punonjësisht, diku tek 1 mijë veta, ku futen gazetarë, punonjës, drejtues, profesionistë, aventurierë, etj tashmë ka një ligj të miratuar nga dyja palët, pozitë e opozitë me një ndërhyrje ndërkombëtare, që duket me shumë e ka shkatërruar ligjin se sa e ka bërë atë modern. Por ligji, sado i keq , mbetet ligj për t’u zbatuar. Janë 11 anëtarë të Keshillit Drejtues të TVSH të zgjedhur nga parlamenti, e ku pesë janë të propozuar nga opozita dhe pesë nga mazhoranca e ku një votë e 11-të është e kryetarit të këtij keshilli zgjedhur edhe ky direkt në këtë funksion prej parlamentit. Ligji e do që zgjidhet drejtor i përgjithshëm kandidati që merr 2/3 e votave të keshillit në fjalë. Faktikisht po konkurojnë dy emra nga bota e medias dhe e kulturës; Thoma Gëllçi dhe Petrit Malaj. Të dy të majtë dhe kanë shkuar me vota si në një rreth vicioz. Para se të dilnin në duel final të ditës së enjte votat ishin Artur Zheji 1 votë, Petrit Malaj 5 vota dhe Thoma Gëllçi pesë vota. Më pas Zheji iku nga konkurimi dhe u përballën të dy. Malaj mori 6 vota dhe Gëllçi 5, por duhej që njëri të merrte patjetër 7 vota. U përsërit votimi dhe Gëllçi mori 6 vota e Malaj 5. Tani mbetet votimi i fundit javën e ardhshme. Duket se sejcili ka vota bllokuese nga njeri kamp politik dhe situata do të shkojë drejt votimit të javës së tjetër, ku ose njeri merr shtatë vota ose votimi do shkojë pa ndalesë, derisa dikush të dorëzohet ose të blihet nga anëtarët e keshillit drejtues.
Ndërkohë Mero Baze ka dalë me një artikull ku i bën analizën e saktë RTSH dhe që edhe me këtë ligj e më këtë mënyrë prapë RTSH nuk do t’i kthehet publikut. Nuk vonoi dhe nxori në profilin e tij në facebook një tjetër zgjidhje nënkryetari i komisionit parlamentar të medias, deputeti i PS-së Alfred peza, një gazetar realisht me eksperiencë kryesisht në median e shkruar. Ai me shqetsim thotë se situata nuk duket e mirë dhe se e pranon se ligji duhet ndryshuar. Pra nëpërmjet rrjeshtave me finesë ai pohon se nuk është kjo duhet për RTSH që ti kthehet publikut. Bile, po me një presion të një stili profesionist të mësuar në kohët e vjetra të punës si gazetar ai shkruan si më poshtë:
Ndaj, nëse Keshilli Drejtues i RTSH nuk do arrijë as herën e katërt që të prodhojë konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të këtij institucioni, (ligji aktual nuk përcakton asnjë kufi limit votimesh, duke lenë hapur deren për prodhimin e një krize të re në drejtimin e institucionit) do t’i propozoj Parlamentit, sëbashku me një grup kolegesh deputetë të PS ndryshimin e ligjit për mediat audiovizive. Duke futur në proceduren e zgjedhjes së drejtorit të ri të TVSH, proceduren që ndiqet në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikes. Sipas së ciles, nëse në tri heret e para deshton zgjedhja e drejtorit të ri të përgjithshem të TVSH me 2/3 e votave, në votimin e 4 dhe të 5 zgjedhja të bëhet me shumicen e thjeshtë të votave të Keshillit. Nëse edhe pas kësaj drejtori nuk zgjidhet, atëhere Keshilli shpërndahet.
Kjo sepse drejtori i TVSH, nuk mund të jetë një person më i rëndësishëm se Presidenti i Republikes. Dhe Keshilli drejtues, nuk mund të jetë më i rëndësishem se vetë Parlamenti që e ka zgjedhur. Ligji aktual është konsensual dhe detyron zgjedhjen e një drejtori konsensual të TVSH në kushtet kur konsensusi është qellimi, fryma dhe zgjidhja. Por jo në kushtet kur konsensusit, tentohet të shfrytëzohet si shtegu që të çon tek instalimi i diktatures bllokuese të minorances. Ndaj amendimi që do i propozohet Parlamentit për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshem të TVSH, nuk mund të bëhet me keshillin aktual, i cili rezultoi i paefektshem për të gjetur konsensusin e aq shumë dëshiruar nga ligji dhe nga pronari i vertetë i TVSH, publiku shqiptar”.
Pra, shumica parlamentare në këtë rast ka lëshuar hapur presionin se “ose votoni ose shkarkoheni!”. Por shumica e sotme, dikur opozitare, kishte të tjera parime profesionale në zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm, porse sapo erdhi në pushtet u bë si PD-ja se e do për vete edhe këtë institucion. Po të shikosh disa nene të ligjit në fuqi janë antikushtuese dhe flagrante jo profesionale, porse kjo do një debat më të gjetë televiziv, pasi mënyra se si është ndërtuar ligji është tamam siç e thotë edhe Mero Baze; një ligj që nuk rregullon RTSH për t’ia kthyer publikut, por për të hequr një drejtor e për të vënë një tjetër drejtor. Jo për publikun.
Duke njohur emrat që janë në keshillin drejtues të RTSH, sidomos gjysmën e tyre që nuk kanë lidhje me këtë botë mediatike e për t’ia kthyer publikut ka mundësi që presioni i PS-së të bëjë efekt; të votojnë dhe ta mbyllin këtë kapitull që zgjedh një drejtor , por nuk ia kthen publikut RTSH, sado pasionant të jetë drejtori i ri.
Në RTSH ka edhe shumë vende pune, ka edhe tendera, ka plot miliona euro që duhen shpenzuar, ndaj sa më shpejt të votohet drejtori i ri, i cili kushdo që të jetë Gëllçi apo Malaj, ndonëse janë korrekt si persona , por do ta kenë të vështirë ta reformojnë me këtë ligj e më këtë psikologji politike ku e duan këtë institucion mediatik nën varësinë e tyre.
Nëse vertet Edi Rama do të ishte për atë çka thoshte në opozitë për RTSH duhej të kishte bërë ligj tjetër,që ta kthente në BBC shqiptare, porse siç po kuptohet as Rama nuk po ndryshon në këtë pikë nga Berisha. E do për vete RTSH-në !