UEFA paralajmëron: Jo politika në FSHF!
-Drejtor i komunikimit në Federatën Europiane të Futbollit: Nuk do të tolerojmë asnjë ndërhyrë politike në garën për kreun e futbollit shqiptar.
Gara për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Shqiptar është në momentet kur kandidatët po “mprehin shpatat” për betejën që zhvillohet më 7 shkurt. Në garë është kreu aktual i FSHF, Armando Duka dhe deputeti socialist, Bashkim Fino. Mes dy rivalëve ditët e fundit ka pasur replika, akuza dhe padi penale. Ndërkohë në ditët në vijim, pritet një përplasje edhe më e fortë. Gjithë kjo situatë që po ndodh në futbollit shqiptar është nën monitorim të rreptë nga UEFA, institucioni që njihet si “qeveria” e futbollit evropian.
Dje ka ardhur reagimi i parë nga ky institucion duke përcjellë në Tiranë një mesazh që më shumë dukej si një paralajmërim për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. “Pozicionimi i UEFA-s në ndërhyrjet politike është shumë i qartë, 0 tolerancë. Kjo është pjesë e statutit të UEFA-s, statutit të FIFIA-s, ashtu siç edhe ju e dini, për këtë arsye ne nuk do të lejomë asnjë ndërhyrje të politikës në çdo formë të futbollit”,- deklaroi dje për “Top Channel”, Pedro Pinto drejtor i komunikimit në UEFA.
Përfaqësuesi i institucionit të futbollit europian ka shtuar se për gjithë procesin dhe përplasjet që po ndodhin këto ditë në Tiranë do të ketë një qëndrim final të UEFA. Ndërkohë vëzhgues të UEFA do të vijnë në Tiranë për të parë nga afër procesin e votimit dhe zbatimin e rregullores ndërkombëtare për këto zgjedhje. “Sa i përket procesit të zgjedhjeve UEFA do të sjellë në Shqipëri një grup të fortë delegatësh që do të ndjekin procedurat dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e procesit. Do të na duhet të sigurojmë kryesisht që delegatët të mos ndjejnë asnjë presion gjatë procesit të votimit dhe që vota të mbetet sekrete. Ne do të monitorojmë situatën nga shumë afër që çdo gjë që parashikon rregullorja të ndiqet dhe më pas do të kemi një raport nga delagatët tanë. Vetëm pas këtij procesi UEFA do të vlerësojë situatën”,- tha Pedro Pinto.
Deklarata e bërë nga zyrtari i UEFA-s është një sinjal paralajmërues për atë që po ndodh me garën për Federatën Shqiptare të Futbollit. Jo rastësisht theksohen ndërhyrjet politike. Që në nisje, pavarësisht profilit të kandidatëve, mbajtja e posteve politike ka ngritur dyshime serioze për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të FSHF. Në garë është një ish-kryeministër dhe deputet i Partisë Socialiste, Bashkim Fino. Si i apasionur pas futbollit dhe si një menaxher Bashkim Fino nuk mund të kritikohet, por hyrja në garë pa hequr më parë mandatin e deputetit e paragjykon gjithë procesin. Nën presionin e opinionit public, Fino dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste. Por kaq nuk mjafton. Në zgjedhje është një deputet i PS me jo pak ndikim në vendimmarrjen e klubeve sportive që financohen nga bashkitë e majta. Qëndrimet politike në votat që do të hidhen në asamble nuk përjashtohen. Ndërkohë që edhe presionet me fonde të bashkive janë një metodë që është përdorur dhe në fusha të tjera veç sportit.
Por nëse UEFA jep notë kritike për zgjedhjet dhe penalizon Shqipërinë, në fund përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e Bashkim Finos, por Edi Ramës. Kryeministri është njeriu që drejton forcën politike ku bënë pjesë Bashkim Fino dhe indirekt mbështetësi i kandidaturës së tij. Pavarësisht se Edi Rama ka deklaruar se nuk ndërhynë në këtë garë, po Edi Rama ka deklaruar se mandatet e deputetëve nuk janë personal, por të Partisë Socialiste. Dhe nëse Fino është në garë si deputet me apo pa dashje ka bërë pjesë të kësaj fushate dhe PS, Edi Ramën dhe gjithë qeverinë.
UEFA po vëzhgon dhe mund të na penalizojë si shtet.
Q.Xh.