Ultimatumi Lu

Ndërkombëtarët duket se e kanë humbur durimin me klasën politike në vend. Në takimin e djeshëm të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ambasadori i SHBA-ve Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin kanë kërkuar afate konkrete për miratimin e reformës në drejtësi. Dy diplomatët kanë kërkuar që partitë të heqin dorë nga lojërat politike dhe brenda muajit qershor reforma të jetë e miratuar. Kërkesa për miratimin e dokumentit final është bërë dhe herë të tjera, por ndryshe nga më parë, dje qëndrimet e diplomatëve kanë qenë në formë ultimatumi.

Më i drejtpërdrejtë ka qenë ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu. Në gjuhën shqipe, u tha përfaqësuesve të partive politike se nuk ka më justifikime. Ai solli në vëmendje faktin se Presidenti i SHBA, Barak Obama, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe gjithë zyrtarët e BE dhe SHBA kanë dhënë mbështetjen për këtë reformë. Si asnjë herë tjetër ndërkombëtarët kanë dalë hapur në favor të një projekti që duhet të ishte miratuar. Një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nga politikanët pritet vetëm që të bëjnë punën e tyre, të votojnë ligjet. Pra mos bëni fjalë, por votojeni këtë që ju kemi sjellë ! Po guxuat ndryshe, mendojeni!

Nuk kanë munguar dhe kërcënimet direkte në fjalën e ambasadorit. Kërcënime për çdo forcë politike, apo drejtues partie që do të dalë kundër saj. “E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë.  E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë”, – tha diplomati amerikanë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Qëndrime më të qarta në favor të kalimit të draftit në Kuvend nuk janë mbajtur asnjë herë. Duke parashikuar dhe kundërshtimet që mund të vijnë për pikat e draftit përfundimtar, diplomati Lu deklaroi se dokumenti i rishikuar është hartuar nga ekspertët më të mirë të BE dhe SHBA. Deklaratat e ashpra të ambasadorit Lu duket se dhanë efekt. Fill pas fjalimit Kryeministri Edi Rama deklaroi se ishte dakord plotësisht me qëndrimin e diplomatëve të huaj. Sipas tij, Partia Socialiste është gati ta miratonte menjëherë dokumentin e reformës. Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta ka shprehur qëndrimin e njohur të tyre të bërë përherë publik se janë për kalimin e reformës sa më shpejt. Madje, sipas Metës reforma duhet të ishte miratuar me kohë dhe kjo gjë do kishte dhënë efekte direkte në procesin e integrimit në BE. Për kreun e PD-së, Lulzim Basha opozita nuk është kundër reformës, por sipas tij deri më sot miratimi është penguar nga Partia Socialiste dhe propozimet e saj që kanë qenë kundër  gjetjes së konsensusit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përpara se diplomatët e SHBA dhe BE të uleshin në tryezën e komisionit për reformën në drejtësi, gjatë ditëve të fundit kanë pasur takime intensive me drejtuesit e partive politike. Të martën janë zhvilluar disa takime të veçanta me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Duket se në takimet e fundit është marrë dakordësia paraprake për kalimin e reformës nga ana e opozitës. Në mënyrë jo zyrtare, dje ishte rënë dakord që drafti final të kalonte për miratim në parim në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Por në minutat e fundit, Partia Demokratike kërkoi kohë që ta shqyrtonte edhe një herë dokumentin me ndryshimet e reja. E hëna e ardhshme është lënë si afat për takimin e radhës mes PS, PD dhe LSI për votimin e dokumentit në parim. Deri të hënën situata mund të ketë ndryshuar. Por pavarësisht kësaj, ndërkombëtarët nuk do të tolerojnë më. Dje dhanë ultimatumin. Ata që nuk e miratojnë do ndëshkohen- tha Lu.

Në të vertetë nëse do të kishim parlament dinjitoz, të papërzier me krimin, nëse do kishim një drejtësi të drejtë  atëhere çdo ndërhyrje e të huajve me tone kaq të prera e të ashpra ndaj një sovrani siç parlamenti, do të ishte e pafalshme. Por  duket se një pjesë e madhe e politikës e ka “mizën në kësulë” e nuk ka dinjitetin të thotë se jemi vend sovran dhe ligjet burojnë e miratohen nga të votuarit e Sovranit-popull.

Fatkeqsisht këta deputetë kemi dhe ndaj vihuni në rrjesht dhe votoni pa bërë gek as mek !

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?