Vakumi i Bashës që po mbushet nga Fahriu, Lefteri e Pollo
Nga Çim Peka
Heshtja e kryetarit te PD-se Lulzim Basha pas zgjedhjeve është ndoshta fiks ndryshimi që ka Basha me të gjithë kryetarët 25-vjeçar të dy partive të mëdha. Lulzim Basha ka të gjithë elementët e nevojshëm për të krijuar një fabul mbi rezultatin e dobët në zgjedhjet lokale. Ndoshta më shumë se te gjithë paraardhësit e tij.
Por nuk po e bën i vetëdijshëm se gara e tij është ajo e 2017. Dhe për ta fituar atë garë duhet ti shkojë deri në fund betejës së dekriminalizimit. Gjasat janë se nuk e ka gabim si skemë dhe llogari politike. Por ndoshta pa e kuptuar Basha po bën një gabim që mund ta dëmtojë në betejën e tij.
Siç duket Lulzim Basha mendon se e gjithë baza e elektoratit të tij, e kupton se çfarë mendon dhe ka në plan të bëjë kryetari Basha. Nuk mendon se këta njerëz kanë nevojë të sqarohen e te mbahen koherent. Aq më shumë një elektorat që ushqehet vetëm me politikë.
Kjo shtresë që nuk rri dot pa ushqim politik, do të konsumojë me patjetër diçka politike.
Në mos ushqimin e kryetarit Basha, do hajë ushqimin e prishur që servir për nevojat e tij Fahriu, Genci, Lefteri, e plot të tillë që si do që të jenë, duket qe nuk ju mungon nuhatja për të kuptuar se kryetari Basha ka lënë një vakum me heshtjen e tij, dhe këta mund të bëjnë lajm në mungesë të lajmit nga shefi i selisë blu.
Prandaj Basha duhet të flasë.
Nuk duhet të heshtë edhe po të jetë i qartë në idetë e tij. Populli i djathtë ka nevojë të dëgjojë çdo ditë një njeri që flet për ta. E po nuk u foli Basha, do u flasë Fahriu, Lefteri, Genci, Fatos Hoxha e plot të tillë. Paçka se ndër këta Lefteri duket të jete më parimori.
Populli i djathtë ka nevojë të dëgjojë çdo ditë se çfarë mendon Basha e jo çfarë mendon shoku i Bashës e i Metës, Fahri Balliu. Ata duan të dinë se çfarë mendon Basha e jo se çfarë mendon Pollo më emër të Bashës. Ata duan të dinë se si do ti sjellë Basha në pushtet e jo se si e këshillon Lefter Maliqi, kryetarin Basha për të ardhur në pushtet.
Edhe Papa flet një herë në javë. Shumë më shumë se Lulzim Basha këto kohë. Kryetari i PD-së duket se nuk kupton as nevojën e mediave për lajm. Në realitetin mediatik shqiptar, lajmi nuk bëhet kur do Basha dhe opozita ta prodhojë, por kur mediat kanë nevojë për lajm nga opozita.
Në këtë aspekt megjithëse duket a’llogjike por fatkeqësisht kështu është, Basha duhet të flasë kur mediat kanë nevojë që ai të flasë, jo vetëm kur Basha e mendon të arsyeshme të flasë. Ndryshe ndodh kjo që po ndodh. Mediat i referohen Fahriut, Lefterit, Gencit, Marjanit e Izetit për atë se çfarë po ndodh e do të ndodh me opozitën.
Kryetari i opozitës nuk e ka luksin të zgjedh se kur duhet të flasë. Ai duhet të flasë gjithë kohën. Pa pushim. Tetë vjet e bëri çdo ditë këtë gjë Sali Berisha deri sa erdhi në pushtet. Edi Rama ishte bërë si kryeredaktor i buletineve funeral duke marrë pjesë edhe në aborte imagjinare vetëm e vetëm që të ishte çdo ditë në ekran.
Qytetarët duan të dëgjojnë Bashën dhe kur nuk janë dakord me të. Ndryshe do detyrohen të dëgjojnë Fahriun, Lefterin e Gencin nga opozita. Por me tezat e Fahriut për aleancë me Metën, të Pollos për aleancë me Ramën e të Lefterit për aleancë edhe me “UFO-n” në Berat, opozita nuk ka thënë asgjë.
Nëqoftëse se kryeministri Rama e ka luksin e të qenurit në pushtet për të pushuar dhe të nxjerrë Erion Veliajn të flasë se ku duhet bërë çiçi e ku duhet bërë kaka, opozita nuk e ka luksin të pushojë, e të lerë Fahri Balliun e Genc Pollon që tu ofrojë demokratëve të zgjedhin mes çiçit dhe kakës.(syri.net)