Rama-Basha “flirt” dhe “dashuri”
Takimet mes liderëve të mazhorancës dhe të opozitës në një vend normal demokratik nuk përbëjnë ndonjë lajm surprizë, pasi ato duhen nëse janë për hir të popullit dhe shtetit. Edhe në Shqipëri duhej të kishin ndodhur e të ishin bërë normë politike. Por të gjithë e dijmë se nuk ndodhin ose kur ndodhin bëhen pas krizave shumë të mëdha politike. Mbahen mend takimet ndër këto dekada mes Majko-Meta dhe Berishës në vitin 1999 si dhe në vitin 2002 mes Berishës dhe Nanos. I pari para luftës së Kosovës dhe i dyti pas krizës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Takime të këtij niveli apo mes liderit të forcës kryesore dhe asaj të opozitës nuk kanë ndodhur më, ndonëse vjet pati fjalë se në fundgushti u zhvillua një takim i fshehtë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Vjenë nën patronazhin e miliarderit shqiptar Samir Mane. Dhe realisht ky takim ka ndodhur në fshehtësi edhe të ish-liderit të PD-së Berisha, ashtu sikurse edhe pa lajmëruar as bashkëkryetarin e mazhorancës Ilir Meta. Takimi i fshehtë i vitit të kaluar nuk u pranua asnjëherë nga Rama dhe Basha, ndonëse “ndërmjetësi” ka folur në prani të disa gazetarëve në Qerret, buzë detit, se “ i takova pasi Saliu dhe Iliri duhet të ikin në burg! Plani është gati !”. Dhe fill pas këtij takimi të fshehtë u organizua në mënyrë përfekte mafioze sulmi ndaj Ilir Metës në media dhe në politikë. Edi Rama heshti në dukje, por fërkonte duart poshtë tavolinës sepse eliminonte konkurentin e tij në fushën e së majtës Ilir Metën me LSI. Nuk sulmoi direkt, se e dinte përgjigjen, porse ndërseu plot të paguar nga një grup politiko-financiaro-mafioz që dirigjon miliona euro nga fondet publike të shtetit. Sulmi filloi, vazhdoi dhe mbaroi pa sukses ndaj Ilir Metës vitin e kaluar.
Edi Rama ngjiste shkallët çdo javë tek zyra e Ilir Metës, buzëqeshte, dilte me xhinse, shëtiste poshtë zyrës së kreut të Kuvendit dhe thoshte dy ministrave të tij se “ edhe pak e palosëm këtë sipër!”. Por Meta doli kockë e fortë sa nuk e nxinte dot gurmazi i Kryeministrit dhe as fyti në formë hinke i Lulzim Bashës. Pjesë e paktit të Vjenës ishte në fillim heqja qafe e Ilir Metës dhe më pas palosja e Sali Berishës me duart e Ramës duke tunduar “kokën e prerë” të kryeparlamentarit. Mëqënëse me Ilir Metën dështuan, për njëmijë e një arësye, tashmë pjesë e pazarit të këtij fundviti mbetet largimi nga skena politike i Sali Berishës. Dhe jo vetëm nga politika, por mundësisht edhe me burg. Ose dikë në familje që ta çmendin krejt. Skemë e nivelit të lartë mafioz. Nëse ka fakte korruptive të shkojë në burg kushdo qoftë, por jo me pakt Rama-Basha e ku flitet për skenare jo drejtësie. Që ti dilet para Saliut nuk e mendojnë as në endërr në selinë blu, sepse e dijnë se ai i shkrin të gjallë vetëm po të marrë udhën në mesnatë drejt selisë së PD-së. Atëhere nga strategjia kundër Berishës kanë kaluar në taktikë të re;ta sulmojnë Berishën dhe ta deskreditojnë nga pak e përditë derisa tek qëllimi final. E përjashtojnë nga parlamenti, duke e denigruar. I hapin çështje penale djalit sapo të mbarojë reforma në drejtësi.
Ndërkohë kryeministri, përsëri dinak, i nisi ftesë kreut të PD-së Lulzim Basha për të bërë sa më popullor. Dhe si kundërshpërblim i rrit kuotat Bashës si lider i fortë. Nuk vonoi dhe Basha i përgjigjet mënjëherë paradite se “po takohemi me 1 qershor”. Por pasdite vonë PS-ja me urdhër të kryeministrit Rama e përjashton në Byronë e Kuvendit ish-liderin historik të PD-së nga punimet e Kuvendit. Pra është lojë fine e të dyve, Rama-Basha që të hedhin valle dyshe sipas planit të fundgushtit të vitit të kaluar në Vjenë është se 8 vjet e mban pushtetin Rama dhe me pas ia dorëzon Bashës 8 vjet të tjera. Por pa Berishën dhe Metën nëpër këmbë ! Ose varianti tjetër është se Lulzim Basha ka rënë pre e lojës djallëzore të kryeministrit që paradite i jep “kulaçin” Bashës dhe në darkë “kërbaçin” Berishës. Kjo del politikë fëminore tamam si data 1 qershor që Basha i ka kthyer përgjigje Ramës që takohemi. Nuk takohen burrat ditën e kalamajve!
Nëse do të ishte ndryshe atëhere pse pikërisht në të njëjtën ditë që shkon ftesa në selinë e PD-së nga PS-ja dënohet ish-lideri historik i selisë blu Berisha? Natyrisht që pa urdhërin e Ramës nuk ka guxuar Ruçi të bëjë kërkesën për përjashtimin e Saliut. Po të jetë qëllimi i mirë i të dyve nuk do ta dënonte fare Berishën PS-ja e Ramës, bile tërhiqej duke dhënë shënjë kompromisi parimor. Dhe prapë,nëse nuk ka “Pazar Vjene”,mënjëherë duhej të reagonte Lulzim Basha për dënimin përsë dyti të Sali Berishës. Reagim i fortë dhe nuk mund ketë takim kur dënon ish-liderin.
Asnjëra nuk ndodhi! Ata po shkojnë në takimin e “dashurisë zyrtare” pas “flirtit romantik” të fundgushtit në Vjenë.
Spiten Prulli