Vasili: Teatri nuk ra nga tërmeti. Rama le t’i bëjë kullat të Ministria
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i cilëson qëndrimet e qeverisë për shembjen e teatrit si një mashtrim. Duke ju referuar deklaratave të zyrtarëve të qeverisë që shpreheshin se Teatri Kombëtar do të shembej nga tërmetet, Vasili thotë se sot pati më shumë se 40 lëkundje dhe Teatri nuk ra. Vasili shprehet se të gjithë ata që e justifikojnë shkatërrimin e teatrit me rrezikun e shembjes nga shkaqet natyrore, sot dështuan.
Kreu i deputetëve të LSI-së i sugjeron kryeministrit që kullat ti ndërtojë te Ministria e Bujqësisë, e cila u dëmtua nga tërmeti. “Kasandrat e qeverisë me në krye kryeministrin e ca e ca të tjerë abortuan për faqe të zezë sepse teatri nuk u shemb, nuk u rrezua, nuk ra. Po pa gjë nuk dolën. Meqë godina e Ministrisë së Bujqësisë nuk u mbajt si duhet le ta shembin atë e le të bëjnë një kulle 100 katëshe që të mos humbasin asnjë lek, dhe le ta lënë rehat edhe teatrin, edhe artin, edhe artistet, edhe qytetarët,edhe qytetin”,- shprehet Petrit Vasili.
Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:
“40 goditje tërmeti, teatri, që nuk u rrezua dhe qeveria që abortoi këlyshin e hajdutllëkut.
Tërmeti shumë i fortë rreth 6 ballë dhe rreth 40 lëkundje te tokës nuk ja dolën të shembin Teatrin Kombëtar. Tërmeti dëmtoi për fat të keq Ministrinë e Bujqësisë, e plasariti thellë në mes fasadën e saj.
Kasandrat e qeverisë me në krye kryeministrin e ca e ca të tjerë abortuan për faqe të zezë sepse teatri nuk u shemb, nuk u rrezua, nuk ra. Po pa gjë nuk dolën. Meqë godina e Ministrisë së Bujqësisë nuk u mbajt si duhet le ta shembin atë e le të bëjnë një kulle 100 katëshe që të mos humbasin asnjë lek, dhe le ta lënë rehat edhe teatrin, edhe artin, edhe artistet, edhe qytetarët,edhe qytetin.
Edhe katet e kullave që do humbin te teatri do t’i fitojnë prapë. Edhe do pushojnë se na çanë dërrasat për të na mbushur mendjen që sipas këtyre ” teatri vërtet nuk ra, por ai ra.”
Nuk ra ore nuk ra teatri është atje ku qëndron prej 70 e kusur vjetësh.
Edhe Perëndia është kundër hajduteve ndaj e çoi tërmetin për t’i turpëruar këta të paturpët e qeverise e të bashkisë. Teatri që sipas këtyre dhe ca e ca te tjerëve do binte nga çasti në çast mbajti 40 goditje tërmeti, plot 40 goditje.
Kryeministri me gjithë bashki të shpallin tërmetin non grata, le të mbyllin edhe kisha e xhamia sepse me këtë termet kanë mallkuar e nxjerrë bojën vandalëve të qeverise e të bashkise, që vunë dorë mbi qytetin, mbi artin e tij, mbi historinë e tij, mbi vlerat e tij”.