VDEKJA PËR PUSHTETIN

Po të sprovosh të thuash me pak fjalë se çfarë po ndodh këto ditë,…. dmth çfarë po ndodh në kupolën e pushtetit, çfarë po ndodh mes atyre në kupolë, çfarë po ndodh këtu poshtë ku rrojnë viktimat; dhe çfarë po ndodh mes shtresës së viktimave dhe kulmit të pushtetit!?,… fjala më e shkurtër është cila?!….

Fjala më e shkurtër për këtë që po ndodh, mund të jetë kjo: Po ndodh vdekja për pushtetin!

Ata atje lart po “theren” mes veti për të tërhequr sa më shumë pushtet rreth vetes dhe për të eleminuar mikun armik. Ndërsa këta këtu poshtë, tek shikojnë betejën lart, vdesin dyfish: E para si viktima të qeverisjes së keqe dhe e dyta si pasionantë të atyre lart që po therren për pushtetin.

Ky është gjithë amfiteatri sot.

Të gjitha mediat, të shkrura në letër dhe të hapura në ekrane, të shkruara në portale e në bloge,…. të gjitha sjellin pamjet e luftës. Sigurisht, secili si ushtar i dikujt. Por të gjitha së bashku dëshmojnë betejën.

Dje beteja u zhvendos në fushën mes selisë së Qeverisë dhe selisë së Kuvendit, të dyja si Olimpi ku gjithnjë rri zoti i keq i shqiptarëve. Gjatë epokës së diktaturës komuniste në njërën nga godinat hijerëndë rrinte diktatori Hoxha dhe në tjetrën rrinte kryeministri legjendar Shehu. Të dy ballëpërballë dhe të dashuruar me njëri tjetrin. Erdhi një ditë kur njëri hëngri kokën tjetrit, sekretari i Parë vrau kryeministrin. Mes këtyre godinave dje u zhvillua beteja post-komuniste mes dy më të fortëve të vendit, përsëri mes dy më të fortëve. Kryeministri Rama me ngjashmëri të frikshme me sekretarin e parë, Hoxha, po përplaset me kryetarin Meta që ka shpallur trendin e tij “të jemë si Mehmet Shehu”.

Dje ishte e Mërkurë, si të thuash e Premte, herë e zezë e herë e bardhë. E mërkura është caktuar si dita kur dy më të fortët e vendit takohen në njerën nga godinat hijerënda. Të dyja mund të thuash se ndodhen në oborrin e vilës ku u vra kryeministri Shehu. Kur ndodh që takohen, kjo quhet e Mërkurrë e Bardhë. Dje e mërkura mori hije të zezë.

Kryeministri Rama dhe kryetari Meta, dje nuk u takuan. Viktimat poshtë kupolës së pushtetit u tronditën për “çarjen” mes të mëdhenjve. Ndërsa të mëdhenjtë mprehën shpatat. Mediat pranë Ilir Metës thanë se ky nuk denjoji të presë kryeministrin; ndërsa mediat pranë Ramës thanë se kryeministri nuk denjoji t’i shkojë në zyrë Metës. Sidoqoftë, çarja e përfolur kaq shpesh, u pa e qartë dhe doli sheshit. Mes krerëve të koalicionit qeverisëse ka një mosmarrëveshje të thellë. Mund të bjerë qeveria në njëzetekatër orë. Mund të shpallen zgjedhjet e parakohëshme për të realizuar një qeveri të re. Ose mund të ndodhin edhe akte tragjike alias Mehmet Shehu që mbeti i vrarë në vilën aty pranë në dhjetor 1981, veç pak ditë pas konfliktit me sekretarin e Parë të Partisë. Prej më shumë se një vit, mediat dhe Kuvendi dhe ambasadorët perëndimorë po flasin për inkriminim në majat e pushtetit. Madje janë shpallur edhe plane për vrasje të udhëhëheqësve mes njëri tjetrit.

Në rastin e tanishëm, vdekja e dikujt është e sigurt.

O do të vdesë politikisht kryeministri Rama, një djalosh i rritur në bllok pranë vilës shtrigë që i mori jetën kryeministrit Mehmet Shehu. Ky ka frikë veç nga një qime që mund të lëvizë në kurriz “demi” Meta dhe menjëherë qeveria e tij bie. Në qoftë se Ilir Met tërheq nga koalicioni deputetët dhe ministrat e tij, atëherë qeveria e Ramës me 64 deputetë (duhen 71 minimumi),  nuk mund të qëndrojë më këmbë as edhe një orë. Tentativat që ka bërë Rama për të afruar ose blerë deputetë periferikë nga parti të vogla, tashmë nuk pi më ujë. E para, pse aleatët perëndimorë që po vëzhgojnë betejën e Tiranës janë ngopur me këtë hile dhe nuk mund të lejojnë më blerje deputetësh. E dyta, se pazari nuk ka aq shumë deputetë të bleshëm sa të mbushin boshllëkun e Metës në radhët e Kuvendit. Para është Reforma në Drejtësi, që kërkon të paktën 84 deputetë, të cilët nuk mund të bëhen me thërrime të mbledhura nga partitë e vogla. Qoftë edhe duke i blerë nga opozita PD.

Atëherë “vdekja” e kryeministrit Rama është shumë pranë këmbëve të Ilir Metës.

Në anën tjetër, Ilir Meta, kryetar i Kuvendit, ndodhet shumë pranë “vdekjes”. Dilema e tij është shumë e madhe. Po bëhet gati të hyjë në portën e gijotinës. Gijotina e fundit për Metën është Reforma në Drejtësi. Dilema është makbethiane: Ta votoj apo të mos e votoj!?

Në qoftë se nuk e voton, atëherë frika është se Reforma nuk bëhet, por Rama pas këasj e përjashton nga qeveria dhe në vend të tij sjell thërrimet e partive të vogla. Nuk i duhen më aq shumë deputetë, veç sa për të mbajtur qeverinë më këmbë, 71 deputetë. Por qeveri pa reforma të mëdha. E kujt i plasi!?, mendon Rama.

Në qoftë se Meta përjashtohet nga qeveria e pareforma dhe e dobët, atëherë kryeministri Rama do të lëshojë të gjithë frenat për të burgosur Metën. Ky është një betim i hershëm dhe i nxehtë i Ramës, sipas analistëve.

Dilema e dytë makbethiane e Metës është të votojë Reformën në Drejtësi. Kjo është më e rënda. Në qoftë se LSI e Metës do të votojë draftin e paraqitur nga Rama për Reformën në Drejtësi, atëherë përsëri ky është fund i Metës. Sipas draftit të Socialistëve, sikur ky të votohet në Kuvend, atëherë Drejtësia bie tërësisht në dorë të kryeministrit Rama. Dje mediat kanë botuar një skemë dhe një pikturë ku Edi Rama shfaqet si një oktapod që me të tetë këmbët ka mbërthyer Drejtësinë. Na u kujtua filmi italian “La Piovra” i shfaqur aty nga viti 1987 që edhe atëherë na kalli datën për nga frika e mafies.

Në momentin kur kryeministri Rama do të ketë shtënë në dorë Reformën në Drejtësi, pika e parë që do të ralizojë do të jetë burgosja e Ilir Metës. Prej kohësh kryeministri po tund hekurat e burgut për duart e Metës. Tregojnë se ka angazhuar kancelari të huaja, ka mbështetje diplomatike, ka idenë se me burgosjen e Metës njerëzit harrojnë mizerjen dhe votojnë “heroin” Rama. Këto ditë ka angazhuar edhe mediat dhe ka rihapur një dosje korruptive që tregon se si Meta i ka kërkuar Kastriot Ismailjat (një person i burgosur)  një shumë prej 200 mijë euro.

Pas burgosjes së Metës, kryeministri Rama nuk ka më nevojë as për 83 deputetë sa ka sot bashkë me LSI, as për pekule të tjera. Edhe me “200 petrita”, dmth., me numër minimal deputetësh, mund të qeverisë dhe të arrijë “tokën e djegur” në gjithë vendin. Reforma në Drejtësi ia hap rrugën për këtë realitet të frikshëm.

 

…. Atje lart po zhvillohet beteja.

Ndërsa poshtë viktimat ndjekin me pasion betejën që zhvillohet lart. Këtu poshtë vriten njerëz, përmbyten tokat, shtëpitë dhe pasuria e njerëzve, marrin zjarr shkollat dhe apartamentet, përplasen makina dhe bien dëshmorë të rrugës, kërkohet më shumë bukë dhe strehë për njerëz të vobektë…

Asgjë nuk vlen shumë. Ose asgjë këtu poshtë, madje as cilësia e jetës njerëzore, nuk vlen aq sa viktimat të mund të heqin sytë dhe pasionin nga beteja që bëhet atje lart.

Të gjithë janë të vdekur për pushtetin, secili në mënyrën e vet. Padroni si padroni, viktimat si viktima.

 

 

SHKARKO APP