Video editorial i “Koha Jonë”: Edi Rama takon opozitën false
Video editorial i “Koha Jonë”: Edi Rama takon opozitën false
Kryeministri Edi Rama ka lënë sot të gjitha punën si drejtues i qeverisë për tu ulur në negociata të ethshme me deputetët që morën mandatet që dogji opozita. Për Kodin Zgjedhor duhen 84 vota. Kryeministri ka më shumë se kaq, sepse shumica e ligjeve të thjeshta kalojnë me 110 vota. Loja me opozitën false është ndërtuar në mënyrë të tillë që deputetët opozitarë të bëjnë kërkesa ultimative te Edi Rama duke i paraqitur ato të ngjajnë si mendime që vijnë nga opozita parlamentare, ndërkohë të cilat janë hartuar nga Taulant Balla. Deputetët që votojnë gjithmonë siç do Edi Rama tani kërkojnë lista të hapura, ndryshim sistemi zgjedhor, ndalim të koalicioneve dhe vendosje 5 % të pragut elektoral për partitë që duhet të hyjnë në Kuvend. Këta janë deputetë nuk kanë parti, ose parti që nuk kapin 1 përqind.. Nëse kanë ndërmend që të jenë në politikë, me kërkesat që kanë dorëzuar për reformën zgjedhore, të parët që dalin jashtë loje janë vetë ata si deputetë. Asnjërin prej tyre nuk i ke më në parlament vitin e ardhshëm. Ndaj të marrësh seriozisht kërkesat e tyre është humbje kohe dhe logjikë e çmendur. Kërkesat e tyre kanë sens vetëm për PS-në dhe Edi Ramën. Sepse rilindjes i intereson që të mos ketë koalicione dhe të përçajë PD-në me LSI-në. Rilindjes i intereson që me opozitën parlamentare të sabotojë reformën zgjedhore që miratoi në ambasadën amerikane. Edi Rama nuk ka guxim që të dalë vet kundër SHBA, BE dhe gjithë ndërkombëtarëve që po thonë miratoni paktin që u nënshkrua me PD dhe LSI. Për të shmangur ndonjë bombardim diplomatik personal ndaj tij, Edi Rama ka gjetur ca deputetë nga ata që i vë në rresht Taulant Balla dhe bën sikur dialogon dhe do t’u mbush mendjen. Por që i ka porositur me Taulantin të mos e votojnë!
Kaq energji sa ka po harxhon Edi Rama për t’i mbushur mendjen opozitës që të votojë reformën zgjedhore nuk ka harxhuar as për reformën në drejtësi. Madje, për reformën në drejtësi kreu i qeverisë tha se votonte sy mbyllur çdo gjë që i kërkonin ndërkombëtarët. Prej gati një muaj ndërkombëtarët i kërkojnë të hapë sytë dhe të shkojë të votojë marrëveshjen e firmosur më 5 qershor me opozitën reale. Kryeministri bën sikur nuk kupton dhe në vend të hedh në votim më parë reformën, sillet vërdallë me ca deputetë anonimë dhe që nuk kanë njeri pas vetes. Po bën negociata njeriu që ka alergji nga konsensusi dhe që sa ishte opozita reale në Kuvend nuk bëri asnjë lëshim në procedurat e votimeve më të parëndësishme.
Më kaq zell sa kanë nisur bisedimet me opozitën parlamentare ka mundësi që dhe pushimet verore Edi Rama t’i kalojë duke negociuar me deputetët anonimë. Për hir të konsensusit fals me deputetët e nxjerrë nga listat e shantazheve dhe borxheve të rilindjes, Rama është gati të hedhë në erë dhe marrëveshjen me opozitën reale. Megjithatë kjo lojë duhet të marrë fund sa më parë. Nuk ka opozitë parlamentare apo deputetët që përfaqësojnë opozitën në Parlament. Në kuvend ka vetëm një mazhorancë që ka paguar disa emra anonimë që zunë karriget bosh të opozitës reale që dogji mandatet. Këta deputetë shpëtuan qeverinë “Rama” nga rrëzimi dhe mbajnë hapur dyert e Kuvendit që humbi legjitimitetin, por nuk kanë lidhje as me reformat dhe aq më pak me opozitën e vendit. Sido që t’i quaj PS dhe çfarëdo të kërkojnë ata për reformën zgjedhore, të gjithë ata janë shtojca të rilindjes. Ndaj, Edi Rama duhet t’u hap fund gjoja negociatave që po bën me veten dhe të shkojë të votojë sa më parë reformën.
Nëse nuk e voton do ketë pasoja katastrofike ai si kryeministër. Jo vetëm nga protestat por nga ndërkombëtarët.
Me sa duket fati i Edi Ramës qënka përcaktuar; po rrëzohet duke ia futur vetes!