Video editorial i “Koha Jonë”: Vendi në kolaps. Pandemi, falimentim ekonomik dhe krizë politike

Video editorial i “Koha Jonë”: Vendi në kolaps. Pandemi, falimentim ekonomik dhe krizë politike

YouTube player

Me atentatin që i bënë Kushtetutës në Kuvend dhe shkatërrimin e marrëveshjeve politike, rilindja ka nisur pushimet e verës duke thurur ëndrra nën çadër për mandatin e tretë. Nga vilat qeveritare dhe resortet private luksoze, që paguhen gjithmonë me lekët e qytetarëve, postojnë foto piktoreske dhe ftojnë shqiptarët të shijojnë bukurinë e vendit. Disa syresh prej tyre nuk e fshehin zhgënjimin që pandemia i mbylli në 28 mijë kilometra katrorë dhe duhet të kalojnë verën në këtë “vend të humbur”, që i ka bërë me shumë lekë dhe pasuri, por e kanë katandisur të pa jetueshëm. Por pavarësisht kësaj, në media dhe në rrjetet sociale nuk humbasin rast të reklamojnë punët e rilindjes dhe reformat sipas tyre historike që qeveria po bënë ditë e natë për shqiptarët.

Nëse sheh deklaratat dhe profilet zyrtare të rilindjes duket se Shqipëria është një parajsë turizmi dhe një vend që mund të krahasohet me zhvillimin ekonomik të Gjermanisë. Por Shqipëria e rilindjes dhe burokratëve të saj nuk ka lidhje me Shqipërinë reale që qytetarët prekin çdo ditë. Teksa ministra, deputetë dhe drejtorë koncesionesh shijojnë resortet e ndërtuara nga politika dhe oligarkët bashkë, shumica e shqiptarëve nuk u afrohen dot brigjeve për shkak të pandemisë dhe ekonomisë së rrënuar. Virusi që erdhi si mallkim për gjithë botën dëmtoi ekonominë e shteteve, bizneset dhe ekonomitë familjare, por nuk ka prekur bilancet e majme të oligarko-qeveritarëve. Sipërmarrjet kanë shkurtuar vendet e punës, biznesi i ndershëm është thuajse i falimentuar dhe të vetmit që nuk janë lëkundur nga tërmeti ekonomik në vend janë përfituesit e koncesioneve të qeverisë. Paratë vijojnë të derdhen njëlloj, në mos më shumë se më parë, ndërsa biznesi i ndershëm dhe familjet shqiptare, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë do të përballen me kohët më të vështira ekonomike. Kolapsi financiar është afër dhe me pandeminë që ka përfshirë gjithë botën, ekonomia nuk ka shpresë të rimëkëmbet duke pritur ndihma nga BE.

Kriza shëndetësore e koronavirusit për të cilën qeveria na mbylli brenda në mars, po shfaqet pesë muaj më vonë më agresive se kurrë. Shqipëria numëron në total rreth 200 viktima, mijëra të prekur nga virusi dhe nuk flitet më për pik apo fund të kësaj tragjedie, por për një situatë që mund të vazhdojë pa afat. Kryeministri që luftoi si trim nga Surreli në muajin mars kur kishte vetëm 10 infektime në ditë dhe asnjë viktimë në ditë, tani që raportet e Ministrisë së Shëndetësisë flasin për bilance lufte me nga 5 të vdekur në 24 orë, nuk flet më. Sigurisht as mban më përgjegjësi për atë që po ndodh.

Mesa duket, në këtë kohë krizë ekonomike dhe pandemi vrasëse, rilindja është e zënë me pushimet dhe llogaritë e fitores së mandatit të tretë. Nuk ka rëndësi për ata nëse shqiptarët po vdesin nga virusi apo do të vdesin më pas nga kriza ekonomike dhe falimentimi. Nuk ka rendësi as fakti se shteti dhe institucionet kanë degraduar në regjim hibrid që drejtohet vetëm nga një grup qeveritarësh dhe oligarkësh. Për rilindjen, e vetmja gjë që vlen më shumë se jeta e shqiptarëve është mbajtja e pushtetit me çdo kusht, sidomos duke vjedhur dhe manipuluar votat sërish.

SHKARKO APP