Video editorial/Protesta e Fierit tregoi fytyrën e vërtetë të qeverisë
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot qytetin e Fierit, për të parë nga afër investimet që bashkia po bën në disa lagje. Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, kryeministri nuk gjeti asnjë ide më të mirë sesa të bënte një qokë të panevojshëm te kryebashkiaku, Armando Subashi. Por lajmi që erdhi nga Fieri nuk ishin investimet e Bashkisë. Nuk ishin as batuat dhe xhiroja e Edi Ramës në qytetin e zbrazur.
Në të njëjtën orë që kryeministri Edi Rama kishte lënë takim me zyrtarët e bashkisë, në qendër të qytetit naftëtarë dhe qytetarë të ndryshëm kishin dalë për të protestuar. Tubimi nuk kishte motive politike dhe as ishte thirrur nga partitë e opozitës. Naftëtarët që kanë muaj pa marrë rrogat dhe ndodhen nën presionin e largimeve nga puna nga qeveria, vendosën që më 1 maj të ngrënë zërin për të drejtat e tyre. Po ashtu, qytetarë që kanë dy muaj të mbyllur në shtëpi dhe pa asnjë zgjidhje për mbijetesë nga qeveria dolën në rrugët e qytetit, me shpresë së halli i tyre do të dëgjohej nga i madhi i qeverisë.
Por kryeministri që thotë se dëgjon çdo shqetësim dhe ankesë të qytetarëve kishte marrë masat që zëri i fierakeve të mbytej me sirena policie dhe pranga ndaj qytetarëve protestues. Forcat e rendit që kishin blinduar qytetin shpërndanë thuajse me dhunë protestën e qytetarëve dhe arrestuan disa prej tyre. Në media nuk u fol se çfarë dhe përse dolën fierakët ne qytet. I vetmi lajm që qarkullonte si zbulim i jashtëzakonshëm ishte se disa prej të shoqëruarve me dhunë në polici ishin simpatizantë dhe anëtarë të forumeve të Partisë Demokratike. Pandemia dhe kjo krizë e rëndë ekonomike i prek të gjithë njëlloj. Dikush më shumë dhe dikush më pak, të gjithë po vuajnë krizën e jashtëzakonshme financiare dhe mungesën e të ardhurave. Por me logjikën e qeverisë dhe një pjese të mediave pranë qeverisë, nëse je votues i PD-së nuk ke të drejtë të ankohesh as për bukë.
Protestat politike në kohë pandemie janë ndaluar nga parlamenti ilegjitim që ka sot vendi. Por kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk kanë të drejtë të protestojnë. Në Fier, naftëtarët votues apo jo të PD, PS dhe LSI kanë disa kërkesa njerëzor që nuk kanë lidhje me asnjë teserë partie. Ata që dolën në shesh sot, të paktën treguan dinjitet dhe kërkuan të drejtat, në ditën e 1 majit. Fshehja e qeverisë pas teserave të partisë tregon mjerimin e kësaj qeverie dhe përdorimin politik edhe të vuajtjeve të qytetarëve.
Arrestimet dhe ndalimi i protestave në Fier nuk është vetëm halli i disa qytetarëve. Mesazhi i qeverisë shkon për gjithë qytetarët. Mund ti keni bizneset drejt falimentimit, mund të mos keni më të ardhura, mund të keni muaj pa u paguar dhe më e keqja, mund të keni familjen pa bukë, por ju ndalohet të protestoni! Protestat prishin imazhin e suksesit të kryeministrit me pandeminë. Ndaj, me ligjet e gjendjes së jashtëzakonshme ndalohet që tubimet të shkatërrojnë kronikat e gatshme televizive të kryeministrit. Nuk ka rëndësi nëse njerëzit edhe mund të vdesin, rëndësi që rilindja të ngjajë bukur.
Kjo është Rilindja të cilën dje e zbuloi lakuriq në mes të parlamentit ish-ministri Ditmir Bushati.