Visho Ajazi iku, Rama qetësohet

Pas pesë vitesh në drejtimin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), Visho Ajazi ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të papritur.  Krerët e shërbimeve edhe kur ikin normalisht nga detyra, për shkak të sekreteve, të fshehtave dhe informacioneve “përvëluese” që kanë në duar gjithmonë ngrenë shumë pikëpyetje. Ndërsa në situatën që po kalon vendi, me skandale që kanë shpërthyer dhe të tjera që pritet të plasin më vonë, largimi i kreut të shërimit sekret ka shumë të panjohura. Situata nuk është aq normale sa e paraqiti dje zyra e shtypit e Kryeministrit. Sipas Këshillit të Ministrave, Edi Rama i paraqiti dje Presidentit të Republikës, Ilir Meta dorëheqjen e kreut të SHISH, Visho Ajazi, si dhe propozoi emrin e zëvendësuesit të tij, Helidon Bendo. Njoftimi i Kryeministrit në pak rreshta theksonte se Edi Rama e falënderoi Visho Ajazin për shërbimin e tij.

Sipas ligjit, kreu i SHISH nuk ka mandat me afat kohor të caktuar. Ai propozohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti. Pra një drejtues shërbimi mund të iki vetëm nëse Presidenti apo Kryeministri, tek të cilët raporton, kërkon që ta shkarkojë. Më saktë, të dy krerët e shtetit duhet të bien dakord për shkarkimin apo emërimin e kreut të shërbimeve inteligjente.

Pas 5 vitesh në detyrë dhe një përvojë të gjatë me Berishën e Parë të vitit 1991-1997 dhe me Berishën e Dytë, Ajazi duket se nuk ka pasur arsye të ikte me dëshirë nga pushteti i informacioneve sekrete. Atëherë mbetet varianti që një prej krerëve të shtetit të këtë kërkuar largimin e tij nga detyra. Presidenti nuk ka shprehur kurrë kundërshti për drejtimin e shërbimit sekret dhe kjo përballje duket se është përplasje e hapur mes Ajazit dhe Edi Ramës. Të vetmit që ndjehen të shqetësuar këto ditë nga qëndrimet dhe informacionet e SHISH ndodhen në mazhorancë. Bile më saktë tre ministra dhe vetë kryeministri.

I emëruar në vitin 2012, pas shumë këmbënguljesh nga Sali Berisha, Visho Ajazi i mbijetoi ndërrimit të pushteteve në vitin 2013. Deri disa ditë më parë, Kryeministri Edi Rama asnjë herë nuk ka shprehur rezerva publike ndaj tij. Madje, në qershor të vitit 2016, Kryeministri Rama e dekori kreun e SHISH për kontributin në luftën kundër terrorizmit. Edhe kur në media kanë rrjedhur me “pikatore” informacione që flasin për raporte të shërbimit sekret për drogën, krimet, dhe përgjime të zyrtarëve të lartë, Kryeministri Rama nuk e ka sulmuar publikisht institucionin.  Por gjërat kanë ndryshuar gjatë muajve të fundit, kur informacionet sekrete të agjencive ligjzbatuese kanë filluar të jenë edhe më të shpeshta në media dhe gazetarë të caktuar që i hedhin në studio televizive.

“Dorëheqja” duket se lidhet edhe me çështjen e hetimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Dalja e përgjimeve italiane dhe zëra për dosje të tjera nga shërbimet sekrete partnere të Shqipërisë kanë tronditur radhët e mazhorancës. SHISH është institucioni që vepron pa zhurmë dhe pushtetin e ka te informacioni. Pikërisht në këto ditë, Edi Rama dhe mazhorancën e PS ajo që e tremb më shumë është dalja e informacionit që nuk e kanë nën kontroll. Për këtë arsye drejtimi këto kohë i SHISH nga Visho Ajazi, i njohur si një besnik dhe i afërt me Sali Berishën mund të kthehej në një problem real për Edi Ramën.

Nuk është sekret se kreu i SHISH nuk emërohet vetëm sipas dëshirave të Kryeministrit. Formalisht për këtë post duhet edhe një miratim i SHBA-ve. Dhe më pas e vulos Presidenti, gjithnjë nëse bindet. Pavarësisht kësaj, ikja e Vishos këtë herë është pa kthim. Problem duket se do të jenë disa dosje dhe materiale që Sali Berisha, si njeri që gjithmonë ka ditur se çfarë ndodh me SHISH i paralajmëroi se ekzistojnë. Dhe që i zotëron.

Burime brenda mazhorancës tregojnë nën zë se ka mundësi se Visho Ajazi ka dorëzuar te ish-kryeministri Berisha disa dosje të nxehta me ministra dhe njerëz të afërt të kryeministrit Rama.

Pritet të shikojmë nëse Berisha do ti nxjerrë në publik e në shërbim të publikut apo do ti përdor për presion dhe kompromis me kryeministrin, siç flasin nën zë disa ministra afër Ramës.

Ka edhe një variant, sipas Lorenc Vangjelit, se Visho Ajazi ka bërë një pazar me kryeministrin Rama që të mos e pengojë Ajazin për të fituar një vend konkurimi në NATO dhe si këmbim shefi i SHISH i ka dorëzuar dosjet sekrete të cilat komprementojnë Ramën dhe shumë ministra.

SHKARKO APP