Viti 2017 iku rrëmujshëm, 2018-ta po vjen me shumë zhurmë e pranga

Iku 2017-ta. Një vit plot debate, sherre, rrëmujë, akuza, fyerje dhe kulisa, ndërsa viti 2018 mbërriti. Me pak fjalë 2017-ta njohu një varg zigzakesh në politikën shqiptare, ku nga urrejtja dhe sherri u kalua në çadër lufte e mënjëherë në dashuri mesnate, por më pas prapë sherr e konflikt. Ekonomia nuk ishte atje ku ishte parashikuar për shqiptarët të cilët aspirojnë një jetë më të mirë për familjet e tyre. Një fushatë elektorale në dukje e qetë me një kompromis PS-PD për bashkëqeveërisje, por që në heshtje banditët e drogës hodhën miliona euro në kutitë e votimit. Gjithsesi PS fitoi 74 mandate, aqsa PD-ja nuk kishte asnjë shpresë që të ndikonte me votën e saj në një bashkëqeverisje me Edi Ramën. LSI mori më shumë vota, por u sakatua nga pazari Basha-Rama. Kryeministri mori gjithçka në dorë; timonin, tepsinë dhe krejt ekonominë. Sapo e mori një kockë i mbeti në fyt. Plasi skandali Tahiri dhe Habilaj.

Po mundohet ta përtyp e gëlltit, pasi nxitoi të marrë edhe prokurorinë, pas SHISH. Një mbipushtet i madh në supet e PS. Kështu e mbylli vitin mazhoranca. Ndërkohë Ilir Meta u zgjodh President Republike. Lulzim Basha e ndjen veten opozitë. Berisha kërkon djegie mandatesh në janar 2018. Monika Kryemadhi e vendosur për ta rrëzuar me çdo kusht kryeministrin. Ajo e quan atë kryeministri i  bandave të drogës. Ndërsa Presidenti Meta e etikoi si “fashionist i shkëlqyer”, një ironi britanike.

Mbërriti  2018-ta. Me zhurmë siç është premtuar. Zhurmë protestash dhe prangash. Do ti kemi të dyja në vitin 2018. Kush e ha? Të presim. Sheshi është gati për rrethim të kryeministrisë, siç ka premtuar opozita. Edhe SPAK-u dhe BKH po gati janë. Prangat janë marrë nga SHBA, të forta e të bukura.

Iku një vit i rrëmujshëm, kurse 2018-ta do jetë i zhurmshëm. Shumë politikanë do digjen, disa do të “piqen”. Po ekonomia? Presim dhe shpresojmë të rregullohet. Në fund të fundit ekonomia duhet për familjet. Njerëzit duan jetë të qetë, me ekonomi të fortë dhe siguri publike.

Kjo është detyrë e pushtetit dhe shtetit. Por pushteti ndodhet në krizë, kurse shteti në kthetrat e rrezikut të kaplimit nga pushteti.

Spiten Prulli

SHKARKO APP