Vjenë, Rama ofron dhe thith projekte

 

Samiti i Vjenës, një nga takimet e organizuara nën kujdesin e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe kancelarit austriak, Ëerner Faymann, u mbyll dje me miratimin e një deklarate të përbashkët të vendeve anëtare. Takimi i dytë i këtij niveli dha rezultate konkrete. Vendet e rajonit, ndryshe nga vitet e kaluara këtë herë kanë pasur në tavolinë projektet konkrete. Është disktuar dhe rënë dakord për investime në infrastrukturë dhe për bashkëpunim më të madh ekonomik. Për shqiptarët, ky takim kishte dhe një domethënie tjetër. Për herë të parë, kryeminisrtri i Kosovës, Isa Mustafa ka marrë pjesë si përfaqësues i një vendi me të drejta të plota në rajon dhe Serbia nuk protestoi për praninë e simboleve të shtetit të Kosovës në takimin me Merkel dhe me kancelarin austriak. Duke veçuar mesazhet që lidhen mes shqiptarëve dhe serbëve, kryeministri Edi Rama, kryeministri Isa Mustafa dhe ai serb, Aleksandar Vuçiç, kanë pasur dje një takim tripalësh ku është diskutuar për ndërtimin e rrugës Durrës-Prishtinë-Nish. Një projekt që pritet të lidhë tre vendet, duket shtuar ndjeshëm zhvillimet tregtare si edhe qarkullimin e njerëzve.

Por veç marrëdhënieve shqiptaro-serbe, të cilat tashmë janë drejt normalizimit, kryeministri Edi Rama ka shfaqur edhe një herë aftësinë e një lideri rajonal. Në takimet e zhvilluara mes Ministrave të Jashtëm dhe në nivel kryeministrash, kryeministri Rama ka paraqitur dy projekte për të cilat ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian.

Ministri shqiptar i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, i cili ishte pjesë e Samitit, tha se në takime kryeministri Rama ka hedhur idenë për ngritjen e Unionit Ekonomik Rajonal dhe të Bankës Rajonale të Zhvillimit. Një projekt i tillë mësohet se është mbështetur edhe nga kancelarja Merkel, si dhe nga institucionet e tjera të BE-së.

Projekti i parë, ai i unionit ekonomik rajonal është një propozim që synon të uljen e kostove të shkëmbimeve ekonomike në rajon. E thënë më thjesht, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së; Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnjë, Mal i Zi dhe Maqedoni do të ketë ulje të tarifave doganore. Sigurisht, një nismë e tillë do të përfshijë vetëm bizneset që operojnë në këto vende dhe do të ketë rregulla strikte. Por synimi është krjimi i lehtësirave të procedurave burokratike të shteteve për bizneset në rajon. Një projekt i ngjashëm është përdorur mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë viteve të fundit dhe me këtë model, përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kanë kërkuar aplikimin me gjithë vendet e rajonit.

Ndërsa projekti i dytë është ai i krijimit të një banke rajonale për vendet e Ballkanit Perendimor. Ideja e kryeministrit Edi Rama lidhet me krijimin e mundësive për financimin ekonomik të projekteve të përbashkëta. Autostrada Joniane që do të kalojë në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Greqi është një nga projektet më ambicioze të qeverisë shqiptare. Por që të mundësohet një autostradë e tillë duhen financime. Vendet e rajonit për shkak të problemeve ekonomike dhe borxhit të lartë publik e kanë të pamundur të vënë në zbatim ide të tilla. Ndaj krijimi i mekanizmave financiare me asistencën e BE-së duket se është zgjidhja më e mirë për rajonin. Ideja e Ramës për Bankën Rajonale mësohet se është mbështetur nga Presidenti i BERZH-it. Ku përmes kësaj banke do të mund të plotësoheshin nevojat në infrastrukturë të sipërmarrësve të huaj që kërkojnë të investojnë në Shqipëri.

Projektet infrastrukturore të prezantuara nga Kryeministri Rama kanë marrë mbështetjen e institucioneve të Bashkimit Europian. Konkretisht, në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të Autostradën Joniane dhe për rrugën Durrës-Prishtinë-Nish.

Edi Rama ka qenë më konkreti në Vjenë duke kërkuar gjëra konkrete nga BE dhe ka folur pa dorashka se Brukseli ka nevojë të financojë projekte konkrete në rajonin e Ballkanit e jo vetëm të jap leksione për demokracinë. Demokracia vjen kur ke zhvillim ekonomik e  ndaj ka nevojë që kanceleritë kryesore europiane të japin financime në euro.

Fjalë e leksione japin të gjithë, por qeveritë kanë nevojë për financime .Edi Rama ishte konkret dhe pa ndonjë hezitim se kishte përballë liderët e BE

SHKARKO APP