Vota e dytë kundër SHBA është kriminale
-Kryeministri bën qejf e tallet pasi e di se çfarë opozite ka përballë, e cila nuk ka guxim të zhvillojë një protestë që të rrëzojë qevërinë, por mban fjalime me lule, ndërkohë që bërtet se “krimi e droga komandojnë Shqipërinë”. Përballë një qeverie droge, luftohet!
-Me 73 vota deputetët dhe ministrat e PS-së refuzuan të rishikonin qëndrimin kundër SHBA dhe Presidentit, Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Në këtë mënyrë, me një gjest të paprecedentë qeveria “Rama” ka ndryshuar kursin diplomatik të 27 viteve të fundit, duke e pozicionuar Shqipërinë kundër SHBA dhe Izraelit, tashmë edhe me vendim të organit më të lartë vendimmarrës, Parlamentit Shqiptar.
Qeveria e Edi Ramës ka thelluar dje gafën rëndë të bërë me 21 dhjetor me votën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë herë vota kundër SHBA nuk u dha në selinë e OKB, por në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka vulën e gjithë qeverisë dhe deputetëve të Partisë Socialiste. Me 73 vota deputetët dhe ministrat e PS-së refuzuan të rishikonin qëndrimin kundër SHBA dhe Presidentit, Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Në këtë mënyrë, me një gjest të paprecedentë qeveria “Rama” ka ndryshuar kursin diplomatik të 27 viteve të fundit, duke e pozicionuar Shqipërinë kundër SHBA dhe Izraelit, tashmë edhe me vendim të organit më të lartë vendimmarrës, Parlamentit Shqiptar.
Çfarë ndodhi dje në Kuvend? Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim depozituan një rezolutë ku i kërkohej Parlamentit të korrigjonte votën e dhënë me 21 dhjetor 2017 në OKB. Në këtë votim, Shqipëria doli kundër qëndrimit të SHBA duke u bashkuar me Turqinë, Palestinën dhe Sudanin. SHBA dhe personalisht Presidentit Donald Trump kërkuan nga gjithë qeveritë, dhe nga ajo e Shqipërisë, që në këtë votim të ishin në krah të Amerikës. Ndryshe nga një pjesë e vendeve që nuk morën pjesë në votim, apo abstenuan, Shqipëria dha një votë kundër. Për shembull Maqedonia nuk mori pjesë në votim. Kroacia, Rumania etj abstenuan. Shqipëria votoi kundër Presidenti Trump.
SHBA ka paralajmëruar se do të ndërpresë fondet për shtetet që i dolën kundër, duke i quajtur edhe si vende armike në këtë çështje. Ndërkohë Edi Rama u justifikua se nuk ia ishte kërkuar votën ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, pra ia faturoi atij vendimin kundër Trump. Për çudi ambasada amerikane fill pas votimit të Shqipërisë bëri një deklaratë që mund të quhet “as mish e as peshk”. Kurse në Uashington Presidenti Trump nxirrte xixa kundër atyre që votuan kundër.
Opozita e cilësoi këtë votë si një akt pabesie ndaj aleatit strategjik më të rëndësishëm, SHBA. Për të rregulluar gabimin, PD dhe LSI i dhanë dje mundësi qeverisë “Rama” të bënte një hap pas në qëndrimin e pakuptimtë ndaj SHBA. “Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga Qeveria që të ndërmarrë hapat e nevojshme për rregullimin e kësaj situate”,- thuhej në tekstin e rezolutës së partive kryesore të opozitës. Kjo rezolutë e opozitës ishte një gjest që mund ti bënte nder edhe PS, por në veçanti Edi Ramës. Duke korrigjuar vendimin, Shqipëria, edhe pse me vonesë, pozicionohej në krahun e duhur të aleatit strategjik. Por edhe këtë ofertë të partive të opozitës, PD dhe LSI, Edi Rama e mori si një sfidë politike. Në vend që të gjente një mënyrë për të rishikuar pozicionin e tij kundër SHBA dhe Izraelit, Rama e përdori për politikën e ditës, duke thelluar gabimin historik. PS propozoi një rezolutë paralele që jo vetëm nuk e mohon votën e 21 dhjetorit, po thekson se ishte një qëndrim në mbrojtje të interesave kombëtare. Interesat kombëtare të Shqipërisë janë të lidhura dhe me interesat e aleatit strategjik SHBA, ndaj nuk kuptohet se çfarë interesash ka mbrojtur Qeveria e PS kur ka dalë kundër Amerikës. Apo thjesht ka mbrojtur interesat ekonomike të ministrave me shtete të Lindjes? Ku ka me aleat të fortë për Shqipërinë e Kosovën se sa SHBA? Ndaj ishte rasti të korigjonte qeveria shqiptare gabimin trashanik e historik, por me sa duket interesat me Turqinë janë më të mëdha se sa ato me Amerikën.
Duke folur dje për çështjen mes Izraelit dhe Palestinës, Edi Rama ka bërë gjestin më të papranueshëm, duke kaluar në deklarata antisemite dhe me karakter racist. Mundet të ishte gafë nga nxitimi, por duhej ta korigjonte kryeministri atë çka tha për hebrenjtë. Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili publikoi dje videon e fjalimit të Ramës që kaloi pa vëmendje në media. Në video, Edi Rama i quan hebrenjtë me termin fyes “çifut”. Është një emërtim që është përdorur nga nazistët kundër hebrenjve dhe në gjuhën shqipe ka kuptim negativ. Megjithatë, duke sulmuar opozitën, kryeministri bëri dhe një sulm me nota raciste që ka mjaft ndjeshmëri për hebrejtë. Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka tha se për shprehje të tilla raciste, kryeministra dhe politikanë kanë dhënë dorëheqjen, por dje nga kryeministri nuk pati asnjë edhe ndjesë.
Ajo që i vuri kapakun gjithë debatit për Izraelin dhe Palestinën në Kuvendin e Shqipërisë ishte vota e qeverisë dhe PS. Kërkesa për korrigjimin e qëndrimit të Shqipërisë u hodh poshtë me 73 vota. Është një qëndrim kundër SHBA dhe nuk ka më justifikime. PS thotë në rezolutën alternative që miratoi se “nxit SHBA, Izraelin dhe Palestinën” të gjejnë një marrëveshje. Kjo është komike! Tirana zyrtare u jep mësim se si duhet ta zgjidhin konfliktin SHBA në Izrael.
Ky është një tjetër gjest diplomatik qesharak. Shqipëria nuk mund të zgjidhë problemet mes Izraelit dhe Palestinës dhe aq më pak të t’i tregojë SHBA sesi duhet të bëjë politikën e saj të jashtme. Nuk e përcakton vota e Shqipërisë statusin e qytetit të Jerusalemit. Por ama, Shqipëria e përcaktoi se kë ka aleat strategjik dhe nëse është pro apo kundër SHBA. Me votimin e djeshëm, Rama edhe një herë tregoi se është kundër SHBA. Dhe këtë herë nuk ishte moskordimin si rasti i votës në OKB. Është qëndrim zyrtar i Parlamentit të Shqipërisë, vetëm me votat e PS.
Kjo nuk falet, por opozita është në gjumë, sepse duhet të ngrinte popullin në rrugë për kursin antiamerikan të kësaj qeverie. Ndaj bën qejf e tallet kryeministri. E di se çfarë opozite ka përballë, e cila nuk ka guxim të zhvillojë një protestë që të rrëzojë qevërinë, por mban fjalime me lule, ndërkohë që bërtet se “krimi e droga komandojnë Shqipërinë”.
Përballë një qeverie droge, luftohet!
Edvin Vunoi