Votimi i Ramës, akt lufte ndaj opozitës
Nga Mili Xhani, kryeredaktor i KOHA JONE.
106 burra dhe gra të Parlamentit gjysmak vendosën sot t’i shpallin luftë rreth 3 milionë shqiptarëve. Në mënyrë anti ligjore dhe me proces votimi të manipuluar, nën udhëheqjen e Edi Ramës, Parlamenti njëpartiak vendosi të ndryshojë Kushtetutën. Pavarësisht sesi u justifikuan këto ndryshime, thelbi i tyre është ndalimi i koalicioneve para zgjedhore dhe hapja e pjesshme e listave. Të dyja këto ndërhyrje që u bënë pa konsensus politik, efektin kryesor kanë manipulimin e zgjedhjeve dhe heqjen e të drejtës së shqiptarëve për të votuar normalisht.
Por akti i votimit të sotëm nga Parlamenti shkon përtej debatit politik të ditës apo edhe zgjedhjeve të radhës. Kryeministri Edi Rama dhe ata pak mbështetës që i kanë mbetur hodhën hapin e fundit që ndan një shtet demokratik. Me votimin e sotëm, bashkë me ndryshimet monstruoze kushtetuese në vend ka lindur një regjim me tipare dikatoriale që kërcënon çdo qytetar. Votimi i deputetëve që janë të kapur me dosje dhe tendera nga Edi Rama ose janë thjesht konkubina politike që votojnë sipas pagesës së radhës është hedhja në erë e gjithë parimeve mbi të cilave funksionon demokracia. Në asnjë shtet tjetër të botës, përjashto Rusinë e Vladimir Putin dhe diktaturat zyrtare, një parlament nuk ndryshon kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Në një shtet tjetër që do të hyjë në BE apo ka për busull Perëndimin, një Parlament me legjitimitet të cunguar dhe me votat e vetëm një partie, ndryshon rregullat e lojës 8 muaj para zgjedhjeve. Akti që kreu sot Edi Rama dhe Kuvendi nuk do të sjellë as zgjedhje më të mira dhe as u jep qytetarëve më shumë liri për të vlerësuar kandidatët. Përkundrazi, votimi i sotëm është zyrtarizmi i diktaturës së një grushti njerëzish mbi gjithë popullin. Sepse një parti që ka vjedhur votat, që mban pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe që ka degraduar Parlamentin dhe Gjykatat, nuk është me përfaqësuese e interesave të popullit. E kundërta e kësaj është e vërtetë; kjo qeveri është sot armiku më i madh që kanë qytetarët shqiptarë dhe gjithë interesat kombëtare.
Atentati që ju bë sot Kushtetutës do të mbahet mend si hapi që e ktheu Shqipërinë drejt lindjes dhe regjimeve dikatoriale dhe kjo jo vetëm për votimin e paligjshëm në Kuvend. Fjalimi i Edi Ramës me nota sovraniste ishte një rilindje e filozofisë së udhëheqësit të partisë komuniste që i hapte luftë Perëndimit. Sulmet personale ndaj ambasadores së SHBA dhe akuzat e rënda ndaj diplomatëve perëndimorë për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, janë citate të nxjerra nga veprat e shokut Enver. Njëlloj si ai edhe Edi Rama sulmoi sot imperializmin anglo-amerikan që ndërhyn në vendimet sovrane të qeverisë së tij. Në Parlamentin e Shqipërisë, fjalime të tilla kundër SHBA, BE dhe aleatëve strategjikë nuk janë thjesht dëmtim i interesave tona kombëtare, por hapja e portave të kaosit dhe destablitetit të vendit.
Qëndrimet e kreut të qeverisë dhe bërja fakt i kryer i ndryshimeve të njëanshme Kushtetuese nuk janë kalim i vijës së kuqe, por kërcënimi më i madh që një qeveri u ka bërë qytetarëve të saj. Pas këtij vendimi nuk pritet asnjë zhvillim pozitiv për negociatat dhe për zhvillimet e brendshme në vend. Kryeministri shkoi aq larg me paligjshmërinë sa vetëm rrëzimi i tij nga populli, me votë dhe çdo mënyrë tjetër, mund të rikthejë legjitimitetin.
Presidenti Ilir Meta paralajmëroi rrëzimin e ndryshimeve Kushtetuese, si të paligjshme dhe të dëmshme për interesat e vendit. Në deklaratën e bërë për mediat pas ndryshimeve kushtetuese, Presidenti u shpreh se “Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”.
Nga ana tjetër, kreu i shtetit paralajmëroi se ky atentat ndaj Kushtetutës do të marrë dhe përgjigje nga qytetarët. Në mesazhin e tij, Presidenti u shpreh se “Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë. Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!”.